Këtë esse e kam shkruar e botuar në dhjetor të 2013, dmth 11 vite të shkuara, por mjerisht në Tiranë është e njëjta status quo. Po afrojnë zgjedhjet dhe kasta me sy të skuqur nga pangopësia synon të rreshtohet në listën e deputetëve pa garë që do t’i përpilojë lideri i PD. Janë të njëjtat fytyra si më 2013, vetëm tani kanë ndryshuar make up-in. Shqiptarët dhe Shqipëria kërkojnë tjetër gjë, kërkojnë garë të ndershme, meritokraci, vyrtyte, vlera, transparencë dhe integritet. Mos bëni më kot pyetjen retorike se përse nuk dalin shqiptarët në protesta, kur situata në vend kërkon që protestat të mos ndalen as ditën dhe as natën dhe kur varfëria e padrejtësia janë dy rreziqet kryesore të shkombëtarizimit.
———————–
Dhjetor 2013
Në Tiranë nuk ka elitë. Si përkufizim, elita është ai grup apo kategori sociale që ka vendin më të lartë në hierarkinë e vendit. E shprehur metaforikisht, elita është ajka e shoqërisë, aristrokracia, fisnikëria, bujaria. Në origjinë, statusi i elitës nuk është i veshur me pushtet, por ai njihet si autoriteti apo integriteti moral i padiskutueshëm. Ka elitë dhe elita.
Në Tiranë nuk ka elitë ka pseudoelitë, që përfiton privilegje jo për shkak të arritjeve të saj në të mirë të vendit dhe shoqërisë, por për shkak të simbiozës me politikën e krimbur nga korrupsioni dhe të qelbur nga injoranca. Servilizmi si definicion vjen nga latinishtja dhe lidhet me shtresën më të ulët dhe fundin e shoqërisë, të skllavit me shërbimin e bindur e të verbër ndaj skllavopronarit.
Këtë pozicion ndan sot elita e Tiranës me politikën. Kur do të duhej që elita të ishte në shërbim të vendit dhe rimëkëmbjes fizike e shpirtërore të tij pas 70 vitesh diktaturë e tranzicion.
Nëse degradimin gjysmë shekullor i dedikohet diktaturës. Degradimi 23 vjeçar i tranzicionit i dedikohet edhe elitës së degraduar.
Ismail Kadare është shembulli në kushte të jashtëzakonshme i përfaqësuesit të elitës së një vendi pasi veprën e krijoi në një sistem që e përjashtonte dhe ekskomunikonte elitën. Vepra e Kadaresë i shërbeu afirmimit të identitetit kulturor kur kombi po kalonte një krizë të thellë identiteti, pasi regjimi totalitarist iu mohoi shqiptarëve të drejtat elementare të njeriut siç ishte fjala e lirë, mendimi i lirë, lëvizja e lirë. Kadare i sfidoi këto barriera. E sfidoi metodën e realizmit socialist që ishte mënyra më efikase për të lejfenizuar shqiptarët. Shkrimtarët që përqafuan këtë rrymë, apo u detyruan ta bëjnë, i takojnë elitës së diktaturës jo të një shteti të lirë dhe demokratik. Vepra dhe arti i asaj kohe duhet të merret në analizë historike, si produkt i së keqes dhe jo si shembull e vlerë. Kadare i bashkangjitet elitës së Kombit, sepse, përmes veprës së tij, pati ndikim tek publiku i gjerë shqiptar dhe botëror. Tek shqiptarët ndikoi për të mbajtur zgjuar koshiencën e lirisë përmes një arti të kulluar; tek lexuesi botëror për t’i treguar publikut dhe elitës botërore se shqiptarët janë komb i civilizuar dhe europian. Kadare është maja e elitës shqiptare dhe pjesë e elitës europiane për rolin që pati për të ndikuar në të mirë të fatit të kombit të tij në momente shumë dramatike, siç ishte periudha e rrëzimit të diktaturës dhe Lufta në Kosovë.
Në çdo shtet demokratik, që garanton tregun e lirë dhe liritë e njeriut, elitat i krijon vetë sistemi, të cilat bazohen në meritokracinë dhe vlerat.
Elitat dallohen nga turmat pasi jetën dhe veprën e tyre e venë në shërbim të shoqërisë. Pra, elitat sakrifikojnë, nuk janë përfitues privilegjesh kur vendi mbytet në mjerim dhe dekadencë.
Sot, po ashtu jemi më të çoroditur se kurrë nga inflacioni i fjalës “intelektual” ku me këtë etiketë konsiderohet çdokush që ka mbaruar universitetin, ka marrë tituj e grada dhe ka siguruar një jetë të suksesshme profesionale personale. Pra, arritjet personale i kanë siguruar një jetë të lumtur e pa telashe. Profesionalizmi është i dobishëm dhe i domosdoshëm, është themel për të krijuar intelektualin por prapë është pak. Intelektualët krijojnë vlerë dhe dallohen me përkushtimin, talentin, aktivitetin, kontributin e ndikimin në të mirë të shoqërisë, të komunitetit apo vendit. Domosdo që intelektualët më të shquar janë pjesë apo kontigjent i elitës. Ermonela Jaho, Saimir Pirgu dhe kjo kategori brilante artistësh shqiptarë në Perëndim, që me emrin e tyre të mirë, jo vetëm përfaqesojnë majat e artit, por i shërbejnë përmirësimit të imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, janë padyshim pjesë e elitës së re shqiptare.
Në Shqipëri nuk kemi elitë. Kemi satelitë të politikës. Janë në shërbim të tyre, janë servitorë, skllevër, të pafytyrë, maskarenj, dallkaukë, sharllatanë sepse satelitizmi i tyre është koshient, e bëjnë me ndërgjegje, pasi ata janë të vaksinuar prej kohësh dhe e dinë se çfarë është mirë dhe keq.
Në diktaturë satelitizmi të imponohej, sot në Tiranë satelitët bëhen të tillë për arsye utilitare, sepse duan një jetë personale me privilegje e me luks. Kjo e deelitizon ose e çelitizon elitën. Dhe këtu fillon korrupsioni i elitës. Sepse ata e dinë të vërtetën dhe e përçudnojnë atë.
Si përçudnues të elitës, ata janë pa publik, nuk kanë simpatizantë, as adhurues. Ata nuk dinë as të flasin. Nuk dinë të bëjnë për vete as gruan e tyre, e cila adulteron me të parin që beson se nuk është rrenacak si bashkëshorti.
Ata shkruajnë libra pa idé dhe pa shpirt. Ata botojnë e promovojnë vepra që i bëjnë doktorë, por që nuk lexohen. Ata nuk thonë asgjë, ose thonë të kundërtën e asaj që duhet, por ata përbëjnë katastrofën natyrore ndaj shoqërisë, shumë më zi se cunamët, sepse e detyrojnë audiencën, publikumin që t’i ndjekë në të gjithë pushtetin multimedial, të cilin e kanë shpërblim për shërbimin që i bëjnë politikës. Pra, ata e ushqejnë popullin me të pallavra, me të pavërtetën.
Në Shqipëri nuk ka elitë ka vetëm satelitë faqezinj, që dhjamosen për të prodhurar fabrikate mashtrimesh në dëm të shoqërisë, në dëm të vendit, duke e shndërruar demokracinë shqiptare në gogol dhe duke e përdhosur të vërtetën. Kjo është drama kombëtare shqiptare. Sepse e ashtuquajtura elitë, shumica bijtë e bijat e ish-nomenklaturës të kuqe e kanë monopolizuar rolin e elitës.
Sargent Shriver, një burrështeti amerikan dhe aktivist i shquar, kunat i vëllezërve Kennedy – themeluesi i “Peace Corps” Trupave të Paqes e përkufizonte elitën si një kategori e pastër e përbërë nga ata burra e gra që sakrifikonin jetën e tyre për hir të drejtësisë dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
Kam parë burra e gra që pretendojnë e krenohen se janë elita shqiptare ndërsa nuk guxojnë të shqiptojnë as minimumin e mundshëm të së vërtetës. Këta në fakt janë njerëzit më të rëndomtë të shoqërisë. Sepse, duke u nisur prej interesave personale ata e çorodisin shoqërinë, e intimidojnë atë, ia fusin frikën, sepse krijojnë tema taboo, diçka e pafalshme kjo për një vend si Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, që do të thotë pak a shumë një demokraci që aspiron të jetë si motrat e saj Perëndimore.
Përkufizimi që ia bën elitës Sargent Shriver është ai i shqiptuari më shqip. Sot në Shqipëri nuk ka luftë midis qytetërimesh, as midis feve apo ideologjive. Në Shqipëri ka antishtet. Dhe antishtetin e mban në pushtet pseudoelita, antielita, njerëz surrogato, shumë më të rrezikshme se rreziku i armëve kimike, sepse disorientojnë shoqërinë, duke e deformuar ndërgjegjen njerëzore dhe konceptet themelore me të cilat krenohet me të drejtë një shoqëri demokratike, që janë vlerat dhe morali.
Pseudoelita shqiptare nuk dallohet as për veprat, as për vlerat dhe as për talentin e saj. Ajo nuk dëshmon virtuozitet as në fjalë, as në shkrim dhe askund. A dini ndonjë oratori të shqiptuar prej tyre që ka prekur mendjen dhe shpirtin e popullit shqiptar këta 23 vjet tranzicion. Mjerisht nuk ka. Sepse elitat e vërteta lindin nga një motivacion i madh, për të ndryshuar për të mirë vendin dhe jetën e popullit. Ndërsa pseudoelita shqiptare është produkt i tregut të zi, korrupsionit, i shoqërisë së padekomunistizuar, i pisllikut dhe llumit të njerëzve me dosje dhe me skeletë nga diktatura.
E mira e kësaj të keqe madornale është se ky llum nuk ka dishepuj. Nuk kanë popull që u shkon pas. Nuk kanë ndjekës. Followers. Në dallim nga elita e vërtetë, e cila krijon shkollën, filozofinë,vijimësinë me qëllim mbarëvajtjen e shoqërisë duke respektuar të vërtetën. Por megjithatë përmes pushtetit medial ata e manipulojnë turmën.
Filozofi i antikitetit grek Sokrati, babai i filozofisë së etikës së jetës, që njihet si një nga mësuesit më të mëdhenj të Perëndimit, shoqërisë së cilivilizuar perëndimore, endej rrugëve të Athinës duke inkurajuar dialogun dhe komunikimin e duke i fokusuar qytetarët në zbulimin e së vërtetës. Sokrati kishte një ndikim të jashtëzakonshëm tek elita e rinisë dhe u arrestua me akuzën se “po korruptonte mendjet e rinisë duke i larguar nga rruga e Zotave”.
Sokrati nuk kërkoi as falje dhe as mëshirë por reagoi përmes “Apologjisë”, sipas së cilës janë Zotat ata që i kanë bërë thirrje Sokratit të kërkonte të vërtetën dhe drejtësinë. Kaq sublime është ajo në jetën e një shoqërie dhe kombi.
Sot Sokrati është një nga përfaqësuesit më të denjë të elitës në historinë e njerëzimit. Ai konsiderohet babai i mendimit të lirë, frut i dijeve. Një nga paradokset e Sokratit ishte se ai e barazonte virtytin me dijet. Dmth kush është i dijshëm duhet të jetë patjetër i moralshëm, njeri i vlerave dhe me integritet.
Kështu duhet të jetë, por në Shqipëri nuk është kështu. Sepse pseudoelita e Tiranës me pretendimet se është e dijshme, i ka kthyer kokëposhtë deduksionin e Sokratit, që për ta do të thotë se kush është i dijshëm, është i lirë të bëjë çfarë të dojë dhe të jetë kush të dojë, të jetë edhe i pamoralshëm, i pavirtytshëm dhe i korruptushëm.
Këta janë sofistët e tranzicionit shqiptar, pseudoelita, produkt i së cilës është edhe lejimi i degradimit të shtetit demokratik fraxhil. Sepse elitat në shtetet demokratike i shpëtojnë dhe i nxjerrin kombet nga tunelet dhe qorrsokakët, ndërsa këta të Tiranës i mbajnë në tunele dhe në terr.
Siç është rasti më i fundit rreth shfaqjes së portretit të diktatorit në një ceremoni zyrtare shtetërore. Apo imponimi i 29 nëntorit nga një segmenti ekstremist i politikës si dita e çlirimit të Shqipërisë, kur kjo datë, edhe nëse përkon me largimin e gjermanit të fundit, po ashtu shënon fillimin e kalvarit më tragjik të shqiptarëve.
Po të ishte elita, po të mos ishte kjo faqezeza, do t’i ofronte një pyetje retorike si presidentit të Republikës, ashtu kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit. “Zotërinj a do të lejonte shteti gjerman në një protokoll zyrtar, siç është ai bashkimit të Gjermanisë, që, bashkë me Angela Merkel dhe Presidentin Gauck, të shfaqej në sfond fotografia e Hitlerit?”
Kjo është e vërteta. Sa më tepër ta zbulosh, aq më mirë është. Nëse Edi Rama, Ilir Meta dhe Bujar Nishani do t’i referoheshin të vërtetës, se çfarë u ndodhi shqiptarëve prej 29 nëntorit 1944 deri në rrëzimin e diktaturës, që të tre do të përgjigjeshin: “Jo” Atëherë ata më së paku do t’iu kërkonin ndjesë shqiptarëve! Dhe nëse në Tiranë nuk e mbron askush të vërteten, dmth nuk ka elitë, ka vetëm antielitë, prandaj them ka satelitë, ka shërbyes, shërbëtorë, skllevër të skllavopronares politikë.
Por megjithatë e vërteta ekziston, pavarësisht plehut, kënetës dhe moçalit intelektual që ka pushtuar Tiranën, që jeton nën diktatin dhe diktaturën e deformimit të së vërtetës.
E vërteta po ashtu ka gojë dhe flet, ashtu si thotë Sokrati në një nga fjalimet më të bukura të historisë së oratorisë botërore, një pjesë të cilës po jua përcjell me qëllim që t’i thërrasim mendjes, sepse po marrim në qafë brezat që vijnë: “Dikush nga ju mund të thotë: Sokrat, po ti a nuk mund ta mbash pak gjuhën, e pastaj mund të shkosh në një qytet të huaj, ku nuk të njeh kush e ku pastaj askush nuk do të merret më me ty? Mesa po shoh, unë e kam të vështirë që t’ju bind me përgjigjen time në këtë pikë. Nëse unë do t’ju thosha se, po të bëja si më thoni ju, kjo do të jetë një mosbindje ndaj Zotit dhe, prandaj, unë nuk e mbaj dot gjuhën, ju prapë nuk do të më besonit; dhe nëse unë prapë do t’ju thosha se fjalimi për virtytin që më dëgjoni të shqiptoj, duke ekzaminuar veten dhe të tjerët, është e mira më gjigande e njeriut, dhe se jeta e paanalizuar nuk ia vlen të jetohet, ju prapë nuk do të më besoni”.
Por siç e thashë, shkolla e Sokratit është një nga filozofitë në themel të civilizimit Perëndimor. Dhe ky sistem është i krijuar. Elitat e një vendi veç i mbrojnë këto vlera në vendin e tyre! Jo si vepron pseudeelita e Tiranës, që jo vetëm nuk po lejon të mbillen vlerat e civilizimit Perëndimor, por po çrrënjos edhe vlerat e konstitucionit shpirtëror të shqiptarëve, falë të cilave u kemi mbijetuar tallazeve dhe të gjithë të këqiave.
—
Faleminderit Artiste .falemilnderi Shkrimtarja Elida Bucpapaj .Faleminderit kultura e bukur e Shqipërisë qe Kurre nuk do vdese Ka njerez qe gjithmon do triumfojn ne jete per te arritur ne majat e larta te Artit e respektuar tabanin e vendin e tyre Faleminderit Elida .
Ju flm ju shume. Une e kam per detyre te tregoj te verteten. Faleminderit ju. Elida
Ju jeni Nje Poete dhe Artiste speciale me penen tuaj idete tuaja por qe vijn nga Nje familje me tradita Respekt per ju dhe familjen tuaj te mrekullueshme .Faleminderit .
Hamit Mezezi ka ndertuar nje histori si per vete dhe per qytetin ne nje kohe shume te eret, ku rreziku ishte si tehu i thikes sepse ne cdo cast mund ta akuzonin se ai po kujdesej per te deklasuarit….nuk munguan keto raste por me qetesin dhe humanizmin ai perballoi cdo sfide. Ishte i mencur kur fliste por ishte dhe me i mencur kur heshtte… E kam njohur kete burre te rralle, kam ngrene buke ne sofer me te…ai qe ne buze e mbante cigaren te pa fikur…Shpesh perhumbej por gjithnje diku udhetonte me mendim me kujtime me renkime te brendeshme…Ai e donte atdheun dhe i bente nder atij, ai e donte Tiranen dhe i bente nder asaj…ai nuk kerkoi kurre ti jepnin por gjithnje dha…Hamit Mezezi edhe ndaj heshtjes sone nuk mban meri por ne duke heshtur demtojme veten, historine dhe humanizmin….I paharruar, nje shesh se paku atje ku ka qene Artistikja e ka hak nje bust te tij…! Ndoshta nje dite do te ndodhi…!
Prof / Doct Perparimi Faleminderit Per Respektin dhe dashurine qe ju ruani per Babin tim e familjen time Ju e keni vleresuar figuren e Babit Tim ne Librin tuaj te famshem Epistolate Antropologjia e frames Njerezit e kultures e inteligjences Si ju Prof , Elida punonjesit e tij na e rikthyet jeten e figuren e Babit tone sikur e kemi prane mes nesh dhe kjo eshte bukuria e jete Njerezit qe kan lend legacy ne jete vleresohen Ju Faleminderit me zemer ju uroj gjithmon gezime suksese bashkee yllin tend vajzen e bukur Melisa Gjuthmon arritje ne jete Hugss
Nderimet tona Ben për Babën tuaj dhe për ju fëmijët e tij!
Ah sa u knaqa me kete shkrim qe keni bere ju patriotja e njohur Elida Une kam punuar ne ndermarjen e Hamit Mezezit dhe duke e lexuar dhe duke qare nga pershkrimi aq i bukur qe i keni bere ketij kolosi te Tiranes dhe propozimin e meritusr per te quajtur nje rruge me emrin e tij !Une jam aq e emocionuar sepse isha e persekutuar dhe pse lkisha dy diplloma sme jepnin pune qe une te rrisja tre femijte e mij me dinjitet Dhe vetem drejtori i madh i Tiranes me dha doren dhe edhe me pyeti ku kisha deshire dmth ne cilin repart te punoja dhe gjithnje me ka mbrojtur nga sulmet e partise edhe kur me denuan per burgun e babait tim me cuan ne kashte drejtori sa e mori vesh me tha Cfar ben ti aty Hajde ne zanatin tend se aty e ke vendin se je puntorja me e mire dhe pse mbasi mbarova dhe liceun per pikture qe na duhej per zanatin te gjithe qe e mbaruan moren kategorine e fundit te 7 mua sma dhane dhe mas dy muajsh drejtori me tha se qysh neser je me kategorine e 7 Meriban Eh ku harrohen keto edhe pse jam 75 vjet me 30 vjet pune ne artistike une jetoj me keto kujtime Po une jam vetem njera punetore po valle ckane per te treguar besoj te gjithe kenaqesite dhe mbrojtjet e drejtorit tone te mrekullueshem Tiranc !Flm shume Z Elida flm shume shume !
Z.Meriban Ju falenderoj per respektin e dashurine shoqerore qe ju ruani e keni per Babin tim .Ju Faleminderit qe ju shprehni hapur kujtimet tuaja memoryt tuja speciale ne jeten rinore ne pune …sa krenar e proud jemi ne femijet e tije kur ndigjojm keto gjera ng njerez si Ju e shume e shume te tjere ..Nje realitet qe duhet jete shtytje perpara per te rinjt sot qe njerezit duhet jetojn bashke ne harmoni .qe njerezit duhet te punon me ide e besim ne vetvete.Shume faleminderit Meriban Ju uroj me zemer shendet gezime suksese bashke me familjen tuaj.Hugss
nese dikush mund te haronte
Hamit Mezezin e fundit do isha un
un u rita aty
studiova
po kisha prane nje njeri si Hamiti qe vleresonte vlerat
se i tille ishte vete
po ashtu isha prane
ne spitalin 5 ku me qindra miq te tij prisnim vetem nje fjale te mire
qe fatkeqesisht nuk e morem
dhe aty pushoj se rahuri zemra e njeriut me te mire
Beni tere jetes te jeni krenat
Hamit Mezezi
nuk perseritet
Ju Faleminderit per respektin qe ruani per Babin tim Ishte vertet njeriu inteligjent,drejtues,prind ,burre me plot karakter dashuri per liri zhvillim qe kishte deshire cdo njeri te kishte dritaren e hapur per shkolle e ecur ne jete..Kurre nuk harroj Spitalin 5 kur cdo pallat dha ndihme ne cdo ore duke na dhene akull e hapur deren qe babi te shpetonte..por ora erdhi..dhimbje! Ju Faleminderit dhe Ju uroj Gjithmon shendet gezime suksese..Beni Mezezi