TIRANË – Vetëm 3 javë pasi u bë pronar i një banese sociale, por nuk mundi ta gëzonte! Bëhet fjalë për këngëtarin e njohur shkodran, Tonin Tërshana, jeta e të cilit u ndërpre në mes mbrëmjen e sotme në moshën 66-vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë prej kohësh. Lajmi i dhimbshëm u bë i ditur nga të afërmit e tij, të cilët sqaruan se Tërshana ishte i shtruar në Spitalin “Nënë Tereza”, aty ku edhe ndërroi jetë rreth orës 19:00.
Dëshira e tij më e madhe ishte banesa, çelsat e së cilës iu dorëzuan më 1 shtator nga kryebashkiaku Veliaj, e për të cilën artisti kishte pritur 20 vjet. “Kam 20 vjet pa shtëpi. Prej 15 vitesh kam jetuar në Greqi, në emigracion. Prej 20 vitesh paguaj qira dhe më në fund m’u krijua mundësia të jetoj si gjithë të tjerët, të bëj një jetë normale me familjen time”,- deklaroi Tërshana në intervistën e fundit.
Nuk e dimë a e realizoi darkën e parë me miqtë në banesë, por dimë që kjo ishte dëshira e tij më e madhe. “Gjëja e parë që do bëjmë sapo të hyjmë në shtëpinë e re, sigurisht do të jetë një darkë me miq, shokë dhe të afërm. Kemi nuk kemi para patjetër që do të bëjmë diçka, pasi për ne është një gëzim i madh. Kjo ishte dëshira jonë më e madhe, shtëpia”,- tha këngëtari.
KUSH ISHTE TONIN TERSHANA
Tonin Tërshana lindur në Shkodër më 1 qershor 1949. Tërshana, përbën një rekord në skenën shqiptare, pasi që në debutimin e parë, në Festivalin e 4 në Radio, me këngën “Kur vjen pranvera” (Muzika Pjetër Gaci, teksti Fatos Arapi), merr çmimin e parë. Atëherë ishte vetëm 16 vjeç. Ka fituar çmimin e parë dhe në Festivalin e 11-të të RTVSH. Ka marrë pjesë në mbi 20 festivale duke fituar 4 çmime të para duke u bërë një ndër këngëtarët me më shumë trofe në Festivale. Presidenti i Republikës Bamir Topi, i ka dhënë titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
INTERVISTA E FUNDIT E TERSHANES
Një prej 30 familjeve, të cilat morën dje çelësat e banesave sociale ishte edhe ajo e këngëtarit të njohur, Tonin Tërshana. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, ai tregon si e humbi shtëpinë në firmat piramidale para 20 vitesh dhe vështirësitë e të jetuarit jo në strehën e tij. Prej 15 vitesh ai jetoi në shtetin fqinjë, Greqi, dhe jeta për të nuk ka qenë aspak e lehtë. Marrja më në fund e shtëpisë në dorëzim, për të është një gëzim i madh, ndaj ai e cilëson si dëshirën më të bukur të bërë realitet. Familja e këngëtarit ka tre vjet që është rikthyer në vendin e tij, ndërsa kanë aplikuar për një banesë sociale që prej vitit 2005 dhe fatmirësisht sot ata janë një prej përfituesve të këtyre apartamenteve. Në apartamentet në zonën e Shkozës, familja Tërshana ka përfituar një banesë të madhe 3+1. Ishte vetë kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, i cili i dorëzoi çelësat e apartamentit këngëtarit Tonin Tërshana. “Ju falënderoj pa masë, pasi unë kam 20 vite që jam pa shtëpi. Kam qenë dhe në emigracion dhe më krijuat mundësinë që të jetoj si gjithë të tjerët”, tha Tërshana.
Zoti Tërshana, si ndodhi që mbetët pa shtëpi dhe ku keni jetuar gjatë 20 viteve?
Ndodhi si të gjithë që u futën në firmat piramidale, edhe unë të njëjtën gjë bërë, ndaj mbeta në rrugë. Kam pasur një shtëpi timen, por u gënjeva nga firmat dhe mbeta pa gjë. Përveçse mbeta pa shtëpi, mbeta pa punë, pa para. Kam 20 vjet pa shtëpi. Prej 15 vitesh kam jetuar në Greqi, në emigracion. Prej 20 vitesh paguaj qira dhe më në fund m’u krijua mundësia të jetoj si gjithë të tjerët, të bëj një jetë normale me familjen time.
Kur do të vendoseni përfundimisht në shtëpinë tuaj?
Nuk jemi vendosur ende në shtëpi, pasi kërkon punë. Duhet të fusim gjërat brenda, ka nevojë të mobilohet. Për shembull nuk kishte as lavaman kuzhina dhe pa të nuk ke çfarë bën, është i domosdoshëm. Duhen ca para dhe ne pensionistët nuk i kemi. Kushtet ishin shumë të mira. Gjithçka ishte mjaft mirë, por sigurisht që ka nevojë për investime dhe ngadalë-ngadalë do bëhemi gati.
Cila është gjëja e parë që do bëni sapo të hyni në shtëpinë e re?
Gjëja e parë që do bëjmë sapo të hyjmë në shtëpinë e re, sigurisht do të jetë një darkë me miq, shokë dhe të afërm. Kemi nuk kemi para patjetër që do të bëjmë diçka, pasi për ne është një gëzim i madh. Kjo ishte dëshira jonë më e madhe, shtëpia. bw
Komentet