Përfaqësuesja e Kosovës humbi në transfertë ndaj Rumanisë, në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian “Euro 2024”.
Sfida e zhvilluar në “National Arena” përfundoi me rezultatin 2-0 për vendësit.
Ndeshja në fjalë u përshkrua me incidente të krijuara nga tifozët vendas, për çka edhe pati ndërprerje të ndeshjes.
Ndeshja u ndërpre pas 18 minutave lojë, pasi tifozët rumunë shfaqen mesazh nacionalist dhe skandaloz, ku thuhej “Kosova është Serbi”. Nga ana e tyre nuk u ndalën as brohoritjet e tilla.
Kësisoj, gjyqtari kryesor i ndeshjes Willy Delajod vendosi për ta ndërprerë ndeshjen dhe urdhëroi ekipet të shkonin në dhomat e zhveshjes.
Pauza zgjati për afro 50 minuta dhe më pastaj rinisi, me kushtin që mesazhe dhe brohoritje të tilla mos të ketë më.
Por tifogrupi që shkaktoi incidentin nuk u largua.
Pjesa e parë u mbyll barazim pa gola, por Kosova mbeti me një futbollist më pak në minutën e 42-të, pasi Vedat Muriqi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua.
Ndeshja në pjesën e dytë u kontrollua nga rumunët, të cilët shfrytëzuan epërsinë numerike në fushë.
Rumania pati rast të artë për të kaluar në epërsi në minutën e 61-të, por Aro Muric tregoi sërish aftësitë e tij dhe priti penalltinë e ekzekutuar nga Nicolae Stanciu.
Vendasit e gjeten golin në vazhdim përmes Stanciut, i cili shënoi në minutën e 83-të.
“Dardanët” provuan më pas përmes Loshajt, Dresevicit e Muslijës, por pa sukses.
Rumania goditjen e fundit ia dha Kosovës në minutën e tretë shtesë (90+3’), me golin e shënuar nga Valentin Mihaila.
Kosova mbetet e pesta dhe e parafundit në Grupin I me katër pikë, kurse Rumania është e dyta me 12 pikë.
Kësisoj, për Kosovën thuajse janë shuar të gjitha shpresat për një kualifikim historik.syri.net