I.- PUSHKATIMI I PREKË CALIT – PËR HATËR TË MALAZEZËVE
Më 23 shkurt 1945, pas disa orë udhëtimi, Prekë Cali, lis legjendar i mplakun, u ndodh ballas më kryekriminelin Mehmet Shehu, komandant i operacionit ndëshkimor komunist kundër nacionalistëve të Kelmendit.
– Pse e fëlliqe kështu o Prekë Cali? Të pati ardhë dita ta shkruaje emrin tënd me germa të arta në historinë e Shqipërisë po të luftoje me ne për çlirimin e saj…
– Nuk asht faji em…
– Po faji i kujt është?
– Faji është i juaji, që u lidhët me shkijet e Serbisë e të Malit të Zi, armiqtë tanë shekullorë. Gjithë jetën jena vra e jena pre me ta…- i vikati Prekë Cali [1] me atë trup thikadrejtë, që rrinte nja një gjysëm metri sipër atij të M.Shehut me pamje idhnaku…
Prekë Calin, “i pari ndër të parët”,[2] “margaritar i historisë shqiptare”[3],”tmerr i komunizmit”, [4] e nisën drejt qelive të burgut në Shkodër.
Më 3 mars të vitit 1945, Gjykata Ushtarake e Korpormatës III, me vendimin nr. 42, e dënoi Prekë Calin vetë të katërmbëdhjetin.[5] Më 25 mars 1945 pushkatohen në Zall të Kirit në Shkodër: Prekë Cali, Dom Ndre Zadeja, Luigj Gjeto Kastrati, Ndok Nikë Bardhoku, Arif Selim Hyseni, Ndrekë Loka, Dedë Lulash Smajli, Gjokë Nikaj, Dulë Bajrami, Maliq Bajrami, Mark Luc Gjoni, Tom Lekë Doda, Gjok Nikë Voci, Pjetër Dedë Gjodashi.[6]
“Kreshniku i Maleve”,[7]”nacionalisti kundërshtar i vendosun i të gjitha regjimeve diktatoriale”,[8] sipas dëshmive, iu drejtua trupit gjykues:
“Unë jam këtu për të marrë përgjegjësinë e luftës kundra partizanëve që u ba në Kelmend. Për tjetër gja s’keni të drejtë të më akuzoni. Kam luftue kundra shkijeve kur donin me na nda prej Nanës Shqipni dhe kam mbrojtë atë çka asht e jona.Mundësi ma të mëdha nuk kam pasë. Vërtetë jam malësor pa shkollë, por por jam shqiptar. Kurrë s’kam mendue se vlleznit e mij shqiptarë do më denonin për hatrin e malazezëve..[9]
Prekë Cali, për të mos pasë gjakderdhje të matejshme mes partizanëve e malësorëve të Kelmendit doli nga shpella e qëndresës, në Besë të Zotit (aty ishte edhe një prift), në Besë të Shqiptarit (garant Zoi Themeli, një krutan etj.), në “besë” të pabesit Mehmet Shehu, për të ba bisedime etj., ndaj në gjyq, kur iu kërkua të thoshtë fjalën e fundit, ashtu i paepun, foli:
– Ju më keni marrë në besë dhe s’kam nevojë me kërkue falje… Unë as Mbretit Zog nuk i kam kërkue falje kur më dënoi se isha opozitar…” [10]
E.Hoxha në veprat e tij e shfaq mllefin e tij antinjerëzor për Prekë Calin “me kostum kombëtar”, “që ecte kryelartë sokakëve të Gjirokastrës”, ku e kishte internuar regjimi i Zogut.
Një tjetër nga liderët komunistë, Pandi Kristo, gjatë kohës në burg, ka deklaruar: “Ata, Lleshrat (Llesh Marashi) e Prengrat (Prekë Cali) i kemi vrarë faj e pa faj vetëm se ishin katolikë. Ata po, kanë të drejtë të ankohen…” [11]
Korpormata III e UNÇSh, pas interesimit aktiv e të drejtëpërdrejtë të E.Hoxhës, urdhëron D. II-S të UNÇSh, me të deleguar e komandant operacioni, Mehmet Shehun [12]”të sulmohej Kelmendi nga pesë drejtime, të rrethohej Preng Cali dhe të kapej rob ose të asgjesohej”.[13]
Tri brigada partizane të ndëshkimit kundër 300 malësorëve të pafajshëm të Kelmendit. ( ! ).
Në fillim të shkurtit 1945 nisi operacioni frontal duke e rrethuar Kelmendin në vijën Vermosh – Nikc-Vukel – Broje – Grabom.
‘’Zona e Kelemndit e pashkelur asnjëherë nga ushtritë e ndryshme që kanë qenë,u shkel lehtësisht nga ushtria tonë. Brenda pak kohe vendi u spastrua’’-shkruhet në historikun e Batalionit II të Br. I – S. [14]
‘’Pas një dite lufte , 30 luftëtarë të Preng Calit , duke parë se nuk mund të çanin dot rrethimin u detyruan të shkëputeshin dhe të dorëzoheshin ‘’ [15] ‘’…Cali me 25 luftëtarë vazhdoi rezistencën për 7 ditë e 7 netë ‘’ [16] në shpellën e Tartashicës, që i mbeti emërvendi ‘’Shpella e Prekë Calit ‘’.
Zoi Themeli, një nga drejtuesit sektorial të operacionit ( më pas edhe antar i trupit gjykues për dënimin e Prëke Calit ) raporton: ‘’ Humbjet armike ( kështu i quan malësorët e Kelmendit ) janë 44 të vrarë , 21 të plagosur .Veç këtyre në mënyrë konspirative janë pushkatuar edhe 3 veta të tjerë se kanë qenë bashkëpunëtor të Preng Calit…….u arrestuan përsona mbështetës e strehues të luftëtarëve të rezistencës, u konfiskuan pasuritë e tundshme e të patundshme të tyre, u mblodhën 198 pushkë dhe u rekrutuan 80 ‘’ partizanë të rinj ‘’ në rradhët e Ushtrisë N.Ç. Nga ana e partizanëve mbetën të vrarë 8 partizanë dhe 8 të plagosur.’’[17]
Në Kelmend e rrethina vazhdoi terrori komunist, u krye një genocid i rrallë,me tortura nga më ç`njerëzoret : Dedë Gjon Dedës ia prenë në copa mishin e trupit e pastaj e pushkatuan. Dedë Gjon Bajraktarin,me 8 plagë në trup e dogjën të gjallë në kullën e tij. Fran Zef Bajraktarin ia nxorrën sytë dhe e varrosën të gjallë në gurët e malit. Luc Gjon Bajraktarin e prenë në qafë me bajonetë dhe e hodhën në greminë. Dedë Prekë Nikën e sollën nga kampi i Tepelenës dhe e pushkatuan pa gjyq para kelmendasve [18] etj. Në Kelmend u dogjën 34 shtëpi, në Vukël 10 shtëpi, në Nikç 7 shtëpi etj.
II. – Prekë Cali – Piramida e kufijve
Një nga nacionalistët më të njohur, Prekë Cali nga Selca, i vllaznisë Hasanaj, mburojë e hekurt e trojeve etnike shqiptare, i fist Kelmend, Martir i Demokracis , u lind më 29 korrik 1878 , në vitin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, [19] ishte një nga tre fëmijët e Cal Metit (Preka, Toma, Lula).
Në vitin 1913, kur u vendosën në hartë kufijtë e Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, Prekë Cali ndikoi në shtyrjen e tyre, duke kambngul me i vendos shenjët te varri i luftëtarit shqiptar Memë Smajli [20]
Tek portreti i Preke Calit gjejmë bukurinë klasike të malësorit shqiptar, [21] luftëtarin e sakrificës vetmohuese për mbrojtjen e truallit amtar aqsa është cilësue ‘’piramidë e kufijve të Shqipërisë’’,pasi nuk lejoi që Vermoshi t`i copëtohej trungut të Shqipërisë. Ndër thëniet e tij visare veçojmë : ‘’ Shqipëria pa Vermoshin do të ishte një trup pa krye,[22] dhe ‘’ Ne nuk marrim pare as flori,sepse nuk ua shesim fëmijëve tanë atdheun e tyre.’’[23] I refuzoi edhe ‘’tre mushka me dukat që ia kishte premtuar krajl Nikolla i Malit të Zi ‘’[24]
Disa herë e ngriti zanin në kanceleritë europiane, te Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve, kundër çopëtimit të kombit shqiptar më 1913, sepse malazezët donin ta merrnin Vermoshin. Ai, si ‘’ përfaqësuesi i shqiptarëve në komisionin e kufijve’në këtë krahinë, qëndroi i patundun dhe i pandalun ndaj malazezëve ‘’ duke ua fundosë planet e tyre djallëzore në ujërat e lumit Cen’’, sepse nuk mundën të merrnin asnjë pëllëmbë tokë nga Kelmendi 25.
Në Vermosh, kur po caktohej vija e kufinit, me malazezët shkoi fjala te alltia e gjaku do ta thante barin, ndaj zgjuarsia e urtia e ndalën gjakderdhjen. Nisur nga E Drejta Zakonore Shqiptare, Komisionerët Europianë e pala Malazeze, kërkuan që Prekë Cali të bante be e të ecte me gurë mbi shpinë andej vijës tokësore që thoshte se është tokë shqiptare.
Prekë Cali heq plisin e bardhë, kthehet me fytyrë nga bjeshkët e Vermoshit, ulet në dy gjunj, bani kryq, thërret si dëshmitar Zotin e Engjujt për të dëshmuar. Nga ky betim hyjnor i dalë prej shpirtit të tij përkthyeses i ranë lotë… Pasi e bani Be-në, ngrihet në kambë, bani kryq dhe e mori gurin mbi shpinë që vet KNK e kishte caktue e, sipas gojdhanave të derisotme, thuhet se peshonte nja 150 kg. Me atë gurë në shpinë, për disa kilometra, iu prini KNK përgjatë vijës së kufinit tokësor Shqipëri – Mali i Zi e KNK i vendoste shenjat në tokë e në harta. Dëshmitarët e atëhershëm kanë thanë se pas djersve kanë pa që nga balli t’i rridhte gjak… Kanga popullore e përjetsoi: “Gjithka shkoi Preka tue prij,/ Njatu u ngul gur e kufi/…”.
Historia i ka të shkrueme përpjekjet e Prekë Calit, të Kelmendit e të Malësisë së Madhe për ruajtjen e kufijvë të Vermoshit, duke apelue tek kancelaritë perëndimore, tek e mbajt gishtin te pushka, gjersa kjo çështje u mbyll nderkombëtarisht. Po prapë Prekë Cali nuk e largoi synin e pushkënnga kufini, siç shkruajnë edhe dokumenta të kohës: “Prekë Cali gjatë kohës së okupacionit italian me 500 vullnetarë e ruante kufinin e rendin në Kelmend” 26
III.- PREKË CALI GUR I NGULUN I TROJEVE TONË ETNIKE
Prekë Cali që bani luftë ballas me otomanët në mbrojtje të Kelmendit në prill – qershor të vitit 1911, në atë periudhë të kryengritjeve për pavarësi kombëtare. 27[25] Gazeta të huaja, si ajo malazeze ‘’Cetinjski Vjesnik ‘’ shkruajnë se ‘’Ushtria turke në numër më të madh, me armë dhe municion,me shumë pushkë dhe topa,me ushtarë të stërvitur dhe oficerë të shkolluar,megjithatë nuk arriti të thejë vullnetin e Kelmendasve për liri’’.28 [26] Në këto luftime banë histori prijsat e luftëtarët Uc Turku e Prekë Cali, Dedë Gjo Luli, Sokol Baci, Mirash Luca, Tom Nika, Fran Pali, Mehmet Shpendi, Luc Mark Gjeloshi, Marash Ujka, Mac Luca, Tom Prela, Marash Marku, Luc Shqutaj, Vat Gjeli, Luc Lloshku, Uk Gjelosh Leka, Marash Preka, Kole Ujka, Zef Preci, Pjeter Mark Rudi, Nokë Marsh Ujka, Marash Prek Ujka, Gjek P.Marku, Zef P.Marku, Pjetër Gjoka etj.
Me iniciativën e Komitetit të Podgoricës, krerët e fiseve kryengritëse të Malësisë së Madhe, më 23 qershor 1911, u mblodhën në një kuvend të përgjithshëm dhe paraqitën kërkesat e tyre në një dokument të veçantë, që hyri në histori si ‘’Memorandumi i Grecës’’ose ‘’Libri i Kuq’’,të cilin, më 26 qershor 1911, ia paraqitën Fuqive të Mëdha. Aty u ngritë edhe Flamuri Kombëtar Shqiptar.
Në prill të vitit 1941, Prekë Cali bashkë me vullnetarët e tij, e ngriti Flamurin Kombëtar Shqiptar në komunën e Gucisë dhe e shpalli bashkimin e kësaj krahine me shtetin amë, me Shqipërinë. E ngriti Flamurin edhe në Qafë të Previsë, nja 5 km larg Murinës në Plavë, etj. Kërkoi vendosjen e administratës shqiptare në Malësi të Madhe, ndaj në qershor 1941 shkoi edhe në Tiranë.
Prekë Cali në vitet 1924 – 1938 çeli edhe disa shkolla e objekte kulti (si kisha e xhami) në qytetin e Shkodres dhe në fshatrat e tij.
Prekë Calin për qëndrimet e tij ndaj regjimit të Zogut, si në vitet 1923-1925, arrestohet, burgoset dhe internohet në Gjirokastër, gjersa Zogu, më 16 shkurt 1927, ia fal dënimin. 29
Zogu e thërret në rezidencën e tij në Tiranë, ku, në mes tjerash, i pohon:
” Të burgosa si kundërshtar, po të liroj kur u binda se je atdhetar”.
Përveç kësaj, e dekretoi kapiten në rezervë, i dhuroi nagantin me dorezë të bardhë të shkruar “A.Zogu. I”, e, pas disa ditësh, në një miting popullor në Shkodër, para mijëra vetëve, i kërkoi të falur etj.
Regjimi sllavo-komunist i E. Hoxhës e kërkonte kokën e nacionalistit Prekë Cali, sepse veprimtaria e tij e kahershme dhe e mavonshme binte ndesh me interesat serbe e malazeze dhe ishte një antikomunist i njohur. Nuk është as pak e vërtetë se Prekë Cali donte luftë civile me komunistët partizanë, përkundrazi vijnë dëshmitë: “… Prekë Cali me burra të mirë të Maleve Tona po përpiqen me ruejtë vendin nga lufta civile. Jugosllavët s’po lanë gurë pa luejtë për me e fillue, natyrisht për me e shkatrrue Shkodrën me të gjitha krahinat” 30
Ende “Viganit të Kelmendit” 31, “Divit të Malësisë së Madhe” 32, nuk iu kanë gjetur as eshtrat, që prej kohës së pushkatimit të tij nga komunistët më 25 mars të vitit 1945.
Më 15 qershor të vitit 2001 u përurue shtatorja e Prekë Calit në qytetin e Shkodrës, (në 350 m2 vend), ku gdhendet mbishkrimi: “Prekë Cali, luftëtar i shquar prej Kelmendi, mbrojtës i pamposhtur i kufijve të Shqipërisë”.
Presidenti i Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha, me dekretin Nr. 569, datë 25.06.1993, e ka shpallur “Martir i Demokracisë”, me këtë motivacion: ” Atdhetar i flaktë i të gjitha kohërave, strateg i kompletuar, komandant i pagabueshëm i Malësisë së Madhe, me mish e me shpirt demokrat dhe qëndrim burrëror”.
______________________________
[1] Dr. Luigj Martini. Prekë Cali, Kelmendi dhe kelmendasit. Monografi. Shkodër, 2005. fq. 288-289.
2 Rrok Frangaj. “Prekë Cali – Primus inter pares”. Gazeta “Liria”. Tiranë, 21 shkurt 1996.
[3] Gj. Buzheta, deputet i Malësisë së Madhe. Nga fjala në përurimin e shtatores së Prekë Calit në Shkodër. 15 qershor 2000
[4] L.Rrakaj. Kryetar i rrethit të Malësisë së Madhe.Po aty. Shkodër. 15 qershor 2000.
[5] Për ditën e gjyqit jepen data të ndryshme. Më i sakti duhet të jetë ky burim zyrtar. Dëshmi. Ministria e Drejtësisë e RSH. Tiranë. 18.II.1993 dhe Vërtetim nga Dega e Rendit Publik (MRP e RSH) në Shkodër. Nr. Regj. 13, dt. 02.10.1992.
[6] Emrat janë marrë nga disa burime, duke iu referuar tre prej tyre që i japin më saktësisht.[7] Halil Buçpapaj. Kreshta historie në Kelmend. Monografi. Tiranë, 2003.
[8] Mentor Quku. Drejtor i muzeut të rrethit të Shkodrës. Nga kërkesa nr. Prot. 111/1, datë 23 tetor 1998, drejtuar KM të RSH etj. për ngritjen e shtatores për Prekë Calin në qytetin e Shkodrës.
[9] Referuar nga disa burime të shkruara.
[10] Luigj Martini. Vepër e cekun. Fq. 293.
[11] Dr. Pjetër Pepa. Dosja e Diktaturës. Tiranë, 1995. fq. 176.
[12] AQSH.F.177. D.32. v.1945.
[13] AFA. Fondi i Div.II-S, Kutia 1.Dosja 117. v.1945.
[14] AQSH. F. 177, D. 32. v. 1945.
[15] Arkivi i MPB. Dosjet gjyqësore. V.1945.
[16] AQU. Buletini ‘’Ushtari i Ri ‘’.v.1945,fq.35.
[17] AQSH. Fondi i Korpormatës III.Kutia 1. D. 13 .v 1945.
[18] Uran Butka .Lufta Civile në Shqipëri.1943-1945. Monografi .Tiranë,fq.581-602.
[19] Datëlindja ma e saktë e Prekë Calit është kjo, pasi vërtetohet edhe sipas dekumentacionit në zyrën e gjendjes civile të Koplikut, kryeqendra e rrethit të Malësisë së Madhe, në bazë rë regjistrit themeltar të fshatit Vermosh, Nr. 67/113 të vitit 1930.
[20] Memë Smajli, djalë axhe i Prekë Calit, e la amanet: “Më varrosni në bjeshkën time të Pojanicës që ta dijnë malazezët se kjo asht tokë shqiptare”. M.Smajli ishte një trim i madh, aq sa malazezët iu thoshin fëmijëve: “Heshtni se po vjen Mema!”.
[21] Agron Gjokmarkaj. Prekë Cali,ndërgjegje e vrarë e historisë. Gazeta ‘’ Tribuna Demokratike ” Tiranë,27 tetor 1995.
[22] Sokol Pepusha.Tribuni i Shqipërisë përbindësh për Enver Hoxhën. Gazeta ‘’55‘’.Tiranë, 5 korrik 1998.
[23] Gjehë Gjonaj.Prekë Cali. Piramidë e kufijve të Shqipërisë.Monografi.Tiranë,2005 f.49.
[24] Kolë Progni . Malësia e Kelmendit. Tiranë,2000. f.166.
25 K.Kunora. M.Mirashi. E burgosi Ahmet Zogu dhe e pushkatoi Enver Hoxha.Tirane, 25 tetor 1991.
26 AQSH i RSH (Origjinali italisht) Fondi 160. Dosja 109. Fleta 2-3. v. 1942. 27 Revista ‘’Hylli I Dritës ‘’.Nr.1,Vjeti 1932,fq 582/Dr.Luigj Martini.Prek Cali,Kelmendi dhe kelmendasit.Monografi,Shkodër.2005,fq 51 /Revista ‘’Leka’’,Vjeti 1937.fq.372/.Halil Bucpapaj.Kresha historie në Kelmend.Monografi,Tiranë,2003/’’Kryengritje e Malësisë,1911.Materialet e simpoziumit shkencor,Tuz,2001./At Kolë Berishaj.
‘’Ndër e burrni ndër Malet tona’’,Shkodër,2003/Dom Nikë Ulqini.’’Kryengritja e Malësisë,1911.
(Materiale të simpoziumit shkencor ),Tuz,2001./Pjetër N.Ivezaj.’’Kryengritje e Malësisë’’,1911.Po aty./ etj.
K.Kunora. M.Mirashi. E burgosi Ahmet Zogu dhe e pushkatoi Enver Hoxha.Tirane,25 tetor 1991.
28 ‘’Cetinjski Vjesnik’’. Nr 41. Dt.28 maj 1911.
29 Demokratik. Gazetë e Gjirokastres. Nr. 90/4. dt. 19.02.1927 30. Prenk Gruda. Ditari i nji zemre të lëndueme 1937-1975. Botue Detroit, USA, v. 1983. f. 393.
31. Revista “Jeta Katolike”. Nju York. 1999. f. 17.
32. Gazeta “Ora e Shqipnisë së Re”. Tiranë, tetor 1998
Komentet