PDK nuk i ka të gjithë deputetët që do t’ia votojnë demarkacionin, ani pse kreu i partisë, Kadri Veseli, ka filluar të flasë për votat e subjekteve tjera. Nuk dihet nëse Grupi Parlamentar i PDK’së kanë biseduar mes vete, por publikisht ka kundërthënie në deklaratat e tyre. Shefi i GP Memli Krasniqi thotë se partia ka qëndrim unik për këtë çështje, ndërsa deputeti Nait Hasani vazhdon me avazin e vjetër kundër Demarkacionit. Madje këtë e ka demonstruar duke shkuar në mot të ligë në Çakorr.
Partia Demokratike është deklaruar që nga fillimi pro demarkacionit. Edhe pse deputeti Nait Hasani ishte kundërshtues i marrëveshjes së demarkacionit, Veseli ka thënë se të gjithë deputetët e partisë së tij e votojnë.
Dje Nait Hasani i ka bërë një vizitë Çakorrit, e prej atje ka treguar se nuk i ka ndërruar qëndrimet dhe se vazhdon të mendojë se “Demarkacioni nuk duhet të kalojë”.
Në unitet të deputetëve për Demarkacion thirret edhe Memli Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar të PDK’së. Ai për Gazetën Express ka thënë se brenda partisë së tij ka qëndrim të unifikuuar për çështjen në fjalë.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës do ta votojë ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi me një qëndrim të unifikuar, dhe kjo pa përjashtime”, ka thënë Krasniqi.
Gazeta Express ka provuar të marrë një qëndrim nga deputeti Hasani, nëse do të votojë kundër ose pro demarkacionit, të mërkurën kur pritet të hedhet në votim, por ai ka qenë i paqasshëm.
Ndryshe, kryetari i PDK’së, pasi ka përshendetur të gjitha marrëveshjet mes partive që u bënë për të arritur konsensus rreth votimit të demarkacionit, po angazhohet edhe për dy-tri votat që po i duhen koalicionit qeverisës dhe LDK’së për të arritur shumicën e kualifikuar (votat e 2/3 së deputetëve) për t’u ratifikuar Demarkacioni.
Duke mos marrë parasysh shëtitjet e deputetit Hasani nëpër Çakorr, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është i bindur se në seancën e së mërkurës do të sigurohen votat për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit.
Duke llogaritur si të qena të gjitha votat e deputetëve të LDK’së, PDK’së, AAK’së, Nismës, pakicave joserbe dhe deputetëve pa grup paralamentar, gjithsej janë 78 vota, përfshirë këtu edhe votën e Nait Hasanit, që akoma s’dihet saktë nëse do të jetë pro ose kundër.
Për ratifikim të marrëveshjes po u nevojitën edhe dy vota nga Vetëvendosje apo Lista Srpska.
Veseli ka thënë mbrëmjen e së dielës se ka deputetë të Vetëvendosjes që janë të gatshëm për votim të Demarkacionit, edhe pse partia e Albin Kurtit kundërshton ashpër, duke besuar se demarkimi i kufirit me Malin e Zi i humb Kosovës 8.200 hektarë.
“Dihet një fakt se Lëvizja Vetëvendosje, përveç segment të caktuar që ka një gatishmëri ndoshta individuale të votohet demarkacioni, të shohim ditën e mërkurë, është edhe Lista Serbe e cila ende nuk e ka shprehur qëndrimin e vet”, ka thënë ndër tjera Veseli në një intervistë për Ekonomia Online.
Komentet