Taktika e përdorur nga trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, gjatë përgatitjeve në kuadër të ndeshjes me Izraelin, lë të kuptohet se do të shohim si rrallëherë një skuadër me karakter sulmues. Kjo, jo vetëm për faktin se pritet të zbresin në fushë lojtarë me karakteristika ofensive, por edhe nga skemat që italiani ka përgatitur për të goditur kundërshtarin.
Ndryshe nga sfida me Spanjën, kundër Izraelit skuadra pritet të vendoset më lart në fushë për të qenë më afër zonës kundërshtare në kërkim të golit. Duke marrë parasysh faktin se luhet përballë një kundërshtari direkt për vendin e tretë dhe çdo rezultat ka vlerë të dyfishtë, italiani po përdor të gjitha modulet e mundshme në seancat stërvitore, me qëllim të përballojë me sukses çdo situatë, në të cilën do të përfshihet skuadra gjatë 90-minutëshit.
Udhëzimet
Kombëtarja zhvilloi dje vetëm një seancë stërvitore. Skuadra u ushtrua gjatë paradites në Durrës, teksa trajneri mendoi të mos i lodhte shumë lojtarët, me qëllim për t’i ruajtur dhe shkarkuar të gjitha energjitë në sfidën e së shtunës. Në seancën e djeshme u aplikuan disa skema, si në variantet mbrojtëse, ashtu edhe ato sulmuese.
Për shkak të rëndësisë së madhe që paraqet kjo përballje, stafi teknik i Kombëtares shqiptare po studion me detaje të gjitha alternativat që do ta çonin drejt suksesit. Krahas skemave mbrojtëse dhe sulmuese, italiani vuri në zbatim me skuadrën disa variante, të cilat konsistonin në kontrollin dhe qarkullimin në mënyrë perfekte të topit.
Goditjet standarde ishin një tjetër mënyrë, nga e cila italiani vuri shumë theksin. Fatmirësisht, seanca e fundit në Durrës u mbyll pa asnjë problem dhe përveç Roshit që u stërvit i diferencuar, në të mori pjesë rregullisht edhe Sadiku, sulmuesi i rikthyer nga dëmtimi.
Skemat
Rezultati që do të prodhojë ndeshja në “Elbasan Arena” do të jetë shumë përcaktues për ecurinë e të dyja skuadrave. Për këtë arsye, trajneri kuqezi po përgatit një skuadër me tipare sulmuese dhe me një mbrojtje që rreshtohet shumë lart në fushë, krahasuar me ndeshjet e tjera që ka zhvilluar përfaqësuesja. Një prej varianteve me të cilin mendohet ta startojë sfidën Shqipëria është 4-1-4-1.
Por, në varësi të rrethanave, rreshtimi i skuadrës do të ndryshojë. Gjatë seancës së djeshme, italiani provoi disa skema, duke lënë të kuptohet se deri në momentin e gjetjes së golit do të luajë me variantin 4-3- 3. Me Balajn në majën e sulmit, në mbështetje të tij është më shumë Llullaku, i cili në ndryshim nga Memushaj ka më shumë detyra ofensive.
Titullarët
Edhe pse do të jetë seanca e sotme stërvitore në Elbasan ajo që do të projektojë titullarët, trajneri pritet t’u besojë pak a shumë të njëjtëve futbollistë që ka provuar në përgatitjet e fundit në Durrës. Formacioni më i mundshëm është me Berishën në portë, Mavrajn dhe Gjimshitin në qendër të mbrojtjes, dhe Hysajn e Agollin nga krahët e repartit defensiv. Pjesa e mbrojtjes është e stabilizuar dhe kësisoj emra si Ajeti e Veseli, sërish do ta nisin nga stoli.
Në mesfushë janë provuar disa skema dhe nga ajo që u pa, rezultuan të saktë në veprimet e tyre pesë mesfushorë të rreshtuar ngjeshur njëri me tjetrin. Me Kukelin para mbrojtjes, Abrashin dhe Xhakën disi më të spostuar dhe nga krahët Memushajn e Llullakun, De Biazi duket se ka gjetur formacionin ideal, që plotësohet me Balajn në majën e sulmit. Dyshimi është nëse do të jetë Roshi titullar apo jo, por nisur nga fakti që mesfushori nuk është stërvitur me grupin, shanset janë të pakta.
LEONIDHA MUSAJ
Komentet