PLANE PER VRASJE TE REJA
Prokurori: Në dijeninë tuaj, ju ose të pandehurit Sinanaj, Genisi dhe Andoni, ju kanë kërkuar të kryeni vrasjen e djalit të shtetasit Sokol Veizi?
Gjokona: Mua nuk më është bërë ndonjë kërkesë e tillë, por mbas vrasjes së Sokol Veizit, një muaj apo dy, jam takuar me Erion Mëhillajn. Një ditë më ka dhënë një telefon në dorë dhe më ka thënë “me këtë telefon do të flasësh vetëm me Julianin ose ‘Benin’”, që i thoshim atëherë. Më tha “do vesh të takosh se ka diçka” dhe “ikë e ndihmoje se nuk kam kohë të merrem me çfarë kërkon Juliani”. E mora në telefon. Kur jam takuar herën e dytë me të, te lokal “D…”, më tha të bëja disa pjesë metalike me torno. Ai do të bënte skicat, ndërsa unë pjesët që ishin në skica. Do t’i bëja të vogla si i kërkonte ai. Mbasi kam bërë disa pjesë, por nuk kuptoja dot, pasi ishin të gjitha pjesë normale, rondela, brokulla, gjëra që i bëja përditë. Kur arrita deri te bërja e trupit, që ishte i gjatë, kuptova që ishte një silenciator, me pak fjalë. Mbasi kam mbaruar të gjitha këto pjesë, e kam pyetur se për çfarë duheshin, gjithmonë duke bërë të paditurin, sikur nuk merrja vesh. Më ka thënë: “Do bëjmë një pushkë njëzetëshe dhe do ta kthejmë në pushkë të precizionit të lartë dhe këtë do ta përdorim për vrasjen e djalit të Sokol Veizit. E njëjta gjë më është pohuar dhe nga Erion Mëhillaj. Mbasi kemi mbaruar, që u përgatit i gjithë materiali, që m’u kërkua, bashkë me Erionin kam vajtur te servisi i L. Aty kam bërë saldimin e pjesëve mbajtëse të silenciatorit dhe i kam montuar aty. Kjo ka qenë çfarë kam ditur unë për vrasjen e djalit të Sokol Veizit. Më vonë, nga ana e Erionit dhe Julianit, por më shumë insistonte Erioni për të bërë sikur zihesha me dikë në rrugë. Ta kapja nga flokët dhe t’i merrja disa fije floku. Këta flokë do të përdoreshin për vrasjen e njërit apo dy djemve të S. G., i cili ka zaptuar tokën e tyre në Orikum, tokën e Mëhillajve. Emrat e djemve nuk i kujtoj. G. quhej njëri, më duket. Këto kanë qenë kërkesat ndaj meje.
SINANAJ REKLAMON AFTESITE
Prokurori: Lidhur me armën që përgatitët, ku e mbajte dhe kujt ia dhe, çfarë fati ka pasur ajo armë?
Gjokona: Që nga momenti i përgatitjes së pushkës dhe deri në momentin që kam parë të përgatitur në nëntor 2012, e kam parë për herë të parë në mars apo prill 2013. Armën e ka mbajtur Genis Mëhillaj.
Prokurori: E keni provuar këtë armë?
Gjokona: Në prill 2013, në fillim të verës, filloi E. L. që të afrohej pas sherrit me Erion Mëhillajn. Afrohej E. me Julianin dhe mua duke u interesuar me çfarë merreshim, ça bënim, pse kemi bërë llafe me Erionin, arsyet. Në këto biseda ne kemi lozur shah, kemi pirë kafe poshtë pallatit të E. L. Një nga këto ditë i thotë Juliani që kishte përgatitur një pushkë dhe nëse kishte vend nga gurorja të shkonim ta kolaudonim atje. Ramë dakord që do të venim një ditë për të bërë kolaudimin e saj. Një ditë para se të niseshim për te gurorja, më ka marrë në telefon Genis Mëhillaj. Kishte rënë dakord me Julianin dhe më ka sjellë pushkën te shtëpia me një makinë “oper vektra”. Të nesërmen kemi tentuar të hapim silenciatorin, ta pastronim. Ngaqë kishte kaluar shumë kohë, nuk hapej. E premë tubon dhe shkova te personi që kisha blerë tubon e parë dhe bleva një tjetër. E rregulluam për herë të dytë silenciatorin. Të nesërmen unë, Erioni dhe E. L. që në mëngjes, rreth orës 06:3007:00 kemi vajtur te gurorja. Fillimisht Juliani dinte të bënte qitje me armët e vogla. Donte të provonte shënjestrën. Kishte me vete një çantë laptopi të vogël. Më kërkoi të blej ndonjë objekt, ta vinim në formë tabele për qitje. Nga çanta ka nxjerrë një automatik dhe ka bërë nja 5 ose 6 qitje me të. Pastaj ka nxjerrë një armë tip “TT” dhe ka bërë dy apo tri qitje. I futi të dyja armët në çantë dhe filloi të merrej me montimin e snajperit. Mbasi bëmë dy ose tri tentativa për të gjetur një pozicion të duhur, sepse do të bëhej me anë të një lazeri kalibrimi, mbasi ishte vendi shumë i madh dhe gurët shkëlqenin shumë. Dielli ishte i fortë dhe pengonte kolaudimin. Ka qëlluar dytri herë për t’i treguar E. L. çfarë ishte i zoti të bënte dhe me çfarë materiali. Qëlloi shumë pak. I mblodhëm të gjitha dhe ikëm në Vlorë, se ishte e pamundur të realizohej. Pushkën që përgatiti Juliani dhe unë nga momenti i qitjes deri në momentin që e mora unë në dorëzim ka ndenjur te zyrat e gurores. Pas njëfarë kohe, një ose dy javë, Juliani kishte ardhur të rrinte në Tiranë. Më merr në telefon dhe më thotë “merre atë plaçkën dhe do ta sjellësh në Kavajë”. E kam mbajtur disa ditë në shtëpi derisa ia dorëzova Julianit te një benzinato. E mori armën dhe e çoi diku.
RYSHFETI PER POLICINE
Më pas kemi ardhur në Tiranë dhe më vonë na ka ndaluar policia rrugore. U dhamë 20 mijë lekë policëve, pasi ishim pa patentë, dhe na lanë të lirë. Erdhëm në Tiranë dhe kemi filluar të bisedojmë rreth një grabitjeje të mundshme që do të bënim. Më ka treguar nga aparati i tij fotografik disa foto ku pretendonte se personat të cilët transportonin ato çanta ishin të policisë së shtetit dhe merreshin me kontrabandë kokaine. Pas disa ditësh kemi ardhur prapë në Tiranë dhe më ka kërkuar që t’i gjeja një pistoletë, mundësisht nga ato që mbanin 15 fishekë, pasi më tha se “legenat e Vlorës më kanë mashtruar disa herë. Të paktën ti bëj një gjë të mirë për mua”. I kam thënë që do të mundohesha. Në këtë periudhë unë kam nxjerrë familjen time jashtë vendit. Pretendoja të largohesha dhe vetë, pasi shikoja që gjërat nuk po ecnin mirë. Vetë Juliani më ka dhënë lekët e biletave për të nxjerrë familjen jashtë shtetit…
POROSIA PER VRASJE NE GREQI
Prokurori: E kujtoni saktësisht kohën kur Juliani ju ka thënë për dhjetë ditë nuk do të takohemi se shkoj në Greqi?
Gjokona: Ka qenë shtatortetor 2013.
Prokurori: Po tjetër çfarë ju ka thënë për largimin e tij?
Gjokona: Kishte marrë një porosi për një vrasje në Greqi dhe “Skorpionsin” që i është sekuestruar e kishte nisur në Greqi. Kështu më tha mua. Nuk e di nëse është e vërtetë. Për këtë vrasje kishte marrë 150.000 euro, nga të cilat 50 mijë i kishte paradhënie. Do vente të bënte vrasjen në Greqi këto dhjetë ditë dhe pastaj do të vinte të punonim këtej.
PLANI PER “TRADHTI”
Prokurori: Me të pandehurin Julian Sinanaj keni kryer veprime të tjera për ngjarje të tjera?
Gjokona: Mbasi vendosa të dorëzohesha në polici, i bëj një kërkesë Julianit. Ishte periudha që sapo ishte grabitur qendra tregtare nga babagjyshat. Duke parë që nuk kisha punë tjetër, ose të largohesha, ose të dorëzohesha në polici, ose të më vriste, ose ta vrisja, zgjodha rrugën më të mirë të mundshme, pra, të dorëzohesha në polici. I kam kërkuar Julianit, mbasi filluan pretendimet, që ti spiunon, për vetë a për Erionin punon. I kam thënë: “Dakord, na gjej një punë dhe unë jam gati ta bëj”. Më ka thënë: “Unë një punë e kam gati, por nuk kam besim te ti, se ti gjithmonë një avaz ke”. U referohej kërkesave që më kishte bërë vazhdimisht për të bërë grabitje. Kur venim deri në pikën e fundit për të grabitur, unë tërhiqesha duke justifikuar që kisha frikë, se isha familjar dhe mund të lija familjen rrugëve. Për këtë më tha që nuk kishte besim tek unë, por punën e kishte gati. Duke qenë se në Vlorë nuk shkova dot të dorëzohesha në polici, pasi Genisi, Erioni dhe shoqëria e tyre kishin njohje në policinë e shtetit. Duke ditur që mund të shkoja dhe në prokurori, por kisha frikë se ishin shumë të njohur në Vlorë. I kërkova Julianit të na gjente një punë dhe kur ramë dakord, u përpoqa të blija sa më shumë informacion nga Juliani. Informacion lidhur me personin, me vendin, me objektin që do të goditej. Kush ishte, çfarë bënte etj. Kam arritur të blej vetëm gjëra të vogla. Personi ishte “golaxhi”, domethënë njeri jo korrekt, që merr lekë e nuk i kthen më, që kishte bërë një ndërhyrje në zemër e që jetonte në periferi të Durrësit. Ai kishte dhe një lokal.
EKSPLOZIV PER PRESION NDAJ POROSITESVE
Mundohesha përditë të nxirrja informacione se kush ishte personi, që kur të veja në polici, të thosha personin konkret që do të ekzekutohej dhe për veten tonë, kush ishin personat që do të bëjnë ekzekutimin. Më ka thënë gjithashtu që personat që kanë bërë presion janë aq të fuqishëm, sa komandojnë dhe shtetin. Kjo gjë ndoshta u bë për të më bërë presion mua që të mos tërhiqesha, duke më bërë të ditur që ishin nga më të rrezikshmit. Unë mund të mos tërhiqesha, por më vonë doli që nuk ishin ata, por dikush tjetër. Pasi kërkoja më shumë informacion, Juliani filloi të dyshonte dhe vendosa të dorëzohem në polici, me aq informacion sa kisha. Në lidhje me mënyrën e vrasjes ishin dy variante. E para, me armë në dorë te rruga që vete për te shtëpia e personit që do të vritej. Ishte një objekt dykatësh, një pallat në ndërtim e sipër. Objekt i pambaruar dhe që nga aty do të përdornim armët që porositëm në Shkodër, pra, dy “Skorpionsat” që porositëm në Shkodër. Duke qenë se rreziku që mund të kapeshim nga policia ishte i madh, Juliani vendosi ta bënim vrasjen me shpërthim të komanduar. Kjo për dy arsye. E para, ishte më e sigurt që mund të godiste objektivin dhe arsyeja e dytë, t’u bënte presion personave porositës, që të ishin korrektë me lekët. Vendosi Juliani që vrasja të bëhej me eksploziv. Në Durrës, ku banoja unë në atë periudhë, më solli një makinë tip “Fiat bravo”, ngjyrë e errët, e cila do të përdorej për të vendosur eksplozivin. Solli dhe dy bidonë me benzinë të mbushur me polisterol, për të përforcuar shpërthimin e eksplozivit. Makina do të vendosej në anë të rrugës, përbri objektit në fjalë. Flisnim dhe për ta qëlluar me armë. Në atë mënyrë makina të ulte shpejtësinë kur të kalonte dhe të kishte mundësi të bëhej shpërthimi.
Prokurori: U bënë planifikime për kohë konkrete?
Gjokona: Vrasja do të bëhej dy ditë para dorëzimit tim në policinë e shtetit…
Komentet