Analisti Mentor Nazarko rendit 10 arsye që sipas tij e bëjnë marrëveshjen Rama-Basha historike.
Sipas tij, për herë të parë marrëveshja u arrit pa ndërmjetësimin e LSI-së. Nazarko shkruan se për herë të parë, dy liderët e zgjidhën vetë krizën, pa ndërhyrjen e askujt në momentin final të negociatave.
SHKRIMI
Pamjet e dy liderëve Rama dhe Basha që të buzëqeshur apo me buzëqeshje të përmbajtura dalin para kamerave në mesnatë do të mbahet mend gjatë. Deklarimi konsensual se marrëveshja u arrit dhe se pritet detajizimi i tyre sot ishte fundi i një krize që gjithashtu duhet të quhet historike për nga veçantësia e saj : kauzat e luftuara, mjetet e përdorura, njëkohshmëria me kriza të tjera në Ballkan, etj.
Po pse marrëveshja duhet të quhet historike ?
1) Marrëveshja u arrit mes dy liderëve të rinj në një mënyrë ose në një tjetër. Nëse i mbahemi përkufizimeve se Nano dhe Berisha ishin liderë historikë, atëherë dhe Rama dhe BAsha janë liderët e rinj, pavarësisht se Rama është më i vjetër në moshë dhe në pushtetin që ka drejtuar. Marrëveshja u arrit mes tyre drejtpërdrejt, pa ndërmjetësimin fizik të një pale tjetër, madje dhe pa praninë e një partie të tretë si ka ndodhur jo rrallë kohët e fundit kur LSI është imponuar të jetë pjesë tryezash të tilla.
2) Ky shtrëngim dore në përfundim të një negociate, megjithëse sportiv, megjithëse jo përballë njeri tjetrit, nuk ishte parë që nga 2002 kur Nano dhe Berisha negocionin për të zgjedhur presidentin konsensual Moisiu.
Marrëveshja quhet historike dhe për arsye të tjera.
3) Ka emrin e një europiani, por imponuar nga një amerikan.
4) Ndërhyrjet e parashikuara në sistemin kushtetues janë të mëdha dhe dy llojëshe. Në kabinet dhe në legjislacion.
5) Po instalohet duam s’duam një precedent grek : në prag të zgjedhjeve, një pjesë ministrash teknikë konsensualë bëhen pjesë e një kabineti politik.
6) Po bëhen ndërhyrje në Kodin zgjedhor, në ligje të tjera, po votohet vettingu.
Po thirret parlamenti të votojë këto ndërhyrje që duan kohë të përgatiten, pasi ishte shpërndarë formalisht.
8) Po shtyhen zgjedhjet, me gjasë përtej afatit kushtetues, me artifice legale të papërdorura ndonjëherë.
9) Ndryshimet e propozuara nga opozita janë dëshmi se kur ajo ka qenë në qeveri i ka përdorur dobësitë e sistemit (identifikimi biometrik, numërimi), për të rritur, manipuluar fitoren e saj. Ndryshimet e propozuara megjithatë janë të pjesshme : ato ruajnë politizimin në kontrollin e zgjedhjeve, komisionerët politikë, mungesën e kontrollit tek paratë e pista (jo vetëm të drogës, por dhe të tenderave), ruajnë proporcionalin rajonal, bllokimin e hyrjes së partive të reja, etj, etj. Ndaj ato kurrë nuk mund të quhen përparimtare, apo revolucionare.
10) Si marrëveshje historike, ka dhe një meritë historike. Skenari maqedonas, i dëshiruar shumë nga opozita, nga lideri historik Berisha i cili dhe dje, i ndjerë i përjashtuar nga fotografia e marrëveshjes, bëri thirrje për revolucion, u shmang. Shqipëria vend anëtar i NATO-s, e zgjidhi krizën me njëlloj qetsie.
Sezoni politik do ndjejë qetësinë që rrezatuan pamjet e mesnatës. A do jetë qeveria politike me transplant teknik, paradhoma e një qeverisje me bazë të gjerë, kjo pritet të shihet.
“Konica.al”
Komentet