Këtë poemth humoristik për një shenjtor shqiptar m’a dha ta recitoja në fund të vitit shkollor 1946 mësuesi im Kostë Cerja. Atëherë në shkollat fillore ishte traditë organizimi i aktiviteteve artistike ku ftoheshin të merrnin pjesë edhe prindërit e nxënësve. Mësuesi më tha se vjershën e kishte kopjuar nga një revistë e kohës, pa e shënuar emrin e autorit.
Sipas meje poemthi duhet ta ketë burimin nga pena e Kristo Floqit, autor i disa komedive dhe pjesëve me një akt, dhe një nga humoristët e shquar të pavarësisë. Poemthi i përngjan trashëgimisë letrare të Floqit si nga konceptimi, ashtu edhe nga gjuha e stili. Shenjti i parë i Shqipërisë shkon së pari në ferr dhe atje kërkon të lirojë nga mundimet gjithë bashkatdhetarët, duke kryer një akt të admirueshëm nga ana e tij. Rrëmuja që shkakton te portat e ferrit dhe vrasja e shejtanit që guxon të vërë në dyshim aftësitë e tij, ngjallin respekt te auditori. Meqë poemthin po e risjellë ashtu sic më ka mbetur në kujtesë qysh prej shtatë dekada e gjysmë përpara mund të ketë ndonjë pasaktësi aty këtu dhe nga fundi. Studiuesit e letërsisë shqipe janë të lutur të shfletojnë revistat që delnin në Korçë në vitet ’30 për të gjetur origjinalin e kësaj perle të letërsisë shqipe.
Shën Gjikë Shqipëtari
Që ka qënë nga Vithkuqi,
Kur dha shpirt jetë-mbari,
E shoqja në varr e vuri.
Por pa vdekur, trim’ i mirë
I pat thënë gruas së vet:
“Kur të vdes moj zemërdlirë
Me armë të më kallç n’dhet.
Mundet që të kem nevojë
Për armët e kësaj bote,
Mundet shpirti të ma dojë
Fuqinë e asaj të kote.”
Dhe e shoqja mbajti mend
Fjalët që i pat thënë Gjika,
Porositë ia mbarojti,
Ca nga turpi, ca nga frika.
Pallaskat dhe jataganë
Dhe koburet e ergjenta
Në qivurt ia vuri pranë
Gjikës siç ia kishte ënda.
Pranë i vuri edhe gjutën,
Që kish dymbëdhjetë pafilla.
Trajsën edhe tarkaxhiken
Ia mbushi me njëmij’ të mira.
Dhe si grua Shqipërie,
Me një nder shumë të madh,
Mbajti zi siç i kish hije
Dhe më s’u martua prapë.
***
Gjika vërtet ishte ngritur
Me emrin e Perëndisë,
Dhe nga varri kishte dalë
Shenjt’ i parë i Shqipërisë.
Dhe duke dalë nga varri
Me armët që kishte marrë,
U mendua nga t’ia niste?
Në xhehnem vajti më parë.
Shkoi në derë të xhehnemit
Dhe trokiti shumë herë,
Zë dëgjonte prej rrëmetit,
Por nuk i hapej derë.
Zu trokiste me furi
Dhe thërret me zë të prerë:
“Ju o djaj, djaj të zi
Hapmani, tha, këtë derë!
Dua ç’janë shqipëtarë
Që këtu brenda i mbani,
Dua jashtë të m’i qitni
Edhe më mos më mundoni”.
Ia prêt një djall me thikë:
“Gjë të madhe na kërkove,
S’e besonim nga ty Gjikë,
Të na dilje i kësaj radhe!”
Thelë-thelë se ç’e bëri
Atë djall që i foli ashpër,
E pat të thënë i gjori,
Që ta bënte Gjika lakër.
Verzevuli atje brenda
Gjithë djajtë i thërret:
“Si t’ia bëj atij shqiptari
Që në derë po troket?
T’i afroheni mengadalë,
E ta kapni me përdhunë,
Të ma sillni këtu përpara,
Pastaj di se ç’i bëj unë!”
Djajtë s’po dilnin përballë,
Se s’mbahen për trimëri,
Po një djall këmbë çalë
Bërtiti me lebeti:
“Ah, tha, ky është ay Gjika,
Që më theu këmbën mua,
Në Vithkuq kur iu qasa,
Që ta shtyja në përrua”.
Gjika jashtë po bërtiste:
“Pa plotësuar porosinë
Unë s’kam ndërmend të ik,
Pa në m’u mbaroftë dhe baruti,
Do t’u pres, tu grij me thikë!…
Komentet