Pothuajse 10 muaj pas vdekjes së aktorit Matthew Perry, yllit të serialit “Friends” prokuroria ka ngritur akuza për pesë persona, që sipas hetuesve kontribuuan në vdekjen e tij, pas mbidozës me ketaminë vitin e kaluar. Mes të akuzuarve janë ndihmësi personal i ish yllit të serialit “Friends” dhe dy mjekë. Sipas prokurorëve mjekët kishin siguruar për zotin Perry një sasi të madhe ketamine dhe madje kishin këmbyer disa mesazhe ku diskutonin se sa mund të ishte i gatshëm të paguante aktori. Por çfarë duhet të dini rreth kësaj çështje?
Personat e akuzuar
Në maj tre agjenci të ndryshme (Policia e Los Anxhelosit së basku me agjencinë amerikane për barnat dhe agjencinë e inspektimit të postës amerikane) njoftuan se kishin kryer një hetim të përbashkët se si aktori 54-vjeçar merrte sasi të mëdha të ketaminës, që përdoren për anestezi.
Aktori ishte në mesin e një numri në rritje të pacientëve që përdornin substanca mjekësore legale, por ai nuk i merrte me recetë që tregon se mund të trajtohej për depresionin, ose në raste të tjera kur një njeri ka dhimbje kronike.
Sipas ekpertëve, askush nuk e dinte se hetimet do të zgjeroheshin kaq shumë, duke marrë parasysh rastet e mëparshme që shkaktuan vdekjen e personazheve të famshëm si pasojë e mbidozave nga ilacet.
Kur Michael Jackson vdiq në vitin 2009 nga një dozë vdekjeprurëse e propofolit anestezik, vetëm mjeku i tij u akuzua. Pasi reperi Mac Miller vdiq në vitin 2017, dy burra të cilët prokurorët i përshkruan si tregtarë dhe ndërmjetës u dënuan për sigurimin e oksikodonit me fentanil që ndihmoi në vrasjen e tij.
Por në hetimin e çështjes së aktorit Perry, prokurorët ngritën akuza jo vetëm kundër mjekëve dhe shpërndarësve të paligjshëm, por edhe ndaj ndihmësit personal të tij, i cili prokurorët thonë se e ndihmoi të merrte ketaminë dhe e injektoi atë direkt tek ai përpara se ish yllit të serialit “Friends” të gjendej i vdekur në vaskën e tij më 28 tetor të vitit 2023.
“Ata e dinin se çfarë po bënin, që ishte një rrezik i madh për zotin Perry. Por ata e bënë vijuan”, tha prokurori Martin Estrada pasi njoftoi akuzat.
Dy nga personat, mes tyre edhe një nga mjekët e akuzuar, janë arrestuar, tha prokurori Estrada. Dy nga të pandehurit, përfshirë ndihmësi i zotit Perry, pranuan fajësinë për akuzat dhe një person i tretë ka rënë dakord që të pranojë fajësinë.
Mesazhet e shkëmbyera të personave të akuzuar
Sipas hetimeve, zoti Perry iu drejtua mjekut të Los Anxhelosit, Salvador Plasencia kur mjekët e tij të rregullt refuzuan t’i jepnin atij më shumë ketaminë. Prokurorët pretendojnë se zoti Plasencia fitoi para nga dëshpërimi dhe varësia e Perry-t, duke e detyruar atë të paguajë 55 mijë dollarë në këmbim të sasisë më të madhe të ketaminës dy muaj para vdekjes së tij.
“Pyes veten se sa do të paguajë ky budalla”, shkruhet në një mesazh që i dërgoi mjeku Plasencia një të pandehuri, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Mjeku tha se ishte i pafajshëm kundrejt shtatë akuzave të ngritura ndaj tij për shpërndarjen e ketaminës. Avokati i tij tha se “mjeku nuk kishte qëllime kriminale”.
Prokurorët pretendojnë se Jasveen Sangha, të cilin ata thonë se është një tregtar droge siguroi dozat e ketaminës që shkaktuan vdekjen e aktorit.
Edhe zoti Sangha gjithashtu tha se ishte i pafajshëm. Nga hetimet ka rezultuar se mjeku tjetër i akuzuar për këtë çështje, Chavez, e ndihmoi zotin Plasencia të merrte ketaminën që iu dha aktorit Perry-t, ndërsa i njohuri i ish yllit të serialit “Friends” , Fleming, ndihmoi në marrjen e ketaminës nga shpërndarësi i dyshuar i drogës, Sangha.
Mjeku Chavez mund të dënohet deri në 10 vjet burg, Iwamasa deri në 15 vjet dhe Fleming deri në 25 vjet.
Nëse shpallen fajtorë tregtari i drogës Sangha mund të dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa mjeku tjetër Plasencia mund të dënohet deri në 120 vjet burg. Seancat gjyësore të tyre do të zhvillohen në muajin tetor.
Varësia ndaj ketaminës
Aktori u gjet në vaskën e tij më 28 tetor dhe mjekët e parë që arritën në vend të ngjarjes e shpallën atë të vdekur menjëherë.
Autopsia e tij e publikuar në dhjetor, zbuloi se sasia e ketaminës në gjakun e tij ishte e njëjtë me sasinë e përdorur për anestezi të përgjithshme gjatë operacionit.
Numri i përdoruesve të ilaçit që është në përdorim prej dekadash, është rritur viteve të fundit. Ai përdoret për trajtimin e depresionit, ankthit dhe dhimbjeve. Persona të afërt me aktorin Perry u thanë hetuesve të mjekësisë ligjore se ai po i nënshtrohej terapisë me infuzion me ketaminë.
Por hetuesit thanë se trajtimi i fundit i zotit Perry një javë e gjysmë para se të ndërronte jetë, nuk arsyeton nivelet e larta të ketaminës në gjakun e tij. Zakonisht ilaçi pastrohet nga organizmi brenda disa orësh. Të paktën dy mjekë po e trajtonin zotin Perry, një psikiatër dhe një anesteziolog që shërbeu si mjeku i tij i kujdesit parësor, thuhet në raportin e e mjeksësisë ligjore. Në shtëpinë e tij nuk ishte gjetur drogë apo ndonjë mjet i paligjshëm.
Ketamina ishte renditur si shkaku kryesor i vdekjes, ndërsa rasti u cilësua si aksident pa hedhur dyshime për ndonjë krim të mundshëm, thuhet në raport. Mbytja në ujin e vaskës dhe çështje të tjera mjekësore ishin faktorë kontribues, tha ekipi i mjekësisë ligjore.
Aktori Perry luftonte prej vitesh me varësinë nga substancat, që nga koha kur luane rolin e Chandler Bingut në serialin “Friends”, periudhë kur ai u u bë një nga yjet më të mëdhenj televizivë të gjeneratës së tij së bashku me aktorët Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer për 10 sezone, nga viti 1994 deri më 2004.
BRAVO