Voal – Trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, De Biasi doli në një konferencë për mediat një ditë para ndeshjes me Armeninë. Tekniku italian deklaroi se kombëtarja jonë duhet të vlerësojë faktin që ka arritur deri në këtë fazë të eliminatoreve dhe në ndeshjen e nesërme kundër Armenisë të bëjnë çdo gjë për të siguruar “biletën” për në Francë.
“Kur thashë se Shqipëria do të shkojë në Francë, shqiptarët menduan se isha i çmendur. Tani ne kemi shanse të kualifikohemi për në Euro 2016. Unë vlerësoj pjesëmarrjen në kampionate të tilla si ai Evropian, sidomos kur është fjala për Shqipërinë dhe Armeninë, si vende që nuk kanë një popullsi të madhe.
Tani jemi të fokusuar në ndeshjen kundër Armenisë dhe të jemi të kujdesshëm për të mos pësuar një gol tjetër në minutat e fundit. Kemi atmosferë të mirë në punën në grup, edhe pse vuajmë pasojat në minutat e fundit. Është një mrekulli që ndodhemi këtu dhe duhet të përfitojmë nga kjo mundësi.
Nuk jemi të sigurt se Armenia do të fitojë patjetër, por ne dimë nivelin e aftësive tona”, tha De Biasi.
Kurse kapiteni i kombëtares Lorik Cana u shpreh se nesër është dita vendimtare për të realizuar ëndrrën e madhe.
“Nesër do të jetë një ditë që do të përpiqemi për të realizuar ëndrrën e gjithë shqiptarëve”, deklaroi Cana para gazetarëve armenë.
Ndeshja Armeni-Shqipëri luhet nesër në orën 18:00.
Komentet