FIFA ka njoftuar të premten se birra nuk do t’iu shitet tifozëve përreth asnjërit prej tetë stadiumeve të Kupës së Botës, pas “diskutimeve” me nikoqirin, Katarin.
Organizata botërore e futbollit nuk ka dhënë arsye për ndryshimin befasues të vendimit për shitjen e birrës.
Njoftimi erdhi vetëm dy ditë para fillimit të Kupës së Botës, e cila për herë të parë do të zhvillohet në një vend konservator mysliman, me rregulla të ashpra për alkoolin, konsumimi i të cilit është i ndaluar në vende publike.
Një komunikatë e lëshuar nga FIFA ka bërë të ditur se alkooli do të shitet vetëm në zonat e tifozëve, dhe se “do të hiqen pikat e shitjes së birrës nga perimetrat e stadiumeve të Kupës së Botës 2022 në Katar”.
Kompania amë e Budweiser, AB InBev, paguan dhjetëra miliona dollarë në secilin turne të Kupës së Botës për të pasur të drejta ekskluzive për shitje të birrës. Bashkëpunimi i kësaj kompanie me FIFA-n nisi në kampionatin që u zhvillua në vitin 1986.
Kur Katari i bëri publike synimet për të qenë nikoqir i Kupës së Botës, zyrtarët e tyre u pajtuan që t’i respektojnë partneritetet komerciale të FIFA-s. Këtë e bënë sërish në vitin 2010, kur i nënshkruan kontratat pasi e fituan të drejtën e organizimit të turneut.
Në Kupën e Botës “Brazili 2014”, nikoqirët ishin detyruar ta ndryshojnë një ligj kombëtar që të lejohet shitja e alkoolit në stadiume.
Marrëveshja e AB InBev me FIFA-n u rinovua në vitin 2011 – pasi Katari u zgjodh nikoqir i turneut – në një marrëveshje që përfshinte dy turnetë vijuese, 2016 dhe 2022. Megjithatë, kompania me seli në Belgjikë është përballur me disa paqartësi gjatë muajve të fundit se ku mund të shërbejë dhe shesë birrë në Katar.
Marrëveshja, e publikuar në shtator, përcaktonte se birra alkoolike mund të shitet brenda perimetrit të stadiumit para dhe pas ndeshjeve. Vetëm birrat Bud Zero, pa alkool, mund të shitet brenda stadiumit që tifozët ta pijnë në ulëset e tyre gjatë ndeshjes.
Fundjavën e kaluar, AB InBev u befasua nga një rregull i ri në të cilin insistonin organizatorët e Katarit që përcaktonte se tezgat e birrës duhet të zhvendoseshin në lokacione më pak të dukshme brenda perimetrit të stadiumit.
Budweiser ishte planifikuar të shitej në mbrëmje vetën në zonën zyrtare të tifozëve në parkun Al Bidda, të organizuar nga FIFA, ku deri në 40 mijë tifozë pritet të mblidhen për t’i shikuar ndeshjet në ekrane të mëdha. Organizatorët kishin konfirmuar se një birrë do të kushtonte 14 dollarë.
AB InBev nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve për këtë lajm.
Kompania do të vendoset në një hotel prestigjioz në pjesën perëndimore të Dohas, ku do të ketë një klub nate për këtë turne.
Komentet