VOAL – Bëhet e ditur se u nda nga jeta ish i burgosuri politik Tomorr Merlika, nga familja e Mustafa Krujës.
Tomorr Merlika lindi në Krujë, në vitin 1937. U arrestua më 16 nëntor 1956, dhe me vendim nr. 31, datë 28 shkurt 1957, Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaroi fajtor për “tradhti ndaj atdheut duke u përgatitur për t’u arratisur jashtë shtetit” dhe e dënoi me 10 vjet burg, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 2 vjet kohë. Me dekret nr. 2548, datë 27 nëntor 1957, të K.P. iu fal ¼ e dënimit. U lirua më 25 nëntor të vitit 1962.
Me vendim nr. 14, datë 19 shkurt 1981, Gjykata e Rrethit të Krujës e deklaroi fajtor për “kundërshtim të përfaqësuesit të pushtetit” dhe e dënoi me 1 vit heqje lirie. Tomorri, një njeri i qetë dhe shumë punëtor, rrahu një zyrtar komunist arrogant.
Vite më parë Tomorr Merlika ishte në vëmendje të mediave sepse dorëzoi në Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare, në Tiranë, një kambanë kishe, të cilën e ruante prej vitesh në bodrumin e shtëpisë së tij. Objekti prej bronzi peshonte 40 kilogramë dhe i takonte vitit 1957. Ai e mori në mbrojtje çka kishte mbetur nga kambana, pasi kisha katolike që ndodhej në kalanë e Krujës u përfshi nga një zjarr në vitet ’90. Ky akt u konsiderua i jashtëzakonshëm dhe, në Ditën e Trashëgimisë Kulturore, Merlikës nga Ministria e Kulturës iu dorëzua një Certifikatë Mirënjohjeje.
Ngushllime familjes,Zoti mëshiroft në shpirtin e të ndjeri.