1.
Në historinë e studimeve shkencore të letrave shqipe për fëmijë e të rinj, krahas krijimtarisë së pasur letrare, shenjohet me germë të madhe veçanërisht një emër me një kontribut të parreshtur vlerash… Ai quhet Astrit Bishqemi. Kontributet në fushën e studimeve letrare shfaqen në disa aspekte, si: historiografike, bibliografike, analiza dhe komente veprash, portrete, periudha letrare me problematika dhe tipare të tyre, etj., etj. Në këto arritje të pashoqe Prof. as. Dr. Astrit Bishqemi është bërë shpesh edhe themelues, vendimtar e vizionar në fushën e studimeve të këtyre letrave, shpesh të munguara e të cunguara nga ana shkencore në rrjedhën e viteve.
Këto shënime, mbase pakëz të vonuara, dritëdhënëse e dritënjohëse, krahas vijëzimeve të disa aspekteve të krijimtarisë së mirëfilltë letrare të autorit Bishqemi, rreken kryesisht të ndriçojnë një fragment të portretit të tij poliedrik, siç është ai i studiuesit të palodhur, studiuesit me bagazh dhe të vlertë e me përgatitje të lartë shkencore.
2.
Skedë: për krijuesin dhe studiuesin Astrit Bishqemi.
*Krijimtaria e tij letrare u shfaq në mesin e viteve ’60. *Angazhimi: i përkushtuar ndaj letërsisë për fëmijë e të rinj. *Krahas prozës së shkurtër, të mesme e të gjatë, në opusin e veprës së tij zënë vend edhe studimet letrare. Vepra e tij e titulluar “Histori e Letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj”, është një vepër madhore, ku rrok gjithë hapësirën e procesit letrar mbarëshqiptar, zhvillimin e tij shumëplanësh, shumështresor, me paralelet dhe ndërprerjet e tij, me dukuritë e fenomenet të analizuara në vështrime historike e teorike, analitike e problemore. *Krijimtaria në prozë (në shumë plane) ka edhe një dukuri si zanafillë: lëvrimin me sukses të zhanrit fantastiko-shkencor. *Po sjellim dy shembuj nga dy vepra të tij për të njohur sadopak vlerat e tij si shkrimtar. ““Kronikë me tank” (roman, Sejko, Elb. 2004) është një roman i spektrit kronikal, ku në fokus është kronika dhe ku autori, bashkë me “petkun” e shkrimtarit, ka veshur edhe atë të kronikanit apo të gazetarit për realizimin e misionit që i ka vënë vetes.” Kurse e veçanta e romanit serial (sagë) “Klik, Rrapatushët 1,2,3,4” (roman, Extra, 2007) është arkitektura krejtësisht e re, e cila del jashtë çdo konturimi tradicional, ku nuk kemi më një subjekt të caktuar, që shtjellohet brenda një boshti apo kompozicioni klasik, por tërë përmbajtja voluminoze e tij është një mozaik copëzash letrare, disa të risjella nga krijimtaria e tij më e spikatur në vite, me një alternim rrëfimesh, përshkrimesh, gojëdhënash, historish, vizatimesh, portretesh, pikturash, fotografish artistike, por edhe humoristike, si të thuash, një enciklopedi e tërë letraro-artistike, e cila krijon variacione në të lexuar, ndjesi e kënaqësi të veçanta dhe, nga ana tjetër, ofron një informacion të pasur e të larmishëm për lexuesit.
3.
Me emrin e Astrit Bishqemit, një emër prej shkencëtari lidhen këto vepra studimore e madhore, si: “Hyrje në teorinë e letërsisë për fëmijë” (Sejko, Elbasan 1997, e ripunuar, Sejko, Elbasan 2004), “Eja, ta lexojmë bashkë një vjershë!” (komentar) (Tiranë 1998, Elbasan 2000), “Letërsia botërore për fëmijë” (Silver, Elbasan 1999, e ripunuar, Sejko, Elbasan 2006), “Histori e letërsisë shqiptare për fëmijë (disa ribotime) (Sejko, Elbasan 2001, Dy Lindje dy Perëndime, Tiranë 2008), “Vlera të anatemuara…” (Gjurmime e studime, Sejko, Elbasan 2005), “Autorë e tekste letrare, probleme e vlera…” (Sejko, Elbasan 2007), “Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj -1886 – 2009- (Fjalor enciklopedik, Dy Lindje dhe dy Perëndime, Tiranë 2009), “Libri – miku më i çmuar i fëmijëve” (Doracak bibliografik), botim i Fondacionit ECE, Elbasan 2000, “Bibliografi e kritikës letrare për fëmijë e të rinj ndër vite” (Fjalor enciklopedik), Qendra studimore për historinë, kulturën dhe traditën elbasanase; Elbasan 2017, etj. E gjithë kjo prurje dimensionale flet për një tablo të madhe drejt vizatimit të ecjen dhe zhvillimit të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, që sigurisht për këto studime kërkon studime të mëtejshme e të thelluara, për të qartësuar dhe vlerësuar edhe më mirë figurën dhe individualitetin prej studiuesi të talentuar të Prof. as. Dr. Astrit Bishqemit.
Duke njohur opusin letrar e shkencor të autorit Bishqemi, nuk ke sesi të mos mendosh për lëvrimin e gjinive dhe zhanreve letrare, si dhe i studimeve të thukëta, në të shumtën e rasteve edhe si modele. Shkrimtari dhe studiuesi Dr. Xhevat Syla konstaton: “Numri i madh i titujve të librave, por edhe vëllimi i tyre, flasin më së miri për përkushtimin e tij të madh kësaj fushe të krijimtarisë letrare, si dhe për rezultatet të cilat e radhisin atë ndër shkrimtarët, e sidomos ndër studiuesit më të vyeshëm të letërsisë sonë për fëmijë.” (Xhevat Syla: Kush e shkruan poezinë (Vlerësime për letërsinë për fëmijë), Shtëpia Botuese FAIK KONICA, Prishtinë 2005, shkrimi: Roman mbi thyerjet e mëdha, f. 278.)
Nëpër vite, me disa nga veprat studimore të Prof. as. Dr. Bishqemit janë marrë studiues, kritikë, shkrimtarë, etj., si: Prof. Bedri Dedja, Prof. Odhise Grillo, Prof. Agim Deva, Dr. Xhevat Syla, Skënder Kariqi, Milaim Nelaj, Pandeli Koçi, Klara Kodra, Skifter Këlliçi, etj. Disa mendime dhe konsiderata të tyre do t’i paraqesim edhe në këtë shkrim, sepse përkojnë edhe me qasjet tona lidhur me probleme a dukuri të veçanta në fushën studimore të Prof. as. Dr. Astrit Bishqemit.
4.
Astrit Bishqemi e vrojtoi letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj edhe në rrafshin studimor para viteve ’90. Këndvështrimet e tij interesante, thelluese e me konkluzione të sakta shkencore flasin për një mbarësi dhe fatlumësi për letërsinë shqipe. Por… po të gërmojnë në zanafillën e letrave të para letrare, prurjet i takojnë në zhanrin e letërsisë fantastiko-shkencore. Nga ana e kritikës letrare të asaj kohe reagimi ndaj këtij krijuesi të talentuar, sa ç’kemi lexuar në shtypin periodik e letrar ka qenë i dobët, i zbehtë, i lënë disi në hije dhe shpesh i përmbledhur me një fjali. Megjithë këtë pavëmendje, asgjë nuk e pengoi Astrit Bishqemin, që në punën e tij të shkrimtarisë, me sprova të mundimshme e fisnike; ta pasuronte biografinë e tij artistike si në krijimtarinë letrare ashtu edhe në fushën e studimeve, ku më vonë do të vendoste disa piketa të domosdoshme për vlerat dhe kontributet e shumë shkrimtarëve në periudha dhe epoka të ndryshme në panteonin e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Ato piketa po i vendoste, – siç thotë kritiku Milaim Nelaj, – Astrit Bishqemi që, veç veprimtarisë së gjerë artistike, dita-ditës po rritej dhe po bëhej një personalitet i shquar në fushën e pedagogjisë dhe të studimeve letrare. (Milaim Nelaj: Profile letrare (studime), njëzet portrete shkrimtarësh për fëmijë, OMSCA-1, Tiranë 2008, shkrimi: Forma të reja artistike në romanet për fëmijë të Astrit Bishqemit, f. 34.)
Raportet e Astrit Bishqemit me studimet letrare të kësaj letërsie qenë të atilla që, për hir të së vërtetës në disa aspekte ecuria zhvillimore nuk kishte ndonjë traditë të pasur e solide. Ndaj dhe raportet e dialogimi nuk qenë fortë të lehta për studiuesin, realisht qenë të vështira, por jo të paarritshme. Disa hulli të saj, bënë që Astriti me hulumtimet e tij, me bagazhin kulturor e shkencor që i rritej dita-ditës, t’i shkelte për herë të parë. Dhe në këtë zbrazëti, fjala dhe konkluzioni i Astrit Bishqemit mbante aromën e një shkencëtari serioz. Edhe pse sprovat, shpesh ishin të vështira siç e thashë më lart, Astriti fal pikësynimeve të tij të virtytshme, punës voluminoze, i kaloi me sukses. Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj i dha më shumë njohje, hapësirë, emër; më shumë vlera, më shumë evidentim dritësie të kontributeve të shkrimtarëve shqiptarë dhe të huaj. I dha Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj më shumë kujtesë dhe aktualitet. I dha frymëmarrje dhe të nesërme!
Studimet e Prof. as. Dr. Astrit Bishqemit arritën ato maja (dhe ne ndjehemi krenarë) në saje të një pune të begatë që erdhi si rrjedhojë e një mendje të begatë.
5.
Pas viteve ’90, Astrit Bishqemi dimensionon figurën e tij, si në fushën e krijimtarisë letrare (e pasuron me gjini dhe zhanre të reja), dhe me studime të reja e të frytshme. Për vlerat e njëmendta që ka dhënë (sigurisht edhe sot e kësaj dite punon papushim) Astrit Bishqemi i përket tipologjisë dhe formatit të krijuesve bazamentalë të letrave shqipe për fëmijë e të rinj, si të Prof. Bedri Dedjes, Prof. Odhise K. Grillos, Prof. Agim Devës, Dr. Xhevat Sylës, Prend Buzhalës, Anton Nikë Berishës, Ramazan Çadrit, etj. Nga studimet dhe hulumtimet e mia, Profesor Bishqemi, përsa i përket studimeve letrare, ka zgjedhur rrugën e thellimit analitik të proceseve letrare të udhëtimit të librit shqip për fëmijë në kohë dhe hapësirë, fenomeneve, dukurive, zhvillimit, si në rrafshin historik ashtu edhe në atë të kohezionit e të shumanshmërisë të portretit të kësaj letërsie.
Fola më lart për rrugën e zgjedhur, atë të studiuesit. Tani, dua të zgjeroj më tej at’ mendim të nisur. Studimet, tashmë, të botuara të Profesor Astritit flasin për prurje që shtegtimin e kanë drejt enciklopedive madhore. Për të arritur deri këtu, strudiuesit i është dashur të bëjë shumë korrektime të duhura shkencore e metodologjike, në shumë këndvështrime lidhur me procesin zhvillimor të periudhave, tablove, udhëkryqeve e stacioneve të kësaj letërsie, që në të shumtën e rasteve paraqitja e prezantimi i saj mbetej kryesisht në kuadrin dhe në aspektin pedagogjik, të një rrumbullaksimi të problemeve nën pushtetin e metodës së realizmit socialist, që jo rrallë kanë dëmtuar realitetin e kësaj letërsie. I kanë dhënë një figurim të turbullt. Profesor Astrit Bishqemi me analizat e tij të thelluara shkencore bëri të kundërtën, i qartësoi dhe u dha flatrat e të vërtetave reale dhe shkencore. Dhe për këtë jemi fatlum!
6.
Aktualisht përballë studimeve dhe kritikës letrare të letërsisë për fëmijë dhe të rinj rri vepra e titulluar “Histori e Letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj”[1] me autor Prof. As. Dr. Astrit Bishqemi. Realisht është një vepër madhore, ku autori bën përpjekje maksimale dhe këmbëngul pareshtur të rrok gjithë hapësirën e procesit letrar mbarëshqiptar, zhvillimin e tij shumëplanësh, me paralelet dhe ndërprerjet e tij, duke evidentuar e përqasur dukuri e fenomene, në vështrime historiko-teorike (diakroni-sinkroni), shumështresore, me shtjellime sa problemore aq dhe analitike. Parakalojnë, në faqet e këtij libri shumëhapsinor, nga më të rrallët e këtij lloji në historinë e shkencës letrare shqiptare për fëmijë: epoka, periudha, profile autorësh e profile veprash, zhvillime gjinish e zhanresh me problemet e fenomenet e tyre, me bartje e përcjellje vlerash të para sa në kontekste historike gjurmëlënëse aq edhe në rrafshe multifunksionale me dallueshmëri në profilin e tekstit e në thellësinë e nëntekstit, me analiza për vepra të veçanta e të grupuara si krijimtari të autorëve si brez, trajtesa teorike, krahasuese e përqasëse me prerje vertikale dhe horizontale, me shfaqje të shumë koncepteve e nocioneve letrare, shkencore, pedagogjike e psikologjike, me ballafaqime konkrete, të dukshme e bindëse ku është e “prekshme” fjala e studiuesve, kritikëve, recensionistëve… etj. etj., ku parësore është ruajtja e statusit të vlerave artistike të vërteta, dhe këto të vërteta janë arritur dhe mbi bazën e një bibliografie model, ku në të shumtën e rasteve është dhe shterruese.
Përmendëm këtë vepër të bashkëshoqëruar me një spektër vlerash të rëndësishme të thëna, sigurisht, në mënyrë substanciale. Për këtë vepër kërkohen analiza më të thelluara, veçanërisht për të parë se sa “dritë” a “rreze” kanë lëshuar përmes gjykimit e vlerësimit studimet dhe kritika letrare për fëmijë e të rinj. Autori në këtë pikë është sa i kujdesshëm aq dhe i saktë. E njeh këtë pasuri vlerësimi me gjithë ngritjet dhe uljet e saj. Si kërkues i palodhur e durimtar e ka sjellë të plotë. Për analiza e konkluzione të mëtejshme, më të thelluara, në raport me kohën bashkudhëtare, tani e kanë fjalën studiuesit- magjistarët e fjalës dhe të vlerave mbresëlënëse.
Gjatë “bisedës” me “Historinë e Letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj” të autorit Astrit Bishqemi, bisedë që ende vazhdon…, ky libër më thotë pa hezitim se Letërsia për fëmijë e të rinj, tani, është pajisur me një PASAPORTË, ku ka të ligjëruar e të rrëfyer historinë, ekzistencën, panteonin, vetëdijen, jetesën dhe identitetin e letrave shqipe për fëmijë e të rinj, e letrave ku shpirti e ardhmëria flasin shqip.
Për vlerat e këtij libri madhor, Profesor Bedri Dedja ndalet dhe evidenton edhe këto momente meritore:
*Teksti “Historia e Letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj” është fryt i një pune të rëndë studimore, që arrin, për analizën e objektit, gati-gati në përmasa shterruese. *Është për t’u vlerësuar vështrimi i letërsisë shqiptare për fëmijë, si një proces unik në Shqipëri, Kosovë, në trevat e tjera shqiptare të Ballkanit si dhe në diasporë. *Autori është mbështetur në një bibliografi shumë të pasur. Janë plot 1543 burime bibliografike. *Për herë të parë në studimet tona historike-letrare, paraqitet një tablo e plotë me karakter sistemor për zhvillimin e letërsisë shqiptare për fëmijë që nga burimet e saj e gjer në ditët tona. *Si punë origjinale që kryhet për herë të parë, janë vëzhgimet për disa pamje historike të kësaj letërsie në vitet ’30 e pas luftës. *Ka mjaft interpretime për autorë kryesorë e dytësorë pas Luftës së Dytë botërore, për të cilët ky autor e thotë fjalën e vet pas një studimi e analize skrupuloze. *Një meritë tjetër është ndriçimi me përkushtim i zhvillimit të letërsisë për fëmijë të viteve ’90, gjatë tranzicionit demokratik që bëhet për herë të parë kaq gjerësisht, si dhe dukurive të kësaj letërsie në diasporë. *Vëzhgimet për Eftimiun, Relën, Kacorrin, Arnautin, Jorgjin e Sheqirin janë pa dyshim, në një pikëpamje një befasi. *Autori (A. Bishqemi, nënvizimi im Xh. B) ka edhe meritën tjetër se i ka kujtuar të gjithë ata që kanë shkruar për fëmijë në gjuhën shqipe, të njohur e të panjohur, parësorë, dytësorë dhe tretësirë.[2]
7.
Pjesë përbërëse e portretit studimor të Astrit Bishqemit është dhe Fjalori enciklopedik “Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj (1886-2009). Me të drejtë poeti Milianov Kallupi thotë: “Dhe ky “Leksikon” ka ardhur në mënyrë të natyrshme si rrjedhojë e një pune studimore e hulumtuese të mëparshme, të kujdesshme dhe të përgjegjshme. Kujtoni këtu se janë nëntë vepra të këtij karakteri. Siç shihet, shkallët janë ngjitur gradualisht me më vëmendje e sy të veçantë që e kanë çuar autorin në majën e vlerësimeve e të suksesit. Në këtë tempull të shenjtë banon Astrit Bishqemi, ndër më të rrallët autorë e studiues të letërsisë për fëmijë e të rinj, ku e bashkëshoqërojnë autorë të tillë, si: Prof. Bedri Dededja, Prof. Odhise Grillo, Dr. Agim Deva, Dr. Xhevat Syla, Bardhosh Gaçe, Nehas Sopaj, Milaim Nelaj, Prend Buzhala, Ramazan Çadri, Faik Shkodra, Fejzi Bojku, Hasan Hasani, Shukrije Rama, e ndonjë tjetër.”[3]
Për vlerat e mëtejshme të këtij Fjalori enciklopedik Dr. Xhevat Syla ndalet dhe evidenton edhe këto momente meritore: “Vjen, pra, si rezultat i një pune të përkushtuar dhe mjaft të gjatë të autorit, i cili duke u marrë me aq shumë vepra dhe me aq shumë autorë gjatë punës së tij studimore, ndjeu nevojën të përgatisë edhe një botim të këtillë, në të cilin do të rendit emrat e të gjithë atyre që u morën me krijimtari letrare shqipe për fëmijë, apo të cilët u morën me trajtimin e këtyre veprave, si studiues apo kritikë. Prandaj, siç e thekson edhe vetë autori, këtë vepër e ka lindur puna e tij në veprat e tjera, sidomos puna në shkrimin e historisë së letërsisë shqiptare për fëmijë. … Leksikoni “Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj 1886 – 2009” ka vlerën e tij më të madhe për sigurimin e informacioneve të duhura në radhë të parë për shkrimtarët, për studiuesit, por edhe për studentët, nxënësit dhe mësimdhënësit e letërsisë shqipe në shkolla e fakultete.” (Xhevat Syla: Më shumë se mbresa, (Autorë dhe vepra letrare për fëmijë e të rinj), Shtëpia Botuese Libri Shkollor, Prishtinë, 2016; shkrimi: Edhe një vepër me vlerë për letërsinë tonë për fëmijë, f. 281, 282, 283.)
Për vlerat e mëtejshme të këtij Fjalori enciklopedik studiuesja e re Rudina Alimerko ndalet dhe evidenton edhe këto momente meritore: “Një punë tjetër studimore voluminoze dhe serioze paraqitet dhe në leksikonin “Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj” (1886 – 2009), i cili përmban rreth 830 autorë librash artistikë për fëmijë që nga viti 1886 gjer në vitin 2009. Në hyrje të këtij fjalori autori përcakton edhe përparësitë e leksikonit, ku rëndësi marrin: *Botimi i librave për fëmijë e të rinj për çdo autor, duke lënë jashtë botimet për të rriturit, *Pasurimi i leksikonit me shkrimtarët e anatemuar nga Monizmi të cilët nuk janë përmendur në asnjërin prej leksikoneve të mëparshme, *Ndihmesa që kanë dhënë shkrimtarët në pasurimin e bibliotekës së lexuesve të moshave të reja me shqipërime nga letërsia botërore për fëmijë e të rinj, *Për çdo libër është shënuar në kllapa edhe zhanri letrar të cilit i përket: vjersha, poema, përralla, tregime, novelë, roman, pjesë teatrore etj., *Veç zhanrit dhe vitit të botimi, shënohet edhe shtëpia botuese dhe qytetin ku ndodhet ajo, *Veç autorëve për fëmijë, në leksikon janë përfshirë edhe studiuesit kryesorë të kësaj fushe, *Në këtë leksikon rëndësi të veçantë i është kushtuar botimit të parë të secilës vepër, vitit kur libri artistik ka parë dritën e botimit dhe ka qarkulluar. Këtu është patur kujdes edhe në ribotimet e përpunuara, ato me titull të ndryshuar, qofshin këto të bëra nga e njëjta shtëpi botuese ose nga një tjetër.” (Ma Rudina Alimerko: Disertacion “Letërsia për fëmijë” (Nga Rilindja deri në kohët e sotme), Për mbrojtjen e gradës “Doktor i Shkencave” në letërsinë shqipe; shkrimi: 5.12 Astrit Bishqemi – studiuesi, romancieri dhe prozatori fantastiko – shkencor, f. 173.)
8.
Vepra më e re e Prof. as. Dr. Astrit Bishqemit, e sapo dalë në qarkullim, titullohet: “Bibliografi e kritikës letrare për fëmijë e të rinj ndër vite” (Fjalor enciklopedik, 2017). Libri në fjalë ka 726 faqe. Po i referohemi një fragmenti të Parafjalës së autorit, për të kuptuar rrugën e mundimshme të kërkimit dhe hulumtimit siç është në këtë fushë: “Punën time hulumtuese e vazhdova duke rrëmuar edhe në përmbledhje me shkrime kritike të letërsisë për fëmijë e të rinj, që filluan të botohen të shpeshta pas vitit ’90 të shekullit të kaluar, si dhe në libra artistikë për fëmijë, origjinalë apo të shqipëruar (për t’u marrë me parathëniet e pasthëniet e tyre), si dhe me seritë bibliografike të periodikut shqip (retrospektive e të kohës), botuar nga Biblioteka Kombëtare Tiranë. Dhe ja, sot numri i këtyre njësive bibliografike të kritikës së letërsisë për fëmijë e të rinj që po ju paraqesim këtu, sillet rreth shifrës 6600 (kuptohet, numri real i tyre është edhe më i madh. Pra, nuk mund të pretendoj kurrësesi që kjo Bibliografi është shteruese. Megjithatë, edhe kështu, mendoj se është një kontribut, një ndihmesë modeste.”
Duke e qëmtuar me kujdes e vëmendje çdo faqe të këtij Fjalori madhor e të vetëm, ndiej atë qëmtim prej studiuesi që autori Bishqemi e bëri papushim vite e dekada me radhë. Në hapësirat e tij shtegtojnë informacione pafund për veprat, shkrimtarinë, a mendimet, a analizat për vlerat dhe domethënien e librave si përçues të mesazheve dreujt zemrave dhe shpirtrave të fëmijëve, për t’ua botën e tyre më të bukur, më të hijshme e më ëndërrimtare. Në këto hapësira të pafund, është i vizatuar portreti i këtij Fjalori në këtë mënyrë: *Parafjalë, *1.Pjesa e parë: Libri, *A. Libri, tërësisht përkushtuar kritikës letrare për fëmijë e të rinj, *B. Libri, pjesërisht përkushtuar kritikës letrare për fëmijë e të rinj, *II Pjesa e dytë: *Artikuj të periodikut shqip, parathënie e pasthënie librash, bibliografi e intervista autorësh për fëmijë, recensione, etj., *Kronologji e librave që u kushtohen tërësisht studimeve e kritikës së letërsisë për fëmijë e të rinj, *Lënda e shfrytëzuar, *Treguesi i autorëve të veprave dhe punimeve të kritikës, *Treguesi i autorëve dhe veprave për të cilët bëhet fjalë, *Treguesi i autorëve botërorë për të cilët bëhet fjalë.
9.
Letërsia shqipe për fëmijë e të rinj para viteve ’90 e pati një udhëtim, një zhvillim dhe një problematikë në raport me kohën ekzistuese, ku në bërthamën e saj gjallonte dhe nuk vyshkej asnjëherë metoda e realizmit socialist. Është një periudhë afro pesë dekadash, me studime dhe kritikë letrare të kornizuar, shtampuese, jo efiçente dhe aspak me optikë përspektive. Padashur të marr përsipër për të shqyrtuar problematikën e shumë fenomeneve letrare që u shfaqën në letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj në realitetin historik para viteve ‘90-të, shumë përgjigje, shumë konkluzione, shumë analiza të vërteta në raport me veprën a veprat e shkrimtarit, zhvillimet dhe zik-zaket e gjinive dhe zhanreve letrare në udhëtimin e tyre, etj., do t’i gjeni në opusin studimor të Prof. as. Dr. Astrit Bishqemit. Meritë dhe nderim!
Letërsia shqipe për fëmijë e të rinj pas viteve ’90 e nisi një udhëtim, një zhvillim dhe një problematikë të re në raport me kohën e një sistemi të ri. Paraqitet një peizazh i ri letrar, vizione të reja dhe problematika që kanë nevojë të studiohen. Ndoshta, nga të vetmit që këtë atmosferë të re e ndjek hap pas hapi Prof. as. Dr. Astrit Bishqemi. Studimet e tij, si në planin krahasimtar, historiografik e metodologjik paraqesin piketa të reja, vështrime të reja me një frymëmarrje më të gjerë gjeografike. Meritë dhe nderim!
Duke iu kthyer edhe një herë opusit studimor të Prof. as. Dr. Astrit Bishqemit, më lejoni të cek vetëm një problem që është i dukshëm faqe më faqe gjatë analizave të imëta të tij. Po të doni e merrni si metaforë, po të doni e merrni si nocion real; gjithsesi si metafora, si realja kanë të përbashkët dimensionin e vlerës së njëmendtë që don të thotë: Çdo vepër që e mori në duar studiuesi Bishqemi, gjatë kuvendimit me të e bëri të lërë gjurmë. Dhe kjo nuk është pak, është sfidë.
Më vjen në mendje një intervistë e studiuesit Bishqemi, para ca vitesh, që thotë: Ju rrëfej sfidat e reja, me të cilat po përballet letërsia shqipe për fëmijë. Tani unë po shtoj: Një jetë e tërë (e cila sigurisht vazhdon) e Astritit, me plot sfida në shërbim të letërsisë së fëmijëve, sfida që i ka fituar! Siç duket, duke parë edhe profilin e tij poliedrik, mendoj që, edhe sfidën studiuesi Astrit Bishqemi e kthen në monument dashurie e fisnikërie, monument në emër të fëmijëve, në emër të fëmijërisë së tyre, që kur të rriten kanë se çfarë të tregojnë për librin, ndoshta përmbajtjen, ndoshta personazhet, ndoshta ngjarjet; por me këmbënguljen, dëshirën dhe fantazinë e tyre do të flasin për vlerat e paçmuara të librit si mik i ditur, i urtë dhe rrëfimtar i botës… Dhe… nga shekujt vjen kjo urtësi e A. Hercen, i cili na thotë: “Libri është testament shpirtëror që një brez i lë një tjetri, këshillat e një zemre që po venitet një zemreje të re… E tërë jeta e njerëzimit është shprehur në librat; fiset, njerëzit dhe shtetet janë zhdukur, por libri ka mbetur. Ai është programi i së ardhmes. Le të hyjmë me nderim në këtë tempull.”
Shkodër, shtator 2018
[1] Bishqemi. Prof. As. Dr. Astrit; “Histori e Letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj”, Botimi i parë – 2001, Botimi i dytë – 2004, Botimi i tretë (i ripunuar) – 2008. (Botimi i fundit mban emrin e Shtëpisë Botuese “dy Lindje dhe dy Perëndime”)
[2] Dedja, Prof. Bedri, akademik: “Historia e Letërsisë shqiptare për fëmijë”, gazeta “Mësuesi”, 03.10.2001
*po aty (dëshmi për rrugën historike të sektorit kërkimor-shkencor të letërsisë për fëmijë) Pas krijimit të Akademisë së Shkencave, në vitin 1973 arritëm të krijojmë të parin sektor të kërkimor-shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Për afër dy vjet megjithëse me një bërthamë tejet minimale, ky sector arriti të organizojë dy simpoziume mbarëkombëtare për problemet e letërsisë për fëmijë, në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (1974, 1975). Sektori organizoi edhe realizimin e studimeve të para të karakterit monografik (B. Dedja, H. Boriçi, S. Jakova). U përpunua, njëkohësisht edhe platformë për hartimin e veprës “Historia dhe teoria e letërsisë shqiptare për fëmijë”, e cila do të shkruhej nga një grup autorësh. Po fushata e re e luftës kundër burokratizmit në administrate, nga maji i 1975, çuditërisht “u tregua trime”, duke ia prerë kokën vetëm këtij sektori. Kështu, u shua ëndrra fisnike për hartimin e veprës shkencore në fjalë, pas vitit 1975. Dhe kjo dëshirë fjeti gjumë të thellë, gati dy dekada.
[3] Kallupi, Milianov: Një fjalor enciklopedik mbi shkrimtarët shqiptarë për fëmijë e të rinj, Gazeta Shqiptare 29.11. 2009.
Komentet