Në një datë si kjo (15 Maj) të vitit të largët 1936, ke ardh në jetë Ti fisniku ynë, për ta bërë këtë datë shumë të rëndësishme për gjithë familjen Gosalci.
Mbetur jetim qysh në fëmijëri, (kur kish pas ndrru jetë babgjyshi Hasani, nga plagët e marra nga milicia e kohës së rankoviqit), u rrite veç me nanën Hatixhe(gjyshja jonë, që
ishte grua e rrallë, dhe vëllezërit Hysenin, Ahmetin e Sylejmanin dhe motrën Ramizen), muhaxhetë me mbiemër të origjinës Ajeti) ardhë nga Toplica në një katun me emrin Gosalcë në Komunën e Prishtinës. Ditëlindjen s’e pate festu kurrë, ndërkohë që po krijoje shumë ditëlindje.
Sot po të shkruaj nga një distancë kohore dhe nga kjo botë e rrejshme, që fundja është veç një lodër në duart e vdekjes.
Jo veç si prind por Ti Bac, na bëre shokë gjithë fëmijëve(dhjetë sa jemi) qysh në fëmijëri. Ti pate dashni të pamatun për ne, pate virtyte të larta prej Njeriu, dhe pate një kod të veçantë që të dallonte.
I ashpër e i butë, i rrept e i urtë, na doje ashtu në distancë se koha kur jetove kishte tjera rregulla jete.
Kishe në qenjën Tënde diçka Hyjnore, Qetësia jote Bac, kam përshtypjen e qetësonte një pjesë bukur të madhe të botës, asaj tonës dhe atyre që të njohën. Ishe në harmoni me njerëzit, me jetën , me idealet, me ëndrrat, me natyrën. Bac, ti rrallë flisje, ishe i matur e i kthjellët, ishe i pakompromis në drejtësinë tënde i bindur në drejtësi të Zotit, por fjalës kurr s’i re mas. Qetësia edukata, kultura dhe maturia Jote për ata që nuk të njihnin ishte disi e frikshme. Nuk duhej shumë kohë për të të njohur, mjaftonte një takim, kush ka ndejt njëherë me ty, e ka zor me të harru!
E ne që të kishim në shtëpi ishim të bekuar nga Zoti, ishe Zoti ynë i kësaj bote. Një shok i asaj kohe që të takoj se ne i kishim ftuar në shtëpi disa shokë për organizimin e Lëvizjes Ilegale dhe Baci i priti në mënyrën e Tij unike, (sepse rrallë kush nga vajzat ka guxu me i ftu shokët në shtëpi, gjë që ndodh edhe sot), shoku ( Fadil Islami), i çuditur nga pritja e Bacit më tha, Shefqete po të lakmoj çfar babe paske, sikur ta kisha edhe unë babë. Zot, si munde të jeshë aq i denjë, besnik e fisnik, nga gjithfarë dhimbjesh vuajtjesh e peripecishë që kishe kaluar në jetë?
Edhe dy operime që pate në jetë shej nuk ta lan, Ti vazhdove njësoj jetën prej asketi si të ishe sportist. Edhe mjekët që të patën operu Dr. Gazmend Zajmin dhe më vonë Dr. Masar Gashi i pate impresionu me forcën që ke manifestu, dhe herën e dytë kur u operove në zemër vetëm unë e kam përcjell operimin Tënd nga një dritare e vogël ku lejohej, (Gafi ishte aty me mua, po nuk mujke me kqyr, e pastaj mjekët të ftonin herë pas here t’u ipje kurajo e vullnet pacientëve që kishin mu operu. Gjithmonë rrezikove, shkove.
Ato si duket, veç të kalitën e të forcuan, krijuan në Ty një legurë dashnish, focash, dhimbjesh e sakrificash, si një ylber jete.
Të rralla i pate gëzimet, por gëzoheshe edhe me gjëra të vogla e të përditshme, jo vetëm për ne, por i gëzoheshe sukseseve të çdo shqiptari, kudo.
Na edukove me dashni e disciplinë, na besove shumë duke na parë në sy jo si fëmijë por si shokë, edhe kur gabuam na qortove butë e na udhëzove.
Na thoje, sillnu mirë e m’soni mirë për me u ba dikushi, se unë s’kam mujt mu shkollu e zhig më ka met. Kur ktheheshe nga puna je vetëm ne por gjithë fëmijët e mahallës të prisnim te cepi i rrugës sepse ti gjithmonë duart i kishe plot me bombona (asi me lara, karramela e çokollata, dhe na i jepje të gjithëve).
Të gjithë fëmijët të hidhedhin krahëve. E kur të pat vdek një shok (Azizi), e i la fëmijët jetim Ti kurr ma s’ke ardh me qese në duar, na thojshe jo se lakmojnë f’mija por aq sa ke pas mundësi ju ke ndihmu gjithmonë.
Djalin e axhës Xhevdetin(ndjesë pastë), të gjithë e kemi dashtë e nderu, por vetëm Ti, motra Kumrija dhe kunata Sanija e keni trajtu e jeni kujdes me shpirt. Ku ke njoft jetima me aq sa ke pas mundësi ke dit mi g’zu e vet u g’zojshe ma shumë!
Raportin tim me Ty Bac nuk gjej shprehje me përshkru, disi m’ke admiru e t’kam adhuru!
Ti ishe një Zot në vetvete!
Pate Ideale të larta kombëtare të cilat na i injektove me kohë e na edukove ta duam familjen, Atdheun e Kombin.
Na thoje:
Rrugës së Zotit dhe të Kombit as mos ju tutni, as mos ju ndani!
28 Nëntorin e festojshim gjithmonë me të gjithë axhallarët dhe fëmijët e tyre, mblidheshim e recitojshim vjersha me za të naltë për flamurin e për Shqipninë!
Në vitet e ’80 e vure mbi shtēpi antenën me një gyp 10 metra të gjatë (se shtëpinë e kishim në lug), për me mujt me përcjall TV Tiranën dhe Radio Kukësin, kurr nuk pritove me hyp me rrotullu atë (satelit) me orë të tana edhe në shi e acar).
Gjithmonë BESOVE!
I deshte si askush në jetë Nanën Hatixhe, dhe vëllezërit e motrat, hallat, dajtë, kusheritë e farefisin e gjerë e miqtë, dajtë e Tu dhe dajtë e tonë, shpesh i mblodhe bashke në ato ndejat e kandshme ku të gjithë flisnin fjalë të mira e me rend dhe e shikonin e dëgjonin me vëmendje njëri- tjetrin. Kush ma shumë se Ti Bac s’ka dit mi dasht vllaznit, i ftoje ose shkoje përdit te ta, i doje shumë hallat, dadën Ramize e dadën Minë, i nderoje i merrje shpesh e na mësove edhe ne ti duam, edhe ato na donin fort, gjithmonë motra i thirrshe. Askush si Ti Bac nuk gëzohej më shumë për mysafirët që na vinin në konak, e ishin shumë (paçin ku me ardh gjithmonë). Dhandrrin e madh (Ismet Fazliun-piktor dhe i përndjekun pilitik) e pate edhe shok edhe kolegë pune edhe dost. I doje, i respektoje e nderoje mysafirët, ke ditur gjithmonë ti prisje me fisnikëri e bujari edhe muhabete ke pas shumë.
Më kujtohet viteve të fundit kur të vinin dajtë gëzoheshe bash si fëmijë, të qeshnin sytë.
E kur vinte motra e madhe Nexhmija me fëmijë Ti ju thojshe veq kulmin e shpis mos e rrotulloni, dhe u’a ke pas plotësu krejt dëshirat, më kujtohet asokohe ju marojshe lodra të drunit e fyej, e atëherë kemi mbajt dhi e edha, edhe Besnikut ja pate pru edhat te shporeti në sallon se thojshe ani le të lun djali se po ftofet tu nejt te edhat, e shpesh ju ke ble klysh kur ata kan dasht me lujt me ta, se edhe vet qenin e Sharrit (pastorin ilir) e ke pas mbajt gjithmonë, edhe knojsit e mirë poashtu.
Pas lufte një shok imi nga Restelica t’a pat pru dhuratë një klysh të sharrit.
Ujin e kemi pas me motor nga bunari i shpisë kur s’ka pas ujsjellës e nana Gjyla gjithmonë ka bajt uj vet e nuk na ka lanë me shku te bunari. E saherë ngrihej uji nga temperaturat e ulta e bunarin e mbulonte akulli, Baci hynte në bunarë mespërmes akullit si në ndonjë zgafellë të bardhë, dhe e nxirrte motorin nga bunari e rregullonte dhe e kthente në vend.
Duhanin e pinte të sertë, e rrallë herë ka fol sertë.
Punës si thot një fjalë e popullit ja ke rrotullu tokën, e doje shumë tokën dhe e punoje me aq zell e dashuri dhe e rrotulloje si të ishte hallve.
Aq shumë pemë e perime ke mbjell sa furnizoheshim jo veç familja por çdo kush që na vinte musafirë nuk e lëshoje duarthatë. Dimrit dy dhoma i mbushnim me pemë që vet i rendittshe e shpis tonë gjithmonë era mollë i ka ardh. Ke dhanë me duart Tua më shumë se që ke pas.
Ti zemrën e jepje me dy duart.
Më kujtohen festat e Ramazanit kur si familje e madhe që jemi rrinim zgjuar deri në syfyr e prisnim me g’zim ceremoninë e sofrës, e çajit, ndërsa Ti Bac mbaje ndezur zjarrin e konakut, ëmbëlsinë e muhabetit, i rrethuar me nipa e mbesa, që nuk flenin nga meraku për tu zgjuar në syfyr, Ti Bac, ju premtoje dhe i zgjoje vet nga gjumi Besnikun, Gzimin, Albanin, Bardhën, Kaltrinën, Kastriotin, Deën, Elsën,
ndërsa Iridën (më të voglën mbesë që e deshte aq shumë) e mbaje në gjoks edhepse e kishe aparatin (pejsmejker)në zemër. Duhanin e çajin nuk i le asnjëherë.
Neve që gatuanim Kumrisë , Sanisë e mua na falënderoje gjithmonë, thojshe ëdhtë sevap, ndërsa Shyhretja, Hanifja e Burbuqja t’kan pas nejt gati me ceremoninë e çajit se e ke pi qysh thot populli me taraqellëk. Bukën e specat e djegs gjithmonë i ke marr prej shpis.
Bajramave gzoheshe shumë kur vinin gjithe farefisi me naj uru Bajramin,(ka ndodh deri në 100 mysafir me ardh në ditë Bajrami).
G’zoheshim edhe ne edhe ata, mbushej sh’pia e oborri me musafir, plot biseda të omla, të mdhajt rrishim bashkë e fmijët e “kallshin” oborrin me piskama gzimesh!
E mëngjeseve e mbramjeve kur ktheheshe nga puna shpesh piqje kunguj e vidima, ja patate e shtalba. Vidimat shpesh rriteshin aq shumë sa si nxinte vrima e tavanit sa ishim në shpi të vjetër.
Me u tut s’ke dit kurrë, as kurr syni vërr s’tka ba, as atëherë kur na vinin milicia në pikë natë për kontrolla rutinore.
Kur të pat vet një milic gjatë kontrollës ku e ke pushken Ti Bac pa t’u tremb syni i the e kam lan në kazernën e Manastirit kur e kam kry ushtrinë.
I paepur në çdo betejë të jetës, edhe jetën e sfidove jo rrallë, çuditërisht me forcë të rrallë morale e fizike. Punove shumë (me tri ndërrime, e fjete aq pak), dhe kur ktheheshe nga puna, vazhdoje punën në bashqe me aq pasion e dashuri, e krijove për ne një parajsë të vogël me duart Tua, që edhe sot kush e shef e ka lakmi.
I deshte shumë fëmijët dhe gjithë fëmijët e lagjës në atë kohë luanin vetëm në oborrin tonë, sepse Ti Bac i lejoje, edhe kur e shkelnin ndonjë lule a spec a domate, nuk i qortoje, aty vinin e luanin edhe fëmijët e krejt bijave të mahallës, Ti ju jepje pemë e perime e nana Gjyla kujdesej që mos të binin në bunarë apo të mos nguceshin mes vete. E dinin që janë në oborr të bacit Smajl, dhe aty ndiheshin të sigurtë dhe të lumtur.
Si familje përjetuam kriza të m’dha si nga përndjekjet e regjimit serb, ashtu edhe materjale, por Ti nuk u trembe as nuk u dorëzove asnjëherë.
Më kujtohet viti 1989, një vit i vështirë për Kosovën ashtu edhe për ne, kur në familje ishim 3 student e 7 nxënës, (një shkollë në minjaturë)dhe Ti Bac e lëshove ndër të parët punën në Kishnicë me (3 shtator 1990), dhe na the mos u tutni, ka me kalu edhe kjo krizë, edhe pse nuk kishim të ardhura tjera.
E kaluam!
Atëherë na ndihmoi familja e Sadri Kokalarit nga Gostivari, të cilës edhe sot i jemi mirënjëhëse dhe falënderuese.
Pastaj doli Gafi (vëllau i madh) në kurbet e ne më nuk e ndim krizën po Ai u ba kurban i familjes dhe mori përsipër mbrojtjen e familjes për shumë vite, më kujtohet s’kishim tel në shpi e shpesh shkojshim te Rrushja (vajza e axhes Hysen- Cenit qysh e kemi thirr), me fol ne tel me Gafin, e kur e morëm tel e shpis (kabllorin), Baci nga malli e mërzia dy vjet s’ka mujt me fol me Gafin, thojke po më dahet fryma kur po ja nij zanin…
Fatkeqësishtë asaj rruge për kurbet i përcollëm dhe tri breza!
Pastaj doli edhe Muhameti
Muharremi e Mentori, e zemra copa na u ba, edhe, qysh ateherë, njësoj kontribojnë për familje edhe sot.
Lutemi për Ta!
Viteve të ’90 -ta ne si nxënës dhe të rinjë nuk kishim mundësi argëtimi sepse ato vite u shoqëruan me kriza të m’dha politike dhe TI Bac gjete një mënyrë të na mblidhje ne fëmijëve dhe gjithë fëmijët e mahallës në Lagjen e Spitalit dhe në shtëpinë tonë organizonim shpesh ato mbrëmjet rinore që quheshin zhurka, dhe i vetmi Ti Bac nga gjithë burrat e lagjës (disa edhe intelektual), rrije me ne (shpesh i preje edhe nga 10 pula, në pikë të natës, e i ripje vet në tem. minus 20 gradë, dhe na i sillje të gatshme), shpeshherë edhe ke vallëzu me ne, vetëm që ne të mos ndjenim “çizmen” e kohës.
Kur unë dhe Shyhretja filluam të këndonim na përkrahe, edhe pse buzën n’gaz na the se unë as me fishllu s’kam ditë, po ju sigurishtë ju paski ngja kusherinave të mia Haves e Rahimes, të cilat në rininë e tyre edhe pse kishin pas talent këngën familjet e tyre nuk i kishin lejuar të këndojnë, veç TI Bac i kishe pas përkrahë dhe në një rast na tregoje kur ju kishe ndihmuar (në Marec kuptohet, të hyjnë të këndojnë në një bunarë ku s’kishte dal uji), dhe ato gjithmonë e kan përmend.
Ishe aq demokrat e liberal!
Kur unë dhe Shyhretja filluam veprimtarinë ilegale Ti Bac na besove, na udhëzove e , na i prite e përcolle me vite shokët e idealit, i trajtove si të ishin bijt e Tu. U thoje atyre, ju djem që jeni të ndjekur prej shkaut derën qelë e keni edhe në pikë të natës, ashtu edhe ndodhi, ata vinin shpesh si në shpinë e tyre.
Kur po e qëndisja flamurin kombëtarë në shpi, gjetë tetorit 1998, Ti Bac rrije zgjuar bashkë me mua deri në mëngjes dhe gjitha uniformat e UÇK- së që unë dhe Bahtije Berisha i kemi qepur në shpinë tonë, Ti Bac i preje me gërshanë të m’dha dhe ashtu në heshtje të kam pas pa t’u i përqafu. U gzove shumë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që ne e kishim në shpi ende pa dal publikisht. Që ne u bëm ushtare Bac, Ti ishe shkaku dhe Komandanti ynë i heshtur.
Kur vinin shokët e idealit sidomos Shashivar Makolli -Qali dhe Baca Adem Demaçi(ndjesë paçin), mëngjesi i çelte zgjuar.
Më kujtojet një rast kur erdhën shumë musafirë disa edhe nuk i njihnim mirë e njëri prej tyre kishte qenë me LDK- në dhe ishte ajo periudha e përçarjeve politike të ashtuquajtura krahu i luftës, krahu i paqes, dhe ai foli shlirë në konakun tonë, kundër UÇK-së (jo pse ishte kundër por ishte i fiksuar pas LDK-së), dhe Baci, i ngushtuar dhe në shpi t’vet pa një pa dy veq ja kallxoj derën…
Shokët e shoqet tona të idealit që Ti Bac i ushqeve, i prite e përcolle me vite, kurrë pas luftës nuk të vizituan, as Ty as ne, e Ti aq fort i deshte. Disa t’patën ardh n’vorrim!
Disa u flijuan për liri, disa “fluturuan” pas posteve politike, disa u tjetërsuan, disave ju ranë maskat, disa edhe kan vdekur, e disa janë edhe sot nëpër burgje!
I fale!
Gjatë luftës në
shpinë tonë me katër dhoma dhe një sallon Ti Bac mbete vetëm dhe kishe pas strehu aty gjysmën e mahallës, i ke ushqy dhe u ke mbajt motivin për jetë në ato ditë tmerri. Besi (një djal 13 vjeçar, që nga frika edhe gjumin e kishte ba me ty), më ka kallxu Bac se mos të ishte Baci Smajl unë dhe shumë të tjerë gjatë ditëve të bombardimeve të NATO-s, kur milicia serbe po kryente masakra e krime gjithkund nëpër Kosovë unë dhe shumë tjerë do të ishim çmend.
Në Nëntor të vitit 1998 kur policia serbe kishin masakruar një grua nga Drenica ( Bedrie Deliu) dhe kufomën e saj e kishin lën disa ditë në morgun e spitalit në Prishtinë, ndërsa burri i saj Muhamet Deliu erdhi në shpin tonë dhe kërkoj strehim, ishe prap Ti Bac ishe Ai që ia hape zemrën dhe derën e mirëprite dhe pranove ta varrodnim Bedrien ne organizim të varrimit nga familja jonë, bashkë me Këshillin për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe varrimin ( në të cilin morën pjesë qindra qytetarë), e kryem nën përcjelljen e helikopterëve të milicisë serbe, e Muhametin e shërove duke e trajtuar disa muaj dhe e mbështolle në lëkurë kingji. Hape dy javë të pame për Bedrijen dhe për dy jave vinin pothuajse nga 100 vetë në ditë nga e gjithë Kosova dhe askend se lëshove pa bukë.
E prite lirinë e Kosovës dhe i’u gzove shumë, ishe mirënjohës dhe falënderues për gjithçka.
E deshte shumë Ushtrinë dhe na bëre me kohë ushtare.
Gjatë luftës kur ne ishim në mal, Ti Bac i strehove 4 familje nga Drenica në shtëpinë tonë dhe më kujtohet pas luftës më ka treguar njëri nga ta kur kishte ardhur nga Drenica dhe Ti Bac ja kishe dhan qelsin e dhomës së Gafit që ishte në Gjermani dhe ai kur e kishte pa dhomën ashtu të rregullume nuk kishte dasht me hi, por Ti Bac i kishe pas thanë-, hin bre burre se as e jemja nuk është.
Vitet e lirisë të munduan shpirtërishtë nga përbuzja që po i bëhej lirisë, nga bijt e vet.
Vuajte shumë ashtu në heshtje, pa u anku, as që kishe ku të ankoheshe.
Me vite na pe pa punë dhe çuditeshe bashkë me ne nga gjithë kjo çoroditje.
Në Shqipëri nuk mujte kurrë me shku e malli t’ka përvlu, s’e kishe shëndetin, e kur shkoja unë më porosisje me të sjell bukë e djath.
Bac, ke dhanë aq shumë e nuk ke marr asgjë, por ashtu deshte se ishe aq human e njerëzor sa rrallë e bën nana.
Më ka marr malli Bac zanin me ta ni e ftyrën prej dielli me ta pa.
Ke pas edhe shumë andrra e dëshira, nuk na pe as na le ashtu si pate dëshirë, shkove zemërplasur se shpirtëbardhësia dhe shpirtëgjerësia Jote i kishte të mëdha pritshmëritë…
Por atje me Zotin besoj e ke më mirë. E di që na shef e vujtjet nuk të hiqen për gjithçka po ndodh me Kosovën se me t’o në gojë e në zemër ke shku…
As te vorri Bac s’po muj me t’ardh se s’kom çka t’thom, shpirti me vjen por këmbët jo, se t’pata premtu me t’ardh me lajme të mira për Kosovën e për mu…veç Skenderbeut Bac, njëherë ju pata rrëfy, si Ty, për shumçka që shpirtin ma g’rryn e zemrën ma kan plas si Ty.
Mos t’jet marak se veq për keq ka ndryshu puna, veq Zoti mundet me ndihmu këtë vend, se njerëzit Bac jan t’ëhollu, e në shenjë hakmarrje Zoti ka nisë me na ndëshku.
Bota do të ishte shumë e pasur me njerëz si Ti.
Jemi mundu Bac secili me marr diçka nga Personaliteti dhe bota Jote, po hakut met dal kurr jo!
Kam edhe shumçka me fol me Ty Bac, por gjithmonë kam mem mbet naj zhig që s’un ta them.
Sonte në këtë mëngjes jam lutur për Ty o Bac.
Aq fuqi kam ta lus Zotin të të shpërblej me lule të Xhennetit, e atje pushoftë në paqe shpirti Yt fisnik e i paqt.
Ndarjet nuk po e shujkan dashninë!
Komentet