(botohet postmortem)
.
Fort i kam
dashtë
dikur nxënësit e mi,
si poeti Lulin.
Ndër
lojnat e tyne
kam marrë pjesë si fëmijë.
Me buzqeshjën e tyne
kam stolis zymtsinë time.
Me hallet e tyne jam ngarkue
mbi supe si hamall
ardhmenis ndër bujtinat tona
valigjet me ia sjell.
Dashunin e çilët
me shpresa të pa
thyeme
në nji ditë ma të mirë,
si bindje e tranafilit
se ngrohtsi e diellit
gonxhet
ia çel,
i kam vu në ballë
plogshtinë, mosbesimin
në ardhmeni me na vra.
Kam pas nji gëzim,
nji shpresë në jetë:
nervat e ezaurueme,
ndjenjat e konsumueme
nepër fjalë zemre,
ndër ngjyra mimike
nëpër trupa filizash
ngadal kanë me u tret.
Kjo qe kur besova
pa asnji dreqni
se ndigjuesit ndër banka
jane nxënësit e mi.
Mesho-mesho Hakate e zbet !
Trimave duerët njollosua me gjak
sa mos të munden me zbrasps
kundër rrymës së tij.
Dinakve model jepu Glaukun,
koprracve Gopsekun,
hipokritve Tartufin,
intrigantve Jagon,
vëllavrasëve Kainin
me dorzat e stinës.
Burrat le të mbyllen
ndër kullat mesjetare,
jo, le të marrin kazmën
me nxjerr kërcuna,
gojës me i vu tegel
melankolikët mund
të shkojnë në çmendinë,
intelegjentët lejohet
me e vra vehten.
Besnikve Jagua
vidat ua zbërthen.
Ku me e gjet njeriun,
ku o Diogjen!
Guximtarët le të
maten
me peshën e prangave,
me ftohtësi të qelive,
me lagshti të galerive.
Nga zemrat tona
asht larg ndergjegje e lirë
sa dielli i gushtit
në të akulltën Antarktidë.
Palaçot le të përplasin
për vramsit „çlirimtarë“
shuplakat rrugëve,
jehonë e zemrave të coptueme.
Le të zgërdhihen majmunët,
le të përkulen servilët,
le të lehin zagarët,
le të kënaqen gjuetarët
me gjak zvarranikësh.
Saçmet e qiftes
s‘i arrijnë naltsitë
e fluturimit të shqipes.
.
Rrëshen-Mirditë, 1974