Ndarja e Kosovës apo korrigjimi i kufijve midis Kosovës dhe Serbisë do të destabilizonte rajonin dhe potencialisht do të nxiste dhunën, argumenton ish-këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit.
Ndarja do të paralajmërojë braktisjen e Kosovës si një shoqëri multietnike dhe do të shënojë dështimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, midis Kosovës dhe Serbisë që kanë për qëllim njohjen reciproke brenda kufijve aktual të Kosovës. Ndarja nuk është një ide e re. Ajo u ngrit fillimisht në mesin e viteve 1990, nga shkrimtari dhe politikani Dobrica Qosiç, i ashtuquajturi “Kumbari i nacionalizmit serb” dhe të tjerë në Akademinë Serbe të Arteve dhe Shkencave. Ambasadori i Gjermanisë Wolfgang Ischinger diskutoi ndarjen në verën e vitit 2007, kur negociatorët e OKB-së nga SHBA, Bashkimi Evropian dhe Rusia, të njohur si “Trojka”, u përpoqën pa sukses për të ndërmjetësuar një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës. Vitin e kaluar, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç argumentonte se “gjithkush ka nevojë për një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit serbo-shqiptar, i cili mund të arrihet vetëm nëpërmjet një marrëveshje, ku secili do të fitojë diçka dhe do të humbë diçka”.
Daçiç dhe kryeministrja Ana Brnabiç diskutuan kohët e fundit për ndarjen me këshilltarin presidencial të SHBA, Jared Kushner. Pas takimit, Daçiç theksoi: “Të gjitha kartat janë në tryezë”. Vlerësimi i ndarjes fillon me një kuptim të qartë të asaj që Serbia dëshiron. Daçiç propozon që Serbia të heqë dorë nga kërkesa e saj për të gjithë Kosovën, në shkëmbim të tokave në veri të lumit Ibër. Enklavat serbe në pjesë të tjera të Kosovës do të kishin autonomi dhe ushtrojnë kompetenca ekzekutive. Manastiri ortodoks serb i Visoki Deçanit dhe manastire të tjera ortodokse në Kosovë, do të fitonin status të posaçëm të mbrojtur. Serbia kërkon kompensim financiar për pronat që pretendon në Kosovë, duke përfshirë objektet industriale dhe energjetike. Serbia do të rivendoste refugjatët e Serbisë që aktualisht banojnë në Serbi, në vendet që fiton përmes ndarjes. Propozimi për ndarje shkakton shumë pyetje. A është përgatitur Partia Përparimtare Serbe në pushtet, për të ndryshuar Kushtetutën e Serbisë për të njohur Kosovën? A do të braktisë Serbia përpjekjet e saj për të penguar vendet nga njohja e Kosovës, si dhe anëtarësimi i Kosovës në institucionet multilaterale?
A është përgatitur Komisioni Evropian për të filluar negociatat me Kosovën, lidhur me anëtarësimin në BE? Cilat janë veprimet e parashikuara nga mosnjohësit anëtarë të BE-së – Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia? A do të shkaktojë një marrëveshje për ndarjen automatikisht njohjen e Kosovës? Anëtarësimi në OKB gjithashtu duhet të jetë pjesë e paketës. Megjithatë, pranimi nga Rusia ose Kina nuk është i garantuar. Demarkacioni është një pengesë. Shkëmbimi i tokave në veri të lumit Ibër për tokat etnike shqiptare në Serbi si Presheva, Medvegja dhe Bujanoc është një procedurë e ndërlikuar. A do të ishte shkëmbimi simetrik apo bazuar në vlerën e vlerësuar të territoreve në fjalë? Transferimet e popullsisë do të ishin të çrregullta. Çfarë do të ndodhte me shqiptarët etnikë që aktualisht banojnë në veri të lumit Ibër?
A do të mbeteshin apo do të kishte një proces të menaxhuar për migrimin dhe kompensimin e tyre? Po serbët e Kosovës në jug, do të kenë mundësi të emigrojnë në tokat veriore të lumit Ibër? Cili mekanizëm do të krijohej për të menaxhuar rrjedhat e popullsisë? Çfarë do të ndodhte me marrëveshjen ekzistuese për një Asociacion të Komunave Serbe, një nga marrëveshjet midis Beogradit dhe Prishtinës, që synonte të siguronte disa fuqi të zgjeruara për serbët e Kosovës? A do të kërkonte Beogradi ende një Asociacion të Komunave Serbe për komunitetet serbe në jug të Kosovës? Kompensimi është gjithashtu i ndërlikuar. Komisioni i Kompensimit të Pronës do të kërkohet të shqyrtojë titujt, të përcaktojë pronësinë, të përcaktojë vlerën e pronave dhe të rregullojë kompensimin. Një tjetër çështje është pronësia e Minierave të Trepçës, një kompleks i rëndësishëm minerar dhe metalurgjik në Kosovën veriore, që pretendohet nga Beogradi dhe Prishtina.
Minierat aktualisht ndahen përgjatë vijave etnike, me serbët që drejtojnë pjesë që qëndrojnë në veriun e kontrolluar nga serbët e Kosovës dhe Prishtinën, që drejton pjesë në jug. A janë minierat e Trepçës të pasura me ar ose në masë të madhe të varfëruar? Kush do të zotërojë Minierat e Trepçës? A do të vendoset Trepça në administrimin e Kosovës? Kush do të jetë përgjegjës për zhvillimin e burimeve minerare të Trepçës, menaxhimin dhe shpërndarjen e fondeve? Duhet të adresohen çështje të tjera të burimeve natyrore, si Liqeni i Gazivodës, një rezervuar i madh që furnizon me ujë dhe energji elektrike Kosovën qendrore. Ndarja do të hapte plagët e luftës. Ka ende mijëra njerëz të pagjetur. Viktimat kërkojnë llogaridhënie. Ndarjet e tjera etnike kanë çuar në dhunë dhe emigrim masiv, për shembull ndarja e Indisë, mes Indisë dhe Pakistanit. Ndarja mund të nxiste një fazë të re të konfliktit etnik në Kosovë dhe në rajon, duke destabilizuar shtetet e brishta multietnike.
A do kërkojë Republika Srpska në Bosnje të bashkohet me Serbinë? A do të jenë shqiptarët etnikë në Maqedoni në këtë linjë për tu bashkuar territoret shqiptare? Shumë njerëz vdiqën për të ruajtur idealin e shteteve demokratike, shumëetnike në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i Sllobodan Millosheviçit ishte gjithmonë që të bashkonte kombin serb dhe të krijonte “Serbinë e Madhe”. Ndarja e Kosovës, që Millosheviçi nuk arriti të arrijë nëpërmjet spastrimit etnik, do të arrinte në tryezën e negociatave. Ndarja kërkon lëshime të mëdha simbolike dhe substanciale me pasoja politike, ekonomike dhe të sigurisë. Transparenca është kritike. Ndarja nuk mund të negociohet pas dyerve të mbyllura. Ndarja do të ishte ngjarja përcaktuese në historinë e Kosovës. Ajo kërkon debat në qarqet politike dhe me shoqërinë civile, si dhe garancitë nga bashkësia ndërkombëtare.
*David L. Phillips është Drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin e Studimit të të Drejtave të Njeriut të Universitetit Columbia. Ai shërbeu si Këshilltar i Lartë në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve nën presidentët Clinton, Bush dhe Obama. Autori i librit “Liberating Kosovo: Diplomacia detyruese dhe ndërhyrja e SHBA”. Phillips punoi ngushtë me Ambasadorin Richard C. Holbrooke në Bosnje dhe Kosovë.
Komentet