NATO dhe Shtetet e Bashkuara thanë të dielën se ishin të bindura se Turqia nuk do ta ndalonte anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në aleancën ushtarake perëndimore, pasi dy shtetet nordike ndërmorën hapa për t’u anëtarësuar në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë.
Presidenti finlandez Sauli Niinisto konfirmoi të dielën se vendi i tij do të aplikonte për të hyrë në NATO, ndërsa socialdemokratët në pushtet në Suedi njoftuan një ndryshim zyrtar të politikës që do t’i hapte rrugën vendit të tyre për të aplikuar brenda disa ditësh.
Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson tha se do të shkojë në parlament të hënën për të siguruar mbështetjen për kërkesën për anëtarësim, të cilin aleatët e NATO-s presin që do të bëhet njëkohësisht me Finlandën.
“Sot Partia Social Demokratike suedeze mori një vendim historik për t’i thënë po kërkesës për anëtarësim në aleancën e NATO-s,” tha ministrja e jashtme suedeze, Ann Linde. “Agresioni rus ndaj Ukrainës ka përkeqësuar situatën e sigurisë për Suedinë dhe Evropën në tërësi.”
Ministri i mbrojtjes i vendit, Peter Hultqvist, paralajmëroi se Suedia do të ishte në një situatë të rrezikshme nëse do të ishte i vetmi vend balltik që do të mbetej jashtë NATO-s. “Do të mbeteshim pas,” tha ai.
Turqia, e cila befasoi aleatët e saj ditët e fundit kur tha se kishte rezerva për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë, parashtroi kërkesat e saj të dielën në Berlin ku u mbajt një takim i ministrave të jashtëm të NATO-s. Ankaraja tha se donte që vendet nordike të ndalnin mbështetjen për grupet militante kurde të pranishme në territorin e tyre dhe të hiqnin ndalimet për disa shitje armësh në Turqi.
“Kam besim se do të jemi në gjendje t’u përgjigjemi shqetësimeve që ka shprehur Turqia në një mënyrë të tillë që të mos vonojë anëtarësimin,” tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken nuk pranoi të jepte detaje nga bisedat me dyer të mbyllura në Berlin, por i bëri jehonë qëndrimit të zotit Stoltenberg.
“Kam shumë besim se do të arrijmë konsensus,” u tha zoti Blinken gazetarëve, duke shtuar se NATO ishte “vend i dialogut”.
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu tha se bisedimet me homologët suedezë dhe finlandezë në Berlin ishin të dobishme. Të dyja vendet kishin bërë sugjerime për t’iu përgjigjur shqetësimeve të Ankarasë, të cilat Turqia do t’i marrë në konsideratë.
Ai veçoi Suedinë në veçanti, duke thënë se grupi militant kurd PKK, i konsideruar si terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja, kishte mbajtur takime në Stokholm gjatë fundjavës.
Megjithatë, ai tha se Turqia nuk e kundërshton politikën e aleancës për të qenë e hapur për të gjitha vendet evropiane që dëshirojnë të aplikojnë.
Çdo vendim për zgjerimin e NATO-s kërkon miratimin nga të 30 aleatët dhe parlamentet e tyre. Ankaraja, një anëtare e NATO-s për 70 vjet, do të jetë nën presion të jashtëzakonshëm për t’u tërhequr nga kundërshtimi, thanë diplomatët e NATO-s, sepse aleanca konsideron se pranimi i Finlandës dhe Suedisë do ta forconte atë jashtëzakonisht në Detin Baltik.
Suedia dhe Finlanda ishin të dyja neutrale gjatë gjithë Luftës së Ftohtë dhe vendimi i tyre për t’u bashkuar me NATO-n do të ishte një nga ndryshimet më të mëdha në arkitekturën e sigurisë evropiane për dekada, duke reflektuar një ndryshim gjithëpërfshirës në opinionin publik në rajonin nordik që kur Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt.
Pas verifikimit të kërkesave të Finlandës dhe Suedisë nga aleatët e NATO-s – dhe nëse zgjidhen kundërshtimet turke – miratimi mund të vijë brenda disa javësh, megjithëse ratifikimi nga parlamentet e vendeve mund të zgjasë deri në një vit, kanë thënë diplomatë dhe zyrtarë.
Moska i është përgjigjur perspektivës së anëtarësimit të shteteve nordike në NATO duke kërcënuar me hakmarrje, përfshirë “masa ushtarako-teknike”, por pa hyrë në detaje.
Komentet