Glezos – (Mbajtja në fuqi e Ligjit të Luftës me Shqipërinë ) Është një gabim i rëndë dhe trashanik i të gjitha qeverive greke të pas luftës. Historia e ka sqaruar këtë. Nuk ka grek që të mos e dijë të vërtetën se pse u vendos ai ligj absurd. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë asnjë faj apo përgjegjësi. Por absurditeti më i madh është që ky ligj mbahet ende në fuqi, kur në fakt të dy vendet kanë marrëdhënie shumë të mira mes tyre. Nuk mund të ecet përpara duke mbajtur në gojë fjalën luftë. Grekët e mi përpara se të flasin për luftë me shqiptarët, le të flasin se në shumë etapa të historisë kemi luftuar së bashku krah për krah kundërtë njëjtit armik, që nga pavarësia e Greqisë e deri në Luftën e Dytë Botërore. Kjo është një e vërtetë historike që duhet të na afrojë më shumë me njëri-tjetrin dhe jo ligji i luftës…
Glezos – Kam patur vazhdimisht një dashuri të veçantë për popullin shqiptar sepse jo vetëm jemi vende fqinj, por edhe popuj me histori dhe rrënjë të përbashkëta. Jemi dy kombe që kemi bërë histori. Jemi mbajtur e mpleksur me njeri tjetrin me shekuj, grek e arvanitas të cilët kanë dhënë një kontribut të veçantë në historinë shekullore të popullit grek. Heronjtë e historisë së lashtë por edhe të Rilindjes i kemi të përbashkët. Përulem me respekt të veçantë përballë historisë se popullit shqiptar, Luftës së tij Çlirimtare, figurave të shquara antifashiste që ai ka nxjerrë. Kemi vetëm një rrugë: të ruajmë vlerat unikale të antifashizmit, ta zhvillojmë atë, ta mbajmë të pastër nga deformimet e ideologëve neofashistë e neonazistë, të rigjallëruar në këto vite në Europë dhe ndaj të cilëve ju jeni vërtet i shqetësuar. Dhe me të drejtë. Unë e kuptoj thellësisht shqetësimin tuaj. Të gjitha betejat me ta i kemi fituar gjatë shekullit të kaluar dhe përsëri do t’i fitojmë edhe gjatë këtij shekulli sepse mbrojmë aspiratat e drejta të njerëzimit, mbrojmë humanizmin, solidaritetin, civilizimin, paqen dhe zhvillimin e gjithanshëm.
Manol Glezosi lindi në fshatin Apiranthos (Aperathu), të ishullit Naxos. Ai u shpërngul në Athinë në vitin 1935 së bashku me familjen e tij, ku mbaroi shkollën e mesme. Gjatë viteve të shkollës së mesme në Athinë punoi edhe si punonjës farmacie. U pranua në Shkollën e Lartë të Studimeve Ekonomike dhe Tregtare (i njohur sot si Universiteti i Ekonomisë dhe Biznesit në Athinë) në vitin 1940. Më 1939, duke qënë akoma një gjimnazist, Glezos mori pjesë në krijimin e një grupi të rinjsh antifashistë kundër pushtimit italian të Dodekanezëve dhe diktatura e Ioannis Metaxas.
Në fillimin e Luftës së Dytë Botërore u bashkua me ushtrinë Greke në frontin shqiptar kundër Italisë, por u refuzua sepse ishte i mitur. Në vend të kësaj, ai punoi si vullnetar për Ministrinë Greke të Ekonomisë. Gjatë okupacionit të Greqisë, punoi për Kryqin e Kuq Helenik dhe komunën e Athinës, ndërsa u përfshi aktivisht në rezistencë. Svastika (kryqi i thyer) në Akropol. Më 30 maj 1941 Glezos dhe shoku i tij tjeter antifashist Apostolos Santas u ngjitën në Akropol dhe ulën flamurin nazist. i cili kishte qenë atje që nga 27 Prilli 1941, Ky veprim i kryer prej Glezos dhe Santas frymëzoi jo vetëm Grekët, por të gjithë levizjen antifashiste greke dhe pati jehone ndërkombëtarë. Regjimi nazist i ketij akti iu përgjigj duke dënuar ata me vdekje në mungesë.Ai u arrestua nga forcat gjermane më 24 mars 1942 dhe iu nënshtrua burgimit dhe torturave. Si rezultat i trajtimit brutal në burgjet naziste ai u prek edhe nga tuberkulozi.
Veprimtaria pas luftës II Botërore
Fundi i Luftës së Dytë Botërore nuk ishte fundi i fatkeqësive së Glezos. Më 3 Mars 1948, në periudhën e Luftës Civile në Greqi, atij iu bënë disa gjyqe për bindjet e tij politike si komunist dhe u dënua me vdekje shumë herë nga qeveritë e djathta. Edhe pse ende ishte i burgosur, Manolis Glezos u zgjodh anëtar i Parlamentit Grek në vitin 1951, nën siglën e së majtës Demokratike të Bashkuar, i njohur edhe si EDA (Eliniki Dhimokratiki Aristera). Pas zgjedhjes së tij, i burgosur ai filloi grevë urie duke kërkuar lirimin e deputetëve të tjerë antifashistë.
Ai i dha fund grevës së urisë vetëm pa lirimit në 16 Korrik 1954.
Më 5 dhjetor 1958 u arrestua përsëri dhe vetëm pas 4 vjetësh ne 15 Dhjetor 1962 u lirua si rezultat i protestave të mëdha publike dhe zemërimit të opinionit grek dhe atij ndërkombëtar i cili i kishte akorduar atij dhe çmimin e paqes. Gjatë grushtit të shtetit më 21 prilli 1967, Glezos arrestohet së bashku me një pjesë tjetër të liderëve politikë të të majtes greke. Gjatë Regjimit të diktaturës ushtarake (Hunda) të udhëhequr nga George Papadopoulos, ai u burgos me burgim dhe internim jashtë Athinës deri kur dhe u lirua në 1971. Burgosjet e arrestimet dhe dënimet e Manolis Glezos, nga Lufta e Dytë Botërore deri në vitin 1974 janë të panumërta arrijnë në 11 vjet e 4 muaj burg, dhe 4 vjet e 6 muaj internim. Bashkë me të nëpër burgje dhe internime kanë vuajtur edhe figura të tjerë të mëdha antifashiste të Greqisë si poeti Janis Ricos, e të tjerë bashkëkohës të Glezosit.
Pas rivendosjes të demokracisë në Greqi në 1974, Glezos ishte nga nismëtarët në ringritjen e partisë së tij EDA. Në zgjedhjet e tetorit 1981 dhe qershor 1985, ai u zgjodh anëtar i Parlamentit Grek si deputet, me partinë e Lëvizjes Socialiste Panhelenike (PASOK). Në 1984 u zgjodh Anëtar i Parlamentit Evropian, përsëri me nën siglën e PASOK. Ai ishte edhe Presidenti i EDA nga 1985 deri në 1989. Ndërkohë, në vitin 1986, për shkaqe të pakënaqësisë të zhvillimeve të partisë ai u tërhoq nga Parlamenti, dhe u angazhua të zbatojë një eksperiment të demokracisë direkte me komunitetin e vendlindjes se tij Aperathu. Ky model i eksperimentuar prej tij funksionoi për disa vjet, por pa sukses. Në zgjedhjet legjislative të vitit 2000 ai kryesoi listën e partisë Synaspismos (Koalicioni) të së majtës radikale. Në 2002, ai formoi grupin politik Qytetarë aktivë (i cili është pjesë e Koalicionit të së Majtës Radikale, një aleancë me Synaspismos dhe parti të tjera të vogla të së majtës Greke) dhe kandidoi si prefekt për Atikën (gadishulli i Athinës).
Në Mars 2010, Glezos ishte duke marrë pjesë në një demonstratë proteste në Athinë, kur u godit në fytyrë nga një bombë gazi lotësjellës i hedhur nga policia. Ai u transportua i plagosur në spital. Në shkurt të vitit 2012, Glezosi udhëhoqi mjaft demonstrata proteste në Athinë dhe siç e tregojnë disa foto të asaj periudhe në përleshje edhe me policinë ai u godit dhe plagos. Në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2012, ai u zgjodh si deputet i partisë së Koalicionit të së Majtës Radikale (SYRIZA) dhe u zgjodh edhe deputet ne parlamentin europian duke marrë 430 000 vota, më shumë se çdo kandidat tjetër në Greqi ndonëse ishte në moshën 91 vjeçare. Qëndroi në parlamentin europian gati për dy vjet duke qenë deputeti më i vjetër në moshë dhe në korrik të 2015 ai u tërhoq nga jeta aktive politike.
Karriera jo-politike
Përveç angazhimit te tij politik, Glezos ka qenë i angazhuar si aktivist shoqëror në ruajtjen e ambientit, në ndërtimin e mjaft veprave ujore dhe shkencat gjeologjike duke marrë pjesë në ndërtimin e mjaft digave në sistemet ujore në Greqi.
Ai është shpallur doktor nderi i filozofisë në disa universitete të Greqisë si në Athinë, Patras, Selanik etj
Glezos ka qenë aktiv edhe në shtypin e shkruar grek duke shkruajtur artikuj në gazetat greke që nga viti 1942 dhe ishte redaktori i gazetave Rizospastis (Radikali) dhe i Avgi (Agimi) në vitet ’50. Atij iu dha Çmimi Ndërkombëtar i Gazetarisë në 1958, Medalja e Artë Joliot-Curie të Këshillit Botëror të Paqes në 1959 dhe Çmimi i Lenin për Paqen në 1963. Ai ka botuar gjithashtu gjashtë libra në Greqisht të botuar kudo në Europë.
Komentet