A e dini se ndërkohë që Qeveria Shqiptare bën populizëm me flamuj në Londër dhe feston “Ditën e Alfabetit” për të “promovuar” shqiptarinë, po përgatit një projektligj për t’ia kaluar arsimin parauniversitar Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), përmes kontrollit të Agjencisë së Sherbimit Arsimor (QSHA)?
Ky është një veprim që tregon qartësisht se qeveria jo vetëm që e ka degraduar arsimin, duke e pozicionuar Shqipërinë në vendin e fundit në Evropë sikurse dokumentohet ne PISA, por tani po heq dorë nga një ndër shtyllat kryesore të identitetit dhe zhvillimit kombëtar – arsimi – dhe po e transferon atë në duart e një organizate të huaj. Ky hap jo vetëm që përfaqëson një goditje të rëndë për sovranitetin e shtetit tonë, por krijon një precedent të rrezikshëm që dëshmon qartë se interesat kombëtare dhe zhvillimi i Shqiptarit nuk janë më në qendër të politikave të qeverisë.
Këto zhvillime janë një alarm që nuk duhet të injorohet. Arsimi nuk është thjesht një institucion; është baza e kombit dhe shpresa për të ardhmen. Si qytetarë, duhet të reflektojmë mbi këtë vendim dhe të kërkojmë transparencë të plotë për mënyrën sesi arsimi, si një pasuri e përbashkët dhe themel i kombit, po menaxhohet dhe kush po përfiton prej tij.