NATO do të ketë një bazë të sajën në Shqipëri. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Zona që pritet të shndërrohet edhe në një nga bazat e NATO-s në Shqipëri pritet të jetë në Bizë të Martaneshit.
Së bashku me Sekretarin Britanik të Mbrojtjes, Michael Fallon, në Bizë, Kodheli ka marrë pjesë në stërvitjen e përbashkët “Joint Effort 16”, që po zhvillohet në Shqipëri.
Kodheli tha për “Top Channel” se zona pritet të shndërrohet plotësisht pas vendimit për të qenë një zonë e NATO-s, falë investimeve që do të vijnë nga aleatët.
”Bizën ta transformojmë në një ‘njollë’, thuhet në gjuhën ushtarake të NATO-s, pra në një zonë stërvitore, në një mjedis stërvitor, ku jo vetëm Forcat e Armatosura Shqiptare, por ato britanike, të SHBA-ve dhe besoj edhe të Italisë, të mund të vijnë. Çfarë do të thotë kjo për një vend si Shqipëria apo për qytetarët shqiptarë? Më shumë siguri, më shumë investime, sepse sigurisht që ka nevojë për rrugë dhe për investime të tjera që kjo të bëhet gjithmonë e më e aksesueshme e një pozicionim të trupave të përhershme mbase, të aleancës që është një siguri më e madhe. Kjo ka ardhur normalisht, ku gjatë bisedimeve që unë kam pasur me homologët, që nga Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara te Sekretari Fallon dhe te kolegë të tjerë, ministra të Mbrojtjes dhe sigurisht që ti duhet të punosh pafundësisht për ta mbërritur këtë gjë”, deklaroi Kodheli.
Pyetjes nëse ardhja e ekspertëve rusë kishte për qëllim shndërrimin e Bizës në një zonë të NATO-s, Kodheli ka sqaruar se kjo vizitë lidhej me diçka tjetër.
“Tani duket sikur Rusia po vjen këtu, por nuk e ‘nxë’ edhe të dojë të vijë. Jo, është një punë rutinë, janë dy gjëra totalisht të ndara. Shqipëria është anëtare e OSBE-së me të drejta të plota, ashtu si edhe Rusia. Ne bëjmë të njëjtën gjë, në Rusi dhe në vende të tjera, ata bëjnë të njëjtën gjë me ne”, sqaroi ministrja e Mbrojtjes. Lajmi është konfirmuar edhe nga Sekretari Britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon.
“Këtu, në të vërtetë kemi një zonë stërvitjeje shumë më të mirë, sesa ç’mund ta kishim në Mbretërinë e Bashkuar. Një zonë më e lehtë për t’u stërvitur dhe kemi mundësinë për të punuar bashkë si aleatë kyç”, tha Fallon.
Komentet