Ylli spanjoll i tenisit Rafael Nadal tha se tenisti serb Novak Gjokoviq do të luante në Australian Open 2022 “pa problem” nëse do të kishte dashur, transmeton Anadolu Agency (AA).
Më herët të enjten, Australia anuloi vizën e kampionit të nëntëfishtë të Australian Open, Gjokoviqit, për shkak të mospërmbushjes të kërkesave të hyrjes për COVID-19.
Nadal, 35 vjeç, tha se i vjen keq për Gjokoviqin, por se serbi i dinte rreziqet për shkak të përcaktimit të tij.
“Unë mendoj se nëse ai do të donte, ai do të luante këtu në Australi pa problem”, tha Nadal gjatë një stërvitjeje në Melburn.
“Ai i mori vendimet e tij dhe secili është i lirë të marrë vendimet e veta, por pastaj ka disa pasoja”, shtoi ai.
“Sigurisht, nuk më pëlqen ajo çka po ndodh. Në një farë mënyre më vjen keq për të. Por në të njëjtën kohë, ai i dinte kushtet shumë muaj më parë, kështu që ai ka marr vendimin e tij”, tha Nadal.
Gjokoviq, 34 vjeç, ende refuzon të tregojë nëse është i vaksinuar kundër koronavirusit.
Të martën, Gjokoviq u shpreh në Instagram se ka marr përjashtim mjekësor për vaksinimin kundër koronavirusit që do të zhvillohej në Australian Open.
Shefi i Australian Open, Craig Tiley, tha më parë se të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë lojtarët në turne, duhet të vaksinohen kundër koronavirusit ose të marrin një përjashtim mjekësor nga një panel i pavarur ekspertësh.
Kryeministri australian konfirmoi gjithashtu heqjen e vizës për Gjokoviqun.
“Viza e zotit Gjokoviq është anuluar. Rregullat janë rregulla, veçanërisht kur bëhet fjalë për kufijtë tanë. Askush nuk është mbi këto rregulla. Politikat tona të forta kufitare kanë qenë kritike që Australia të ketë një nga normat më të ulëta të vdekjeve në botë nga COVID. Ne vazhdojmë të jemi vigjilentë”, shkroi Scott Morrison në Twitter.
Pasi Australia ia kishte hequr vizën, Gjokoviq fillimisht u pyet nga Forcat Kufitare dhe më pas u dërgua në një hotel karantine në Melburn që strehon refugjatë dhe azilkërkues.
Australian Open 2022, Grand Slam-i i parë i vitit, do të mbahet më 17-30 janar në Melburn.
Gjokoviq fitoi Australian Open në vitet 2008, 2011, 2012, 2013, 2015, 2016, 2019, 2020 dhe 2021.
Komentet