Parimi i “mosndryshimit të kufijve” është një parim i ruajtur me fanatizëm prej shumë vitesh për të ruajtur stabilitetin në shumë rajone të globit, ku ekzistojnë minoritete në kufijtë mes shteteve multietnike. Kjo, sepse ndryshimi i kufijve, qoftë edhe i vogël, në shumicën dërmuese të rasteve, është shoqëruar me përplasje të ashpra. Më të drejtë, një drejtues i lartë europian ka deklaruar se “kufijtë ndryshohen me fjalë në letër, por me plumba në terren…”. Ka një ide për ndryshimin e kufijve në Ballkan, që ka nisur nga Serbia, por që nismën konkrete e ka marrë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për të ndryshuar këtë parim me artikulimin se bëhet fjalë për “korrigjim të vijës kufitare mes Serbisë e Shqipërisë, paqësisht e me mirëkuptim”. Në thelb, edhe në këtë rast, bëhet fjalë për cenim të parimit të ndryshimit të kufijve. Ndonëse thuhet “paqësisht e me mirëkuptim” mes palëve, kjo gjë mbetet për t’u vërtetuar në praktikë.
1. PYETJET DHE REAGIMET E PARA PËR NDRYSHIMIN E KUFIJVE…
Pyetjet që janë shtruar gjatë këtyre ditëve janë të shumta: Nëse në këtë rast do të cenohet ky parim, a do të shërbejë ky rast si precedent për një efekt domino në Ballkan dhe në rajone të tjera të Europës e globit? A fshihen pas këtij akti të parë, veprime të tjera në rajon që do të çonin në krijimi e shteteve sipas vijave etnike, duke hedhur në erë shtetet multietnike dhe hapur rrugë për krijimin e shteteve etnikisht pothuajse të pastra? A munden vetëm dy shtete të tilla si Serbia e Kosova, madje kur Serbia ende s’e njeh Kosovën, pra, pavarësinë e saj e integritetin e saj territorial, të zgjidhin çështjen e vijës kufitare duke ndryshuar këtë parim? A mundet Kosova e vetme të zgjidhë këtë çështje, kur ajo është produkt “ndërkombëtar” ende i papërfunduar, në kuptimin që s’është anëtare e OKB dhe disa vende të BE ende s’e njohin atë? Askush deri sot s’mund të japë përgjigje të sigurta për këto pyetje… Madje, shumica e lidershipit të vendeve demokratike të globit është kundër prekjes së këtij parimi, kurse disa të tjerë janë shumë skeptikë dhe vetëm shumë pak prej tyre deri tani rezultojnë “më paqësorë” ndaj këtij veprimi në kuptimin, se ata “nëse palët merren vesh, ata s’janë kundër”. Duket e sigurt se nëse kjo ide do të marrë rrugë, do të shënonte një erë të re për lëvizjet nacionaliste në rajon, në Europë dhe në planet. Mendohet nga shumë analistë se tensionet në shumë zona të Ballkanit e të globit do të rriten deri në nivelin e konflikteve të armatosura.
2. IDEJA SERBE E NDRYSHIMIT TË KUFIJVE, NË INTERES EDHE TË RUSISË
Ideja e ndryshimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë, e artikuluar nga Thaçi, është një ide me origjinë nga Serbia, më saktësisht nga politika serbe, por që do t’i shkonte për shtat edhe Rusisë. Kjo ide i ka çoroditur qytetarët serbë, të cilët më parë, në shumicë, mendonin se e kishin humbur Kosovën dhe e kundërshtonin ashpërsisht “ndryshimin e kufijve” nga frika se kjo mund të çonte në krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’, gjë që sipas tyre do të destabilizonte të gjithë Ballkanin. Tani kanë ndryshuar mendje, duke menduar se “korrigjimi i kufirit mes Kosovës e Serbisë” do të hapte rrugën që Republika Serbska, e cila aktualisht gjendet në BiH do të mund t’i bashkëngjitej Serbisë dhe e gjitha kjo do të mund të çonte, herët a vonë, në bashkimin e të gjithë territoreve serbe, pra, krijimin e Serbisë së madhe. Shumica e serbëve mendojnë se zgjidhja e kësaj krize varet nga qëndrimi i Rusisë dhe SHBA. Më konkretisht, shumica e serbëve e presin zgjidhjen për ndarjen e Kosovës nga Presidenti rus Vladimir Putin. Beogradi zyrtar po ashtu është i bindur se Moska do të mbështesë ndryshimin e kufijve sepse kjo marrëveshje, e pranuar edhe nga komuniteti ndërkombëtar, do të mund të aplikohej edhe për Ukrainën; thënë më konkretisht, ky model do të pranohej për shkëputjen e Krimesë nga Ukraina dhe bashkimin e saj me Rusinë, duke u dhënë fund kështu edhe sanksioneve kundër Rusisë.
3. NDRYSHIMI I KUFIJVE, NISMASERBE, ARTIKULIMI-THAÇIT, RAMA KOORDINATOR
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë konfirmuar të shtunën, në datën 25 gusht 2018, në Forumin Europian në Alpbach të Austrisë, se “po bisedojnë midis tyre për ndryshimin e kufijve” mes Serbisë dhe Kosovës. Ata kanë rënë dakord se ky ndryshim i kufijve do të çonte në arritjen e një marrëveshjeje paqësore historike mes dy vendeve, duke zgjidhur kështu një krizë që mund të shkaktonte në çdo moment konflikte të reja në Ballkan. Me këtë rast, Vuçiç e Thaçi, i kërkuan së bashku Bashkimit Europian dhe SHBA-së të mbështesin këtë ide duke ndihmuar kështu në arritjen e kësaj marrëveshjeje historike. Në takimin e Alpbach-ut, pavarësisht se Vuçic vetëm sa ka përmendur në parim mundësinë e ndarjes së Kosovës pa dhënë detaje, ndërkohë që Thaci ka folur vetëm për korrigjimin e kufijve, është e qartë për të gjithë se të dy presidentët duket se kanë rëndë dakord që të ndryshojnë kufijtë mes Serbisë e Kosovës. Mund të thuhet se të gjithë faktorët e brendshëm në Kosovë dhe në Europë e SHBA i përmbledhin të gjithë këto deklarata në një të vetme: Thaçi e Vuçiç kanë rënë dakord të merren vesh të ndryshojnë paqësisht kufijtë mes Serbisë e Kosovës. Rama është jo vetëm në dijeni, por është edhe koordinator i kësaj marrëveshjeje, pavarësisht se hesht momentalisht. Kjo duket në pamje të parë një nismë personale dhe e përpunuar fshehtas. Nuk ka asnjë konsultim paraprak institucional brenda çdo vendi, së paku kjo duket qartë në rastin e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ka një mungesë të theksuar transparence dhe të konsultimit me shoqërinë civile dhe publikun. S’ka asnjë konsultim institucional ndërkombëtar, përderisa Merkel, Britania e Madhe apo vende të tjera të rëndësishme, deklarohen kundër kësaj nisme dhe shumë liderë apo ish-liderë europianë si dhe ambasadorë të rëndësishëm janë shprehur ashpërsisht kundër kësaj nisme, duke evokuar pasojat e rreziqet e saj. Situata rëndohet në perceptimin publik se kjo nismë është marrë nga shtete me nivel mediokër të demokracisë me probleme të shumta të qeverisjes.
4. ÇFARË REALISHT NËNKUPTON KJO NISMË?
Edhe Vuçiç, edhe Thaçi s’e kanë zbuluar ende se çfarë nënkupton në realitet e konkretisht kjo marrëveshje eventuale mes tyre. Deri tani flitet me një gjuhë të drunjtë vetëm për “korrigjim të vijës kufitare” në veri të Kosovës dhe në jug të Serbisë, bazuar në parimin demografik; gjë që është bërë publike përmes një studimi të OJF serbe CAES. Konkretisht, nënkuptohet se pjesa më e madhe e komunave të Kosovës Veriore, konkretisht komunat me shumicë serbe, Leposhevicë, Zvecan dhe Potok do t’i bashkëngjiten Serbisë. Kurse komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit që ndodhen në Serbinë Jugore janë kërkuar t’i bashkëngjiten Kosovës. Territoret e tjera në Kosovë të banuara masivisht nga serbët ose ku gjenden manastire ortodokse do të kërkohej të fitonin një status special. Në shkëmbim, Serbia do të njihte pavarësinë e Kosovës, gjë që do t’i hapte asaj dyert për t’u anëtarësuar në organizmat ndërkombëtarë. Një marrëveshje, e cila në pamje të parë duket shumë konstruktive dhe e pëlqyeshme nga palët dhe si e vetmja zgjidhje për momentin, përderisa palët nuk bien dakord ndryshe, por që në fakt mund të shërbente si precedent për shumë raste të tjera.
5. BE, E PËRÇARË KUNDËR NDRYSHIMIT TË KUFIJVE
BE nuk ka shumë dëshirë për ndryshimin e kufijve. Merkel fillimisht është shprehur qartas dhe ashpër kundër ndryshimit të kufijve duke thënë se ky është qëndrimi i të gjithë vendeve të BE. Por, ky qëndrim është lëkundur në forumin e AlpBach-ut, ku ka marrë pjesë komisioneri europian Johannes Hahn, i cili rezulton të ketë një qëndrim paksa të ndryshëm nga ai i Merkel dhe shumë vendeve të BE. Mbetet për t’u parë nëse ky qëndrim i Hahn është personal apo ai përfaqëson një mendim ndryshe të Komisionit Europian. Ndërkohë që Thaçi ka shpjeguar në këtë forum se “vendet e rajonit, BE-së dhe vendeve të tjera të botës s’duhet të kenë frikë nga një marrëveshje paqësore mes Kosovës e Serbisë, edhe nëse një marrëveshje e tillë do të përfshinte edhe korrigjimin e kufijve”. Por, deri më sot, askush nuk është naiv të besojë në sinqeritetin e Vuçiç për të respektuar integritetin territorial të BiH, aq më tepër që kjo gjë nuk do të ishte më në dorën e tij?! Kjo ka qenë arsyeja që fillimisht drejtuesit e BE e kanë kundërshtuar ashpërsisht idenë e ndryshimit të kufijve sepse kanë frikë që kjo do të çonte në ndryshimin e kufijve edhe në zona të tjera të Ballkanit. Nga ana tjetër, Hahn ka deklaruar në Alpbach se “asgjë nuk përjashtohet në këtë stad të bisedimeve mes palëve”, duke u kërkuar ndërkohë Vuçiç e Thaçit që “marrëveshja të mos destabilizojë rajonin”, gjë që pa dyshim s’është në dorën e tyre. Po ashtu, edhe Hahn duket i pasigurt në qëndrimin e tij, sepse edhe ai ka evokuar “rreziqet e një efekti domino në rajon e më gjerë nëse kjo marrëveshje arrihet…”.
6. UASHINGTONI DISTANT NDAJ KËSAJ NISME, POR JO KUNDËR
Ambasada e SHBA në Beograd ka shprehur qëndrimin “mbështetës në parim” për përpjekjet e Beogradit dhe Prishtinës për të gjetur mes tyre një zgjidhje, por ka kërkuar prej tyre më shumë informacion sepse në këtë rast s’do të kishte liri të pakufizuar veprimi. Ambasada ka kërkuar që të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme që “s’krijon destabilitet në asnjë nga vendet e rajonit…”. I njëjti qëndrim është artikuluar edhe nga këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA, John Bolton, i cili konkretisht ka thënë se: “Politika e SHBA do të mbështeste mundësinë e korrigjimit territorial mes dy vendeve nëse kjo gjë arrihet me marrëveshje mes dy palëve”. Ai ka shtuar se “Uashingtoni s’do të përzihej në këto negociata e ndërkohë beson se askush në Europë s’do të ishte kundër nëse të dy palët do të gjenin një zgjidhje të pranueshme për të dy palët”.
7. RUSIA MBËSHTET NDARJEN E KOSOVËS NË INTERES TË SERBISË
Ambasadori rus në Beograd, Aleksandër Cepurin, ka deklaruar se “Rusia do të mbështeste ndarjen e Kosovës nëse Serbia e vlerëson se kjo është zgjidhja e saj më e mirë për të”. Zëdhënësja e Ministrisë jashtme të Rusisë, Zaharova, ka deklaruar se Moska “do të respektonte një marrëveshje të pranueshme për popullin serb…”. Ndërkohë, ajo ka përgënjeshtruar lajmet e rrema se Presidenti Putin dhe Presidenti i SHBA, Donald Trump, kanë diskutuar mes tyre për ndarjen e Kosovës.
8. QËNDRIMET KONTRADIKTORE TË ISH-LIDERËVE EUROPIANË
Ish-përfaqësuesi i lartë për BiH, Karl Bild, është i bindur se “ndarja e Kosovës do të jetë një rrezik i madh për të gjithë rajonin dhe kjo do të hapte ‘Kutinë e Pandorës’”. Sipas tij, “çdo ndryshim eventual i kufijve në Ballkan do të çonte në destabilitet gjeopolitik” dhe do ishte një “rrezik për të ardhmen dhe paqen në BiH dhe Maqedoni”. Sipas mendimit të tij, kjo marrëveshje do të inkurajonte “ballkanizimin e mëtejshëm të Ballkanit që do të çonte në konflikte të reja dhe gjakderdhje…”. Ndryshe nga Bildt, diplomati austriak Wolfgang Petric, ishpërfaqësues Special për Kosovën dhe përfaqësuesi i Lartë i Komunitetit Ndërkombëtar për BiH shprehet se “nuk ka frikë nga një korrigjim i vogël i kufijve nëse ky korrigjim nuk do të shkaktonte ndryshim të strukturës etnike të vendeve respektive…”. Ai ka thënë se: “Për një kohë të gjatë ka pranuar parimin e pranimit të kufijve aktualë dhe vazhdon ta ruajë këtë qëndrim, por në ndonjë rast të rrallë nuk ka asgjë të keqe nëse këto kufij rishikohen…”. Paddy Ashdown, politikan e diplomat britanik dhe Përfaqësues i lartë i Komunitetit Ndërkombëtar në BIH, në një intervistë të tij, ka deklaruar se: “Çdo ndryshim kufijsh, kudo që të ndodhë, në Ballkan apo gjetiu, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se do të çojë në ndryshim të tyre edhe në rajone të tjera. Ndryshimi i kufijve mes Serbisë e Kosovës është shumë, shumë i rrezikshëm, prandaj ata janë në rrugë të gabuar. Sepse çdo ndryshim kufijsh në Ballkan çon në luftë. Dhe jo vetëm në Ballkan. Çfarë do të ndodhë me Vojvodinën? Mendoni ju se shqiptarët në Maqedoni dhe Malin e Zi do të qëndrojnë duarlidhur? Po në Sanxhak çfarë do të ndodhë? Dhe ajo që është më e rrezikshmja, çfarë do të ndodhë me BiH?…”.
9. RREZIKU KRYESOR I CENIMIT TË PARIMIT TË MOSNDRYSHIMIT TË KUFIJVE
Një marrëveshje eventuale, mes Serbisë e Kosovës, e bazuar në ndryshimin e kufijve, qoftë edhe në mënyrë paqësore e konsensuale, është mjaft e sigurt se do të shkaktonte efekt domino për të mos thënë tërmete dramatike në të gjithë Ballkanin, por edhe më gjerë në Europë. Konkretisht, kjo marrëveshje eventuale do të shoqërohej së pari nga kërkesa të menjëhershme për ndryshime kufijsh në Ballkan, duke tronditur integritetin e BiH, Maqedonisë, Mali të Zi etj., ku me shumë gjasa do të implikoheshin herët a vonë edhe Kroacia, Shqipëria, Bullgaria, Greqia dhe Turqia. Kurse ndikimi më i gjerë do të vinte nga kërkesat për shpalljen e pavarësisë nga Katalonia apo Skocia, e gjetiu, duke tronditur integritetin e Britanisë së Madhe, Spanjës, Belgjikës e tjerë. Kjo nismë nuk do të linte pa prekur edhe Ukrainën e Gjeorgjinë, thënë ndryshe, të gjithë zonat ku ka “konflikte të ngrira” në të gjithë globin.
10. REPUBLIKA SERBE E BIH DO TË ISHTE E PARA QË DO TË REAGONTE…
Për të kuptuar sesa e rrezikshme është kjo ide e ndryshimit të kufijve mes Serbisë e Kosovës, mjafton të lexohet reagimi i udhëheqësit të Republika Serbska, Milorad Dodik, i cili ka deklaruar: “Zgjidhja e statusit të Kosovës nuk duhet të jetë e ndarë nga zgjidhja e statusit të Republikës Serbska dhe për Republikën Serbska duhet të përdoren të njëjtat argumente siç përdoren edhe për Kosovën…”. Dodik ka thënë qartas se, “zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes Serbisë e Kosovës nënkupton edhe zgjidhjen e statusit të Republika Serbska”. Ky është një reagim tashmë i deklaruar në trajtë eksplicite, por janë të shumta rastet kur kjo deklaratë do të mund të vinte nga pothuajse të gjitha shtetet e Ballkanit.
11. MARRËVESHJE PËR SERBINË E MADHE, POR JO VETËM…
Në realitet, pas kësaj kërkese për ndryshimin e kufijve mes Kosovës e Serbisë, thënë në mënyrë paqësore, fshihet ideja e vjetër e Serbisë së Madhe. Por edhe nëse kjo nuk do të ishte e vërtetë, sapo kjo marrëveshje të miratohej, menjëherë do të hapeshin orekset për Serbinë e Madh dhe ato do të ishte e pamundur të ndaleshin sepse do të bazoheshin në të njëjtin parim të ndryshimit të vullnetshëm të kufijve. Madje, ky oreks për Serbinë e Madhe me siguri të plotë do të përfshinte edhe shumë kombe të tjera në Ballkan e më gjerë për të bërë të njëjtën gjë. Dodik prej kohësh ka kërkuar bashkimin e të gjitha territoreve ku jetojnë serbë, duke nënkuptuar jo vetëm Veriun e Kosovës, por edhe zonat ku pakicat serbe jeton në Malin e Zi, duke mos përmendur për momentin edhe kërkesat ndaj Kroacisë, sepse kreu i HDZ në BiH ka mbështetur idenë e pavarësisë së Republika Serbska. Po ashtu, kjo ide e Dodik mbështetet edhe nga shumica e kroatëve të BiH sepse kështu krijohen hapësira edhe për fillimin e një procesi të ngjashëm për ta.
Komentet