Ndalimi i Drejtorit të Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili dhe aktorit Gani Veseli, nga autoritetet e Serbisë dhe pamundësimi i shfaqjes së premierës së dy filmave shqip ka nxitur reagimin e dy ministrave të Qeverisë së Kosovës.
Ismaili dhe Veseli, për të cilët deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se janë liruar, ishin ndaluar dje nga policia serbe.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka akuzuar autoritetet serbe se paragjykuan përmbajtjen dhe se një gjë e tillë është mosdurim nacional. “Një ditë para shfaqjes së filmave, policia e Serbisë i merr në bisedë informative drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, producentin dhe aktorët e filmave.Pa asnjë motiv konkret, e madje duke e paragjykuar përmbajtjen e filmave, autoritetet serbe ndalojnë shfaqjen e filmave deri në një vendim të radhës. Ky akt më e pakta që mund të emërohet, është mosdurim nacional”, ka thënë ai.
Sipas Çekut, Serbia nuk ka ndryshuar.
“Për fat të keq ka ende qarqe politike brenda, në rajon e jashtë që besojnë në ndryshimin e Serbisë. Pikërisht politizimi nga ana e Serbisë edhe i artit, me të vetmin motiv që filmi është me aktorë shqiptarë dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është përgënjeshtrimi më i madh që Serbia ka ndryshuar, apo se mund të ndryshojë”, ka thënë ai.
Ministri ka njoftuar se ky projekt ishte njëri nga 78 projektet që Qeveria e Kosovës i mbështeti financiarisht përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar.
“Projekte këto që bartnin aktivitete në ruajtjen dhe kultivimin, avancimin e artit, gjuhës, arsimit e identitetit kombëtar shqiptar në Luginën e Preshevës”, është shprehur ai.
Për të njëjtën ngjarje ka reaguar edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Serbia duhet të ndalojë menjëherë provokimet e saj për të përshkallëzuar situatën”, ka shkruar Murati, derisa tha se përdorimi i politikave represive të Millosheviçit ka dështuar në të kaluarën dhe se do të dështojë përsëri.
“Shqiptarët në Luginën e Preshevës duhet të jenë të lirë të shikojnë filma në gjuhën e tyre”, ka thënë ai.