nga vëllimi ” LYRA “, Tiranë, 1939

O kangëtar hyjnor , a po qetsohe
Në pellgun e vorrezve të shkretueme
Prej kohës së harrueme,
Qi pasqyrohen n’ujin e Bosforit?
Përpjet nuk ke si çohe
Prej vendit ku ke mbetun,
Se zemra t’u ka tretun
Atdheun Të shohish qi aq shumë e deshe
Edhé me bukuri të mdha e veshe!
Të shohish plangun tand me breza t’raja,
Qi s’rrijn’ barijt me dhen mâ ndër kullota,
Se ka ndryshue krejt bota,
Qysh atëhere qi prej nesh u ndave.
Ah, sot me pun’ të mdhaja
Fshatarët duen të merren
Dhe tokat po u djerren,
E ferrat lulëzojn’ mbi to e bari,
Kur qaf’ e tyne xixillon nga ari!
Po kur kjo tok’ me ajk’ të kangve t’ueja
U ngjom për deri lulet sá i çeli,
Në vendin e anmikut qi luftove!
Të tretesh n’balta t’hueja
E lark prej nesh të jeshë
Dhe as nji vorr t’mos keshë,
Qi aq dëshir t’a shohish t’lir ti pate,
Kur sot n’kurris të saj ngrihen pallate!
Ngre syt nji her’ të paktën për me pamun
Sa madhëshrore duket Laberija
E ku shkrepi lirija.
Germenji me Çerçizin n’bronc u ngjallën!
Por mendjen s’e ka ndamun
Njeri për ty të sjelli,
Lirisht ku shkëlqen dielli,
E n’vorr gjarrpinjt t’rrëshqasin ty kulâr,
Qi me të Febit lyr’ vdiqe shqiptar !
E kta dy apostujt e t’uej të ngjallun,
Me ven’ të vargut tand mâ parë u dejën,
Çerçizi me Gërmenjin,
Për deri sâ n’altar t’atdheut u hudhën,
Ma par’ ti u ke kallun
Ndër zemra zjarr lirije,
Me kangët prej magjije,
Dhe kur t’shëkojn atà për rreth Shqipnis,
T’harrohesh ti ndër brigjet e Asis?
Kur përgjithmon’ ja mbylle syt ksaj bote,
Mbi vorrin tand e bani ben’ shqiptari,
Qi sà të shkoj’ barbari,
Të sjellin n’gji t’atdheut shtue me dafinë,
Por s’tingllon lyr’ e jetës
Mâ ambël n’vesh t’ktij fisi,
Qi kohja e rastisi
T’gëzohet rreth mesallës qi i shtrove
Edhe me langun e liris e kove!
Prandaj prà rrëshqanoret po përdridhen
Nëpërmjet barishtrash, hej! qi t’kan’ rrethumun
E ferra ngatarrumun
Të ngjitet n’vend të Laurit n’gur të vorrit!
Nuk ke dashnor’ të mblidhen
E të nderojn’ si duhet,
Se n’vend të kangve t’ueja na dej ari,
Në këtë gjendje sot ka ardh’ shqiptari.
Ah, pluhnin tand në zemrën e ktij vendi
Na duhesh qi ta rujshim si thesar,
Se ti i re mâ par’
Trumpetës dhe nga gjumi t’gjithë i shkunde,
Mallngjyshëm na përmendi
Fatozat lyr’ e jote,
Qi mrekulli ksaj bote
I lan’ pas vetes sâ të t’jer’ s’do t’ketë,
Prandaj ti je nji tempull i vërtetë.
E tempull deri tash po s’pate qenë
O kangëtor i vlershëm, duhet t’jeshë
Për gjindjen t’on’ pa peshë,
Qi nuk të çmon mundimin qi I fale,
E ngrite nalt atdhenë
Me përgëdheljet t’ueja,
Sà zani n’vende t’hueja
I shkoi qi ende rron në faqe t’dheut,
Burrnija dhe nder’ i Skënderbeut .
E qysh të dergjesh ti prà n’ato vise,
Qi edhè fishkujt shqip nuk fērshëllejnë
Edhè për Ty nuk vlejnë
Të amblat val’ të detit kur përplasen?
Ti gjuhën na stolise,
Por mâ nuk na ndegjon,
Dhe kur të sillesh n’templlin e gatitun,
Ahere shijen ke me ja soditun.
Por ah, ç’far’ templli? Un nuk shoh të zihet
As emni shumë i vlershëm mâ me gojë,
Se, kur nuk ka nevojë,
Nuk trakullin i vorfni mâ në deret,
Se ka kërkue lëmoshë,
Kur nuk ka qen’ shëndoshë,
Prandaj dhe mundimin kot e derdhe.
O ju shqiptar’ , qi u ndimuet nga fati,
Nuk e kujtoni emnin e Naimit
E t’prekun prej mallngjimit,
Ti bani nderin qi për të përshtatet?
Rreqethi pak nga shtati
Dhe mir’ duhet t’mendoni
E Kalkën t’uej t’kujtoni ,
Se nuk thërritet lavdërim i shtetit,
Kur kilikanza bin’ në vorr t’poetit.
Kujtoni prà se nashti koha erdhi,
Të qasni priftin pran’ qi ju bekoi,
Dikûr dhe ju pastroi
Nga t’gjith mëkatet qi me shekuj patët,
Fuqin e vet e derdhi
Përderi sa qe gjallë,
Se pati tepër mallë
T’ju shohi n’qiellin e lumnis t’bashkumun
Edhe në votrën e liris t’rrethumun.
Nëpër mbretni t’Neptunit do t’kalojmë,
Për deri sà ta sjellim me nderime,
Qi asht mbas mendjes s’ime
Shpërblim i pakët sa të mos harrohet!
Ejani pra të shkojmë
E t’mos vonojm’ mâ gjatë,
Se asht për na mëkatë,
E t’marrim çka prej trupit tij ka mbetun,
Të shkulim edhè tokën ku asht tretun.
Të shkulim, po, dhe tokën qi thërrmoi
Organet e kangtarit të liris,
Që grusht i dha robins,
Kur Turku ecte nëpër pllajet t’ona,
Rrezikun s’e peshoi
Për brezin t’on’ qi rrojmë
Dhe për flori lakmojmë,
Prandaj për na i shenjtë asht dhe dheu,
Qi ra në gjum’ të vdekjes Naim beu.
Hej, turp i ardht’ mbar’ kombit, turp pa masë,
Kur s’të kujton shërbimet o kangtàr,
Qi dhe si luftëtàr
Mâ fort kunora e liris t’dhurohet !
Po ar nji s’don t’pikasë
Nga koha e kalueme,
Se gjindja e hutueme
Asht tyke korrun farën qi ti mbolle
Dhe ka harrue qi qe ma par n’kasolle.
Por ç’shembëll do të marrë djalëria
Kur s’adhurohet lyra dhe shpata ?
Në kohët ma të gjata,
Nuk do derdhen fli n’altar t’atdheut!
Ty nuk të çmue fuqia
E t’jer nuk do guxojnë
Shtëpin e vete t’shkretojnë,
Por veç me fli qëndrojnë tokat e lira,
Prandaj në vend t’zymylit do t’binj’ fira.
As do t’guxoj njeri harpën ta preki,
Qi vetë Orfeu nji herë e tingëlloi
Dhe lisat i gëzoi,
Sà të levizin vendit nëpër prozhme,
Edhé Erinat theki
Ay me kang të veta,
Sà rishtas ju kthye jeta
Të shoqes, qi qe zhdukun e qe mbyll’
N’bretni t’errsinës, ku s’vështrohet yll.
E kur Orfeu me kang’ skëterrën zbuti,
Sà Euridicen prap e pruni n’jetë,
Për ty nuk paskan mbetë
As njerës qi me vargun tand t’mallngjehen?
Mâ par’ se ti kush luti
Gëzueshëm për me ardhë
Te na kjo ditë e bardhë,
Sà zog’ i shqipes t’endet nëpër pllaja
Të vendit t’on lirisht me kraha t’mdhaja?
Dhe ju qi dini vlerën e t’harruemit,
Aviti pran’ të gjithë e të mendojmë,
Se s’duhet të vonojmë
Në themelim t’faltores s’on’ të kombit,
Përkundi mâ prej gjumit ,
Gabimin me qindisun
Dhe prap me e stolisun,
Se si ç’do kombi qi i erdh profeti,
Nj’ashtu për gjindjen t’on’ do t’jet’ poeti.
19. V . 1934
Komentet