Thuhet se në botën e teatrit klasik është i njohur fakti që tragjeditë e Shekspirit janë elementet që i hedhin më shumë dritë komedive të tij. Dhe këtu dikush do të pyesë veten se si mund të ndodhë kjo?
Kjo ndodh pasi komedia për autorin nuk ka qënë një “rrugë e shkelur” dhe e “sigurt”!siç ishte psh. për Aristofanin në antikitet ose për Molierin në Rilindjen franceze (koha e lindjes së periudhës së klasicizmit). Prandaj nëse i referohemi bibliografisë ndërkombëtare kuptojmë menjëherë që “komedia Shekspiriane” është më tepër një dramë satirike me simetri të kundërta, sesa një komedi e mirëfilltë. “Nata e Dymbëdhjetë” është padyshim një vepër e tillë.
Këtu ndoshta duhet thënë se qëllimi i autorit, sigurisht që ishte argëtimi i publikut. Madje vepra është shkruar me rastin e natyrës festive që krijohet në fundvit, gjatë natës së dymëdhjetë pas Krishtlindjeve, ku Shekspiri i dha veprës një strukturë pothuajse “farsike”, duke përfshirë shpesh muzikë dhe vallëzim klasik.E çuditshmja është se pavarësisht shkëlqimit dhe humorit të veprës, në sfond fshihet një ton hidhërimi që do e gjejmë haptas tek të gjitha pothuajse personazhet që veprojnë.
Historia fillon me një anijembytje, ku dy binjakë me një prejardhje fisnike, Viola dhe Sebastiani, ndahen, duke menduar të vdekur njëri-tjetrin. E vetme dhe e pafuqishme, Viola vendos të vishet si djalë dhe, me emrin Cesario, prezantohet me Dukën Orsino, i cili e punëson si shërbëtorin e tij, duke i besuar t’i dërgojë letrat e tij të dashurisë së dashurës së tij Olivia. Olivia, megjithatë, kundërshton me forcë ndjenjat e tij, duke pretenduar se vajton vdekjen e babait dhe vëllait të saj. Ndonëse e dashuruar fshehurazi me Orsinon, Viola i përgjigjet me përkushtim detyrës ndërsa Olivia papritur dashurohet me shikim të parë me ‘Cezarion’. Në të njëjtën kohë, Olivia shndërrohet në një mollë sherri mes naivit Sir Andre dhe Malvolios, i cili, i joshur nga megalomania e tij, bije viktimë e një komploti të sajuar nga shërbëtorja e djallëzuar Maria.
Gjithmonë brenda linjës të lehtë dhe sarkastike të humorit anglosakson, Shekspiri prek mjeshtërisht edhe tema taboo për kohën, si dashuria, zia dhe pushteti.
Zgjedhja regjisoriale dhe përpunimi dramaturgjik nga regjisori grek Dimitris Milonas është e qartë, pasi që në pesë minutat e para ai e trajton shfaqjen si një “komedi të pastër” që provokon puplikun të qeshe. Në total dhe për rreth dy orë, mund të them me siguri se në skenën e teatrit historik A.Z. Çajupi shfaqja ka një nivel interpretimi pa dyshim të lartë. Regjisori na ka hijeshuar në një shfaqje me stil të veçante që tregon se si vijen në skenë komeditë e Shekspirit jashtë, përmes muzikalitetit dhe nodalitetit gazmor.
Lëvizja dhe koreografia, e trupës së aktorëve ishte e drejtpërdrejtë dhe groteske, në përputhje absolute me këndvështrimin regjisorial të shfaqjes. Aktorët, me lëvizje delikate, kryesisht për nga aftësitë e tyre interpretative, duket se e realizuan misionin e tyre të vështirë.
Më konkretisht, Guri Koco me artikulimin e tij shumë të mirë, gjendjen e shkëlqyer fizike dhe talentin e tejmbushur shpalos në skenë me një natyrshmëri të admirueshme rolin e Malvolio.
Guri përvijon me tepër bindje dhe pa ekzagjerime, botën emocionale të një shërbëtori megaloman që dashurohet me Olivian, duke e zhytur spektatorin me interpretimin e tij në një det emocionesh tragjike.
Si katalizator i shfaqjes qendron Zamira Kita në rolin e Marias. Aktorja e mirënjohur duke kontrolluar plotësisht mjetet e saj shprehëse dhe temperamentin e bollshëm, pikturon portretin e Marias me përkushtim dhe respekt të admirueshëm, duke i dhënë jetë për dy ore të mira një karakteri shumë kompleks.
Sigurisht mbresëlënëse ishte Luiza Xhuvani në një rol veçanërisht kërkues. Sidomos nëse merret parasysh se roli është pa gjini dhe lëviz mes një të çmenduri dhe një kllouni. Me ekspresivitet të admirueshëm dhe mjeshtëri të papërshkrueshme, ajo iu përgjigj plotësisht rolit herë nga korridorët e Teatrit mes publikut dhe herë nga skena, duke na dhënë një figurë që do të na ndjekë për një kohë të gjatë.
Gent Hazizi me një autenticitet karakteristik tregoi edhe një herë se di më së miri ti “qepë”rolet që interpreton në karakterin e tij duke u thelluar në figurën e Ser Tobit. Duke marrë përsipër një nga rolet më “rebele” arrin ta kthejë atë në një “personazh negativ” të mrekullueshëm. Hazizi e kalon personazhin nëpër shumë filtra humori dhe imagjinate, për ta ndarë me ne në versionin e tij më perfekt.
Xhuliano Brisku na dhuroi një Dukë intensiv dhe të plotë me sjellje të bukura borgjeze, finesë dhe fisnikëri që ia doli më së miri edhe në skenat dramatike, duke gjetur ekuilibrin dhe brendësinë e nevojshme për të shprehur dashurinë.
Kristian Koroveshi krijon një Ser Andrew të pëlqyeshëm, naiv dhe me natyrë të mirë, do thosha një fëmijë të madh të djallëzuar që ende dëshiron të të luajë. Por ajo që është më e rëndësishme në qasjen e tij është se ai nuk tallet me rolin për efekt komik. Përkundrazi, ai e përqafon atë dhe e “dëgjon” me vëmendje, duke i dhënë hapësirë të bollshme për të marrë frymë para nesh.
Bie në sy edhe erotizmi i performancës së Desara Xhangollit, e cila të mbush me dashurinë e fshehur për Dukën, ndërsa gjatë shfaqjes Viola e saj përbën një subjekt transformimi të vazhdueshëm siç diktohet nga natyra e saj e hutuar dhe e dashuruar.
Këtu vlen të përmendet edhe interpretimi i shkëlqyer i Paola Kodrës, Silvio Goskovës, Juxhin Plovishtit dhe Franc Bregut, që shpesh herë ishin disa role. Këta aktorë luajnë një sërë rolesh dhe e bëjnë atë në një mënyrë sa të zgjuar dhe tërheqëse. “Ndryshimet” e frymëzuara të kostumeve, përbëjnë një pikë emociononuese për shikuesin. Sidomos nëse kombinohet me shpejtësinë, shkathtësinë, muzikalitetin dhe instrumentet muzikore.
Personalisht këtë shfaqje e rekomandoj me gjithë zemër. Sidomos unë, që kam qenë i rreptë me shumë produksione që kishin të bënin me fenomenin Shekspir. Është një vepër pikë referimi, sepse përmes mjeteve të teatralitetit, që përdoren Teatri arrin të krijojë forma të reja shikueshmërie dhe të provokojë mendimin klasik.