Bruksel
NATO-ja njoftoi se ka vendosur të mblidhet pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi se vendi i tij do të tërhiqet nga Traktati i Qiejve të Hapur, raporton Anadolu Agency (AA).
Një zyrtar i NATO-s tha në një deklaratë për AA se vendet anëtare pajtohen që marrëveshjet e kontrollit të armatimit dhe çarmatimit kontribuojnë ndjeshëm në sigurinë e aleancës.
“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar që Rusia do të kufizojë fluturimet në disa zona”, tha zyrtari i NATO-s, duke theksuar se në Samitin e NATO-s 2018 në Bruksel, aleatët kishin shprehur shqetësime për zbatimin e pjesshëm të Traktatit të Qiejve të Hapur nga ana e Rusisë.
Zyrtari i NATO-s deklaroi se Këshilli i Veriatlantik i NATO-s, organi më i lartë vendimmarrës i aleancës, do të takohet sot për të diskutuar të ardhmen e Traktatit të Qiejve të Hapur.
Ndryshe, Trump dje tha se do të tërhiqen nga marrëveshja “derisa Rusia të zbatojë përgjegjësitë e saj”.
Rusia dhe SHBA janë ndër 34 vendet nënshkruese të Traktatit të Qiejve të Hapur, i cili lejon fluturime të paarmatosura të zbulimit për të promovuar transparencën e aktiviteteve ushtarake dhe për të lehtësuar monitorimin e kontrollit të armëve dhe marrëveshjeve të tjera.
Marrëveshja e nënshkruar në vitin 1992 shërben si masë shtesë për sigurinë në kufijtë e Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë (OSBE), ndërsa pjesëmarrëse në të është Turqia.
Komentet