Pas një sëmundjeje të rëndë ka ndërruar jetë mbrëmë shkrimtarja dhe veprimtarja e komunitetit shqiptar të Zvicrës, Miradije Maliqi.
Miradije Maliqi ka qenë një anëtare e përkushtuar dhe veprimtare e pamunguar prej katër dekadash e jetës kulturore, sociale e patriotike e komunitetit shqiptar në Zvicër.
“Miradije Maliqin do ta kujtojmë me respekt të thellë si veprimtare e hershme dhe shumë e përkushtuar e organizimit të jetës sonë kulturore në Zvicër”, shkruan Shoqata e Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës në një postim të saj në fb.
Miradije Maliqi dallohej për mënyrën e paqtë dhe kulturën e komunikimit.
Miradije Maliqi ishte tejet aktive dhe e pranishme edhe në çdo aktivitet kulturor, humanitar e kombëtar që prej kohës kur Kosova ishte nën pushtim dhe gjithmonë.
Miradije Maliqi nuk e ndante dhe e adhuronte Atdheun pa kufij politikë, prandaj jetonte sa në Shqipëri, Kosovë, Gostivari e Tetovë dhe në Zvicër.
Iku nga kjo jetë e plagosur, me ndarjen nga jeta të vajzës, një plagë që nuk iu shërua kurrë e cila ia shënoi edhe buzëqeshjen e saj të mirësisë.
Miradije Maliqi u lind në Gostivar më 25.07.1961.
Shkollën fillore e përfundoi në Gostivar, të mesmen në Prishtinë.
Në vitin 1980 emigroi në Zvicër, ku u specializua në fushën e psikologjisë, terapisë familjare në Zyrih.
Është autore e disa romaneve, ka shkruar skenarë për dokumentarë dhe ka lëvruar edhe poezinë.
Ja disa tituj romanesh të Miradije Maliqit:
“Kthimi i mërgimtares së tradhëtuar”, roman, Mirazh Tiranë 1995
“Një lot më shpejt se fjala”, roman, Eurorilindja, Tiranë 1998
“Ditët e heshtjes sime”, roman, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë, Shkup 2000
“Unë dhe shpirtbukura”, roman, Arbëria, Tiranë 2005
“Krenaria e lënduar”, roman, Arbëria, Tiranë 2009
“Nëna dhe Bija” Prishtinë 2021.
Botuesit e Voal.ch që janë njohur së pari me Miradije Maliqin që në 1996 në aktivitetet e qendrës kulturore “Përparimi” të Zürich-ut, ku na bashkonte shpesh i paharruari poeti, piktori dhe strategu i UÇK, Agim Ramadani dhe po ashtu në aktivitetet patriotike dhe kulturore të diasporës shqiptare në Konfederatën Helvetike.
Për këtë humbje të parakohëshme i shprehin ngushëllimet bashkëshortit, familjes, njerëzve të afërm, miqve, rretheve dhe shoqatave letrare dhe gjithë komunitetit shqiptar në Zvicër e diasporë.