Liqeni i Ohrit është ndër më të vjetrit në Europë, me një biodiversitet të larmishëm dhe habitat natyror për gati 300 specie endemike. Falë vlerave unike natyrore dhe kulturore, edhe pjesa shqiptare e liqenit iu bashkua listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s në vitin 2019.
Por ekosistemi i liqenit kërcënohet nga mijëra tonelata mbetje minerare, të cilat gjenden ende buzë liqenit apo të shpërndara në kodrat përreth tij.
UNESCO e konsideron aktivitetin e shfrytëzimit minerar të papajtueshëm me trashëgiminë botërore dhe i rekomandoi Shqipërisë gjatë një misioni monitorimi në vitin 2020 që të zhvendoste dhe të rehabilitonte në mënyrë urgjente një dampë minerare buzë liqenit si dhe të siguronte mbylljen e përhershme të çdo aktiviteti minerar me ndikim në këtë pasuri.
Dy vjet pas këtij rekomandimi, autoritetet shqiptare vazhdojnë të bëjnë një sy qorr.
Gani Bego, specialist i administratës së zonave të mbrojtura në Pogradec e konsideroi çështjen e mbetjeve minerare një problem të mbartur ndër vite, ndërsa theksoi se katër kompani vazhdojnë të kryejnë aktivitet minerar në vijën e liqenit të Pogradecit.
“Ky aktivitet fatmirësisht vitet e fundit ka pësuar rënie, por ka ende disa subjekte që vazhdojnë aktivitetin. Janë subjekte që shfrytëzojnë në karrierë dhe sigurisht që nga reshjet e shiut, metalet e rënda të këtij aktiviteti përfundojnë lehtësisht në liqen”, tha zoti Bego.
“Ne si Administratë e Zonave të Mbrojtura kemi ushtruar dhe kontrolle, kemi mbajtur aktet e konstatimit në disa subjekte dhe kjo është detyra jonë, të mbajmë aktet e konstatimit”, shtoi ai.
Sipas ekspertit të mjedisit, Arjan Merolli, mbetjet minerare kanë shkaktuar ndotje ekstreme të liqenit, me norma shumë herë më të larta se ato të Bashkimit Europian. Zoti Merolli shton se mbetjet e metaleve të rënda gjenden tashmë në organizmin e tre peshqve më të njohur komercialë të këtij liqeni –koranit, belushkës dhe krapit.
“Në rast se nuk marrim masa me këto mbetje minerare në formë shllamesh, që janë shumë të rrezikshme, do të humbasim me kalimin e kohës kriteret për të cilat ky rajon është shpallur si trashëgimi natyrore botërore. Duke qenë në dimensione shumë të vogla, këto masa e dëmtojnë shumë faunën e liqenit, sepse bëhen ushqim për llojet e ndryshme të peshqve në liqenin e Ohrit”, thotë zoti Merolli.
Bashkia e Pogradecit pretendon se po punon për zbatimin e rekomandimeve të UNESCO-s dhe sipas saj, pjesa më e madhe e mineraleve është pastruar.
“Një ndër problematikat e listuara nga UNESCO është dampa e mineraleve në Gurin e Kuq, një vend-depozitim mineralesh që është prej shumë kohësh atje. Pjesa më e madhe e saj është evaduar dhe pastruar dhe jemi në bashkëpunim me Ministrinë e Energjitikës për të hequr dhe pastruar edhe pjesën tjetër të kësaj mase materialesh”, tha nënkryetari i Bashkisë së Pogradecit, Paskalino Zyko.
Megjithatë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës tha në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi se dampa të tjera në zonën e liqenit janë duke u shfrytëzuar nga dy kompani koncesionare përmes lejeve të shfrytëzimit, që pritet të zgjasin deri në vitin 2026.
“Këto dy leje minerare përcaktojnë se nuk shfrytëzohet mineral në vendburim, por përdoret gjendja e stokut. Lejet e dhëna kanë si objekt shfrytëzimin e dampave, pasi ato kanë mineral hekur-nikeli. Sipas kontratës, detyrimi i kompanive për të pastruar dampat përfundon në momentin që ju përfundon leja e shfrytëzimit”, u përgjigj ministria.
Eksperti i mjedisit, Arjan Merolli thotë se e ka ndjekur nga afër procesin dhe ka vërejtur shkelje të tjera mjedisore.
“Ajo që është më shumë shqetësuese është që heqja e mineralit nuk ka respektuar asnjë nga nga ato rregulla që të ketë garanci që asnjë nga ato sasi të mineralit të hekur-nikelit mos kalojë përmes shirave apo faktorëve të tjerë atmosferikë në liqen. Përkundrazi, është muri rrethues i saj dhe nëpërmjet mjeteve të ngarkimit është hequr minerali pa respektuar asnjë nga ato rregulla”, përfundoi ai.