Naser Aliji është nga Kumanova dhe në Kombëtaren kuqezi është përfaqësuesi i Iliridës, duke qenë dhe i pari në historinë e futbollit shqiptar. 21- vjeçari po bën një sezon shumë të mirë te Bazeli, ndërsa pas huazimit te Vaduzi, duket se po gjen ritmin e duhur dhe me gjigantin zviceran. Aliji ka zhvilluar ndeshjen e tij të parë me fanellën e Kombëtares kundër Armenisë, ku u aktivizua si titullar dhe zhvilloi një 90-minutësh mjaft të mirë nën fitoren 3-0 të Shqipërisë, që saldoi kualifikimin për në Europianin, i cili do të zhvillohet verën e ardhshme në Francë.
Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, djaloshi nga Kumanova rrëfen emocionet e tij dhe se kurrë nuk kishte pasur dyshim se cilën fanellë do të vishte në çastin kur në dorë ka pasur ftesën e ardhur nga Xhani de Biazi.
Së pari dua ta fillojmë me një fushatë që kanë bërë mediat zvicerane, duke e cilësuar kualifikimin e Shqipërisë si një meritë të tyre. Komenti juaj?
Po, kam lexuar edhe unë lajme të tilla. Është e vërtetë se të gjithë futbollistët shqiptarë të Zvicrës që zgjodhën Shqipërinë janë të formuar si futbollistë në klube të ndryshme të Zvicrës dhe kuptohet se kanë merita për ndërtimin tonë si lojtarë. Duhet t’i falënderojmë për investimin e tyre, por ne jemi shqiptarë dhe përkundër ftesave që kemi pasur që të luajmë për Zvicrën, kemi bërë zgjedhjen e duhur. Ka vendosur zemra për Shqipërinë dhe për këtë jemi shumë të lumtur dhe krenarë.
Si ndjehet Naser Aliji kur vesh fanellën e Kombëtares? A mendon ndonjëherë se mund të kishe veshur atë të Zvicrës, siç kanë bërë shumë bashkatdhetarët tanë?
Ndjehem shumë i emocionuar, sepse vesh fanellën më të bukur në botë, atë me ngjyrat kuqezi. Jo, s’kam menduar të vesh bluzën e Zvicrës.
Ditën që vendose të veshësh fanellën e kombit tënd, e kishe menduar se Shqipëria do mund të shkonte kaq larg?
Të jem i sinqertë, jo. Mirëpo pas paraqitjeve shumë të mira, sidomos në fushë mysafire, dhe rezultateve pozitive nga ndeshja në ndeshje, ëndrra u bë realitet.
Mendimi i parë që të ka shkuar ndërmend pas humbjes me Serbinë?
Duhet patjetër të fitojmë në Armeni.
Çfarë mendove kur De Biazi të tha se do luash titullar ndaj Armenisë?
Thashë me vete Naser o tani, o kurrë! Duhet të japësh maksimumin, sepse është një moment historik për shqiptarët. Falë Zotit ia dolëm.
A je në dijeni të debatit që po bëhet për rinovimin e De Biazit? Komenti yt?
Ajo është punë e kreut të Federatës së Futbollit të Shqipërisë dhe mua nuk më takon të flas për rinovimin e trajnerit De Biazi. Lorik Cana tha se kjo nuk është më përfaqësuesja e shtetit shqiptar, por Kombëtarja e të gjithë Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve.
E ndjen këtë gjë?
Pajtohem me kapitenin Lorik Cana se kjo është Kombëtarja e gjithë shqiptarëve, sepse në të luajnë lojtarë nga të gjitha trojet shqiptare, ndërsa kjo u pa edhe pas kualifikimit në Europian ku festa shpërtheu në të gjithë shqiptarinë.
Nëse do t’i vije një notë nga 1 te 10-ta ecurisë së Kombëtares, cili do të ishte vlerësimi yt?
Të gjithë lojtarët e Kombëtares meritojnë notën maksimale, ngaqë kemi arritur një sukses shumë të madh.
Veç lojës në grup, cila është arma më e fortë e Kombëtares sonë?
Përveç lojës kolektive, armë e fortë e Kombëtares është padyshim trajneri De Biazi, i cili ka arritur të sjellë një frymë pozitive në ekip, me plot energji për rezultate të mira. Këtu bëjnë pjesë edhe tifozët, të cilët na kanë mbështetur kudo ku kemi luajtur.
Komentet