Një gjykatë në Moskë e shpalli fajtor politikanin opozitar, Aleksei Navalny, duke e dënuar me 19 vjet burgim nën akuza që lidhen me ekstremizëm për shkak të Fondacionit të tij Kundër Korrupsionit (FBK).
Navalny, veçse është duke vuajtur një dënim prej nëntë vjetësh burgim.
Ai dhe aleatët e tij kanë thënë se akuzat, për të cilat u dënua më 4 gusht, janë të motivuara politikisht.
Aleksei Navalny – Një jetë në politikë, protesta dhe në burgje
Gjykata në Moskë, e gjeti fajtor 46-vjeçarin në bazë të gjashtë neneve të Kodit Penal rus, përfshirë edhe për krijimin dhe financimin e një komuniteti ekstremist, thirrje për ekstremizëm, rehabilitim të nazizmit dhe përfshirjen e minorenëve në akte të rrezikshme.
Autoritetet ruse më 2021 shpallën fondacionin e Navalnyt organizatë ekstremiste dhe ia ndaluan të gjitha aktivitetet në Rusi.
Navalny reagoi në Facebook për dënimin, duke thënë se nuk ka rëndësi numri i viteve.
“E kuptoj plotësisht, sikurse shumë të burgosur të tjerë politikë. Unë do të jem në burg gjithë jetën. Ku jeta matet ose me jetëgjatësinë time apo të regjimit”, tha ai.
Navalny u bëri thirrje rusëve që të vazhdojnë të rezistojnë ndaj Kremlinit dhe ndaj përpjekjeve të Kremlinit, që ai tha se bëhen për të “frikësuar rusët” dhe për t’ua shuar dëshirën për të rezistuar.
Shtete të ndryshme reaguan pas shqiptimit të dënimit të Navalnyt. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara dënuan atë që e cilësuan si gjykim “të stisur” dhe “të padrejtë”.
“Vendimi i fundit është edhe një gjykim i stisur ndaj Aleksei Navalnyt dhe është i papranueshëm. Ky dënim arbitrar është përgjigje ndaj kurajës së tij për të folur në mënyrë kritike ndaj regjimit të Kremlinit”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Shtetet e Bashkuara dënuan vendimin. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se akuzat ndaj Navalnyt janë të pabazuara.
“Ky ishte një përfundim i padrejtë i një gjykimi të padrejtë”, tha Miller.
“Për vite të tëra, Kremlini ka tentuar ta heshtë Navalnyn dhe të parandalojë thirrjet e tij për transparencë dhe llogaridhënie”, shtoi ai.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë, James Cleverly, po ashtu dënoi vendimin ndaj Navalnyt dhe tha se Mbretëria e Bashkuar kërkon lirimin e menjëhershëm të tij./RFE/RL