Vendet anëtare të NATO-s vendosën të dërgojnë një emisar special në Kiev, për të zgjeruar praninë civile të aleancës ushtarake perëndimore në Ukrainë, konfirmoi një zëdhënës për agjencinë e lajmeve DPA.
Zyrtari i lartë do ta ketë për detyrë ta koordinojë mbështetjen politike dhe praktike të aleancës në terren, derisa Ukraina vazhdon të luftojë kundër pushtimit rus.
Lajmi vjen përpara samitit të NATO-s në Uashington, që do të mbahet nga data 9 deri më 11 korrik.
Në atë samit, udhëheqësit pritet të miratojnë zyrtarisht një plan për koordinimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, për herë të parë nën një mision zyrtar të quajtur Ndihma për Siguri dhe Trajnime e NATO-s.
Tash për tash është e paqartë se kush do të caktohet në postin e ri në Kiev. Detaje të mëtejshme do të zbulohen pas përzgjedhjes zyrtare, tha zëdhënësi, duke i konfirmuar planet e raportuara më herët nga Wall Street Journal.
NATO-ja, përndryshe, ka përfaqësim zyrtar në Kiev për gati një dekadë, që përfshin një zyrë ndërlidhëse dhe një qendër informacioni dhe dokumentacioni, e cila ekziston që nga fundi i viteve 1990.
Ai trajton, mes tjerash, kontaktet me ministritë dhe autoritetet ukrainase. REL