Vdiq në moshën 57 vjeçare Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Autoritetet mjekësore thanë se dyshohet se një arrest kardiak ka çuar deri te vdekja e Fadil Vokrrit.
Vdekja e Fadil Vokrrit ka nxitur reagime të shumta të autoriteteve dhe sportistëve në Kosovë.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në një postim në Facebook tha se “me dhimbje të madhe dhe pikëllim të thellë, i tërë kombi mori lajmin për vdekjen e parakohshme të Fadil Vokrrit, yllit më të ndritur të sportit dhe jo vetēm sportit tonë. Ngushëllime familjes, miqve dhe tifozëve. U prehsh në paqe Kapiten”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nëpërmjet një komunikate ka ngushëlluar familjen Vokrri, të cilën e ka quajtur lajm të trishtë dhe pikëllues.
“Futbolli i Kosovës ka humbur legjendën më të madhe të saj. Fadili ishte një personalitet i shquar në fushën e sportit jo vetëm në Kosovë, por edhe në arenën ndërkombëtare, duke u bërë shembull për të gjithë se si duhet të punohet për të arritur suksese. Falë kontributit të madh të Fadilit, Kosova arriti të pranohet në FIFA dhe UEFA. Me punën dhe veprimtarinë e tij në shërbim të vendit, Fadili me të drejtë konsiderohej si një prej përfaqësuesve më të denjë të Kosovës në afirmimin e sportit të Kosovës nëpër botë”, thuhet në komunikatën e kryeministri Haradinaj.
Fadil Vokrri luajti futboll gjatë viteve të 80-ta për klubin e Prishtinës dhe në klubin Partizan të Beogradit.
Fadil Vokrri udhëhiqte Federatën e Futbollit të Kosovës që nga viti 2008, ndërsa vlerësohet si një nga futbollistët më të mirë që ka pasur Kosova.
Komentet