Tallje për Berishën e ka quajtur avokat Spartak Ngjela surprizën e organizuar dje në samitin e Parisit për ditëlindjen e kryeministrit Rama.
Në një postim në profilin e tij në FB, Ngjela shkruan se Samiti i djeshëm ishte sërish në favor të Shqipërisë, duke theksuar se megjithë përpjekjet e Berishës reforma në drejtësi do bëhet.
Postimi i Ngjeles
Samiti i Parisit ishte sërish në favor të Shqipërisë. Është mërzitur Saliu, se ai na tha pas referendumit britanik: “tani s’ka me BE për Shqipërinë”. Po sa para bën: koka e Saliut gjithmonë punon mbrapsht.
Ajo që po spikat është “nderimi” i veçantë që i bënë kryeministrit shqiptar në Paris dje. Po sigurisht që kjo tregon interesin për Shqipërinë, jo për Ramën. Interesi është gjithmonë dhe më i madh, dhe kjo është në favor të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Por duhet të pastrohet korrupsioni shqiptar. Ja, kjo e mërzit Saliun. Se ai nuk kupton dot asgjë që është në favor të Shqipërisë. Saliu e ka menduar Shqipërinë gjithmonë e më në shkatërrim, sepse, në delir, e ka parë kazmën e tij të vogël të mjaftueshme për t’i bërë gropën shqiptarëve. Akoma nuk bindet. Por Samiti i Parisit i qëlloi në një kohë ters, sepse ishte në kohën e sokëllimave për trembjen e deputeteve të PD- së. Por e ka të pamundur.
Ka marrë ngjyrë perëndimore force çeshtja e Reformës në Shqipëri. Do jetë edhe më e fortë. Ramës i dhanë hapësirë, sepse e pranoi Reformën. Por, a do ta pranojë Saliu? Jo, sepse e sheh kundër vetes. Po të tjerët? Nuk besoj se janë aq naivë sa të ” vënë kokën” për Saliun. Janë disa që kanë frikën e tyre, që i ngjan asaj të Saliut, por këta nuk ngrenë peshë. Po Meta? Ai i la “negociatat” e pakërkuara nga askush, se sigurisht që nuk mund të përballej me Amerikën, se e di që nuk ka forcë. Po Saliu do përballet? Saliu ka nxjerrë në përballje politikanin e vet rinor. Komedi, sigurisht… sepse askush nuk do t’ia dëgjojë më zërin.
Merkeli kërkon Reformë në Shqipëri, Fransua Hollond bën ditëlindjen e Ramës në Paris, kurse injorantët e Saliut shkojnë të shohin kullën e Saliut. Komedia vijon: se eshtë edhe vjedhja e Rinasit që “ndalon reformën”, sipas injorantëve të Saliut, sepse, Presidenti kukull, duhet të mbledhë Komisionin e tij Madhor. Mos ndoshta do t’i shpallë luftë Samitit të Parisit? Ose ndoshta do të trembë Ramën. Po Rama ishte me të mëdhenjtë e kësaj kohe dje. “Gënjen”, thotë Saliu. Por sikur ka rënë ca edhe Saliu…
Do kalojë Reforma Sali. Nuk është politikë e vogël ajo që po e lufton ti me Lulëzimin. Kanë mundur Moskën sovjetike kundërshtarët e tu, me divizione e raketa, e ti dallon se je një grimcë e vogël që do t’iu mbetesh në dorë. Nuk ka më procedurë. Kaq në delir je, mo Sali, sa mendon të mundësh Amerikën me procedurën e Metës. Po si mund të ndryshojë një politikë perëndimore në një kohë që ajo është vendosur? Nuk e kuptove , o Sali ziu, që nderimi i Rames në Paris ishte një tallje me ty?
Do ketë edhe më shumë këto ditë, deri në 21 korrik, sepse, pas ditëlindjes së djeshme të Ramës, mund të vinë ca kujtime të hidhura për Saliun. Në fakt kjo është politika. Por ka mundësi që heshtja e Saliut të jetë heroike këndej e mbrapa, si ajo kënga e famshme labe: “Bilbilenjtë njëmbëdhjetë, vanë në litare vetë”.
Gjithsesi, duhet pritur dhe ca pak ditë…
Komentet