Një lajm shumë i dhimbshëm u përhap nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), për ndarjen papritmas nga nga jeta, të arsimtarit e punonjësit të kulturës, studiuesit e krijuesit Avdyl Sulaj, lindur në fshatin Begaj të këtij rrethi. Pas mbarimit të studimeve të larta, ai shërbeu me devotshmëri, mësues në disa shkolla dhe drejtor i bibliotekës së qytetit “Bajram Curri”. Krahas kësaj, u mor me krijimtari artistike, në poezi e prozë dhe me studime në fushat e gjuhësisë, folklorit e traditave propullore. Përveç botimeve të shumta në shtyp e në revista shkencore, ka publikuar 8 libra, pa përmendur ata në dorëshkrim. Për disa vite ishte kryeredaktor i gazetës së krahinës, “Shkëlzeni” dhe më pas, “Rrezja e Shkëlzenit”.
Me këtë rast, u shprehim ngushëllimet tona familjarëve e të afërmve, kolegëve, miqëve dhe dashëmirësve të shumtë të tij, duke qenë të bindur se ai do të ruhet i pashlyer në kujtesën e gjithë atyre, që e njohën.
Në nderim e kujtim të tij, po ripublikojmë një shkrim, që flet për përurimin e librit, “Larushia e fjalës në gojën e popullit”, organizuar një vit më parë në kryeqytetin tonë.
Tiranë, 21 prill 2016
1.
Siç është e njohur, njerëzit e shprehin në mënyra të ndryshme dashurinë për vendlindjen. Ndër format e njohura janë ato, që përdorin poetët e shkrimtarët, artistët e studiuesit e fushave të ndyshme. Dikush thurë poezi dhe, me ndjenjat e pastra të shpirtit të tij, i drejtohet asaj me fjalët më të zgjedhura. Një tjetër shkruan tregime, novela ose romane, me subjekt historinë ose traditat e çmuara të vendlindjes. Por ka edhe nga ata që, të frymëzar nga bukuritë e natyrës dhe pasuritë e shpirtit të popullit të vendlindjes, këndojnë ose luajnë valle karakteristike, vizatojnë ose pikturojnë etj.
Ndoshta, nuk do t’i kisha shprehur këto mendime këtu, po të mos kisha parasysh një koleg e mik të caktuar, bashkëkrahinës nga Malësia e Gjakovës (Tropoja). Ai është pikërisht mësuesi, bibliotekisti, poeti e studiuesi i njohur i atyre trevave, me tradita të shumta atdhetare, shpirtërore, kulturore e gjuhësore, Avdyl Sulaj. I frymëzuar nga këto tradita e të tjera dhe bukuritë e rralla të vendlindjes, ndjenjat e tij për të, ai i shprehu edhe në vargje të bukura. Kështu, poezitë e krijuara i mblodhi në vëllimin me titullin “Kristale alpine”(Tiranë, 2006). Nuk do të bëj ndonjë koment rreth tyre edhe sepse nuk jam i kësaj fushe. Por po përmendi vetëm vargjet e një poezie të tij: “Sot e dashur, për Shën Valentin,/ dhuratat do t’i bëj nga peizazhi alpin./Një fustan do ta end në vegjë të erës,/prej fluturzash bore, te Kroni i Verës./ Një ylber do ta mbërrij lart në bjeshkë,/me stofin e tij do të bëj një xhaketë./ Majë Shkëlzenit do të kap një vetëtimë,/ ta bëj fjongo flokësh të artë, vizëllimë./Gjerdan do ta bëj Valbonën shtatkristal,/ mbushur në muzg, yje dhe hënëza argjend e ar… (Nga poezia, “Dhuratë së dashurës, për Shën Valentinin”).
Më herët, duke jetuar e punuar mësues në fshatrat e krahinës së vet dhe bibliotekist e drejtues biblioteke në qytetin “Bajram Curri”, Avdyli nisi të qëmtojë si bleta dhe të mbledhë thesare të çmuara nga pasuria gjuhësore e kulturore e bashkëkrahinësve. Sigurisht, ai që është marrë me një veprimtari të tillë, e di se sa mund e djersë, por dhe aftësi profesionale duhen, që t’ia arrish mirë e plotësisht qëllimit të caktuar. Më në fund, ai arriti që ta përpunonte e sistemonte lëndën e mbledhur dhe ta dërgonte për botim, në një libër të veçantë. Por, para se ta bënte këtë gjë, u këshillua edhe me specialistë të aftë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë në Tiranë, ndër të cilët ishin dhe prof. dr. Hajri Shehu e Pavli Haxhillazi. Librin ai e titulloi “Visare gjuhësore-kulturore nga Malësia e Gjakovës”. Vëllimi i parë i tij, me fjalë të rralla e një studim dialektologjik për të folmen e kësaj krahine, u vu në qarkullim në vitin 2000. Në vazhdim të atij libri, e botoi tre vjet më vonë vëllimin e dytë të tij me shprehje frazeologjike.
Populli e ka shprehur bukur me fjalët: “Oreksi vjen, duke ngrënë…”. Kështu edhe ky studiues i pasionuar nuk i ndërpreu kërkimet as punën studimore, sidomos në fushën e njohjes, studimit dhe botimit të pasurive gjuhësore të krahinës. Ndër të tjerët, kishte shembull për ta ndjekur, të ndjerin prof. dr. Xheladin Gosturanin, tashmë i njohur për kërkimet, studimet e botimet dialektologjike të së folmes së Malësisë së Gjakovës(Tropojës). Të mbledhura nga goja e gjallë e popullit, por dhe duke qëmtuar më herët, Avdyli arriti të publikojë 15 mijë fjalë e kuptime të reja fjalësh, tabu, eufemizma etj., në “Fjalor fjalësh e shprehjesh popullore” (Tiranë, 2009). Botimi tjetër i këtij studiuesi tropojan e ka titullin “Shkrime dhe hulumtime gjuhësore”(Tiranë, 2012), me redaktor prof. dr. Qemal Muratin. Në këtë libër ai trajton çështje të gjuhës letrare standarde, të pastërtisë së shqipes nga fjalët e huaja të panevojshme, të leksikografisë sonë të sotme, për onomastikën e Tropojës etj.
Emrin e A. Sulës e gjejmë shpesh edhe në gazeta e revista dhe në shtypin elektronik, me shkrime rreth çështjeve të ndryshme, aktuale ose të së shkuarës. Kështu, p. sh, po përmendim atikujt me firmën e tij, “Gjuha letrare, proces i hapur në zhvillim”(revista “Perla”, Tiranë, nr. 4, 2004) dhe “Aspekte të origjinalitetit të Eposit Legjendar Shqiptar”(në VOAL, “Zëri i Shqiptarëve, shkurt 2012) etj. Shërbim të çmuar i bën ai vendlindjes edhe përmes drejtimit e botimit të gazetës periodike me emrin domethënës, “Rrezja e Shkëlzenit”.
Libri më i ri i autorit Avdyl Sulaj është “Larushia e fjalës në gojën e popullit” (Tiranë, 2013). Në të, janë përfshirë fjalë të urta, urime e mallkime, betime e lutje, ngushëllime, fjalë të rralla e frazeologjizma. Kryesisht, ky libër ishte shkaku i tubimit, që u organizua këto ditë në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit. Ishin të pranishëm akademikë e profesorë, bashkëkrahinës të autorit, mësues e studiues të fushave albanologjike, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj.
Me tema të përgatitura posaçërisht për punën e përkushtuar dhe, në përgjithësi, për udhën 35-vjeçare kërkimore, studimore e botuese të tij, folën: prof. dr. Gjovalin Shkurtaj-Akademik ass.; prof. dr. Hajri Shehu e prof. dr. Seit Mansaku, dr. Skënder Demaliaj e poeti Hamit Aliaj. Gjithashtu, e përshëndetën dhe e përgëzuan atë, për punën e bërë dhe botimet e deritanishme me tematikë nga vendlindja e vet: dr. Shefqet Hoxha-“Mësues i Popullit”, studiuesi Sali Onuzi e publicisti Petrit Çeliku etj. Me këtë rast, u recituan poezi për bukuritë alpine dhe mësuesi veteran e botuesi, Nuredin Lushaj lexoi një poezi të tij, shkruar posaçërisht për mësuesin, poetin e studiuesin Avdyl Sulaj. Ndërsa vetë ky, në mbyllje të veprimtarisë, i përshëndeti e i falëndëroi nga zemra, si folësit e pjesëmarrësit në këtë tubim dhe të gjithë kolegët e miqtë, të cilët e kanë ndihmuar e kanë bashkëpunuar me të, gjatë kërkimeve, studimeve dhe botimit të librave të tij.
Tiranë, 31 mars 2014
Komentet