Të shtutën në sallën e konferencave të Hotel “Oxford” në Tiranë, Shtëpia Botuese “Nacional” dhe gazeta letrare “Nacional” organizuan prezantimin e librit të Ali Bajram Doçit, “Tplani vendlindja ime”.
Ali Bajram Doçi dhe Dr. Mujë Buçpapaj
Në veprimtarinë e moderuar nga Dr. Mujë Buçpapaj, botues i Nacional, morën pjesë dhjetra njerëz nga komumiteti i shfatit Tpla, shkrimtarë, artistë, mjekë, inxhinierë, sportistë, professorë Universiteti, ushtarakë të lartë dhe itelektualë të mirënjohur në nivel kombëtar, me origjinë nga Tplani i Krasniqes, Tropojë, por edhe miq të komunitetit të Tplanit.
Në fillim të veprimtarisë u lexua shkrimi i poetit dhe publicistit të shquar Skënder Bucpapaj, i bërë për monografinë e Ali Bajram Doçit, “Tplani vendlindja ime dhe të nisur nga Zvicra ku edhe jeton prej vitesh, në të cilën bëhej një analizë e hollsishme për librin. Ai çmoi punën e autorit si një trashëgimi për brezat e rinj që pavarësisht ku jetojnë në Shqipëri apo botë të mësojnë për origjinën e tyre dhe fsahtin e bukur të Tplanit.
Në vijim folën për librin, Dr. Mujë Buçpapaj, prof. Ibish Doçi, prof. Çelë Hajdari, publicisti dhe poeti i mirënjohur Halil Buçpapaj, ushtaraku në pension Abaz Musa, kolonel Qemal Bashkurti, agronomi i shquar Nazim Ponari, mesuesja veterane Sanie Doçi Çela, prof. Frrok Vukaj, prof. Sadri Ponari, kryetari i shoqatës Bytyci Agron Gjedia, juristi i njohur Ilir Haklaj etj.
Ne pamundesi per te marre pjese, derguan pershendetjet e tyre edhe prof. dr. Lisen Bashkurti dhe prof. dr. Petrit Malaj.
Na ka bashkuar sot një ngjarje e gëzuar: libri i Ali Bajramit “Tplani vendlindja ime”.
Ne të gjithë, të rinj apo të moshuar, kemi kujtimet dhe njohjet tona për fshatin tonë. Por Ali Bajrami, ndryshe nga ne të tjerët, ka edhe kujtimet katër brezave të tplanasve dhe shënimet e tij të ruajtura me shumë zell dhe dashuri gjatë një jete.
Aliu ka ditur, me mençuri, të hedhë dritë mbi një veçanti të rrallë në veriun e vendit tonë dhe unike në Malësinë tonë. Tplani, si asnjë fshat tjetër, është përbërë nga familje me prejardhje nga fshatra të ndryshme të Krasniqes, por edhe të fiseve të tjera. Në libër kategorizohen të gjitha këto prejardhje dhe karakterizohet bashkëjetesa e ndërtuar mbi ligje e rregulla të pashkruara, por të respektuara dhe të pasuruara nga brezi në brez gjatë më shumë se një shekulli e gjysmë të historisë së Tplanit.
Tplani është shembull i përkryer i bashkëjetesës së mrekullueshme fqinjësore të të ardhurve nga vllazni të ndryshme të fshatrave Gri, Bujani, Geghysen e tjerë. Krahas konfigurimit natyror të tij nga kënetë në një fshat gradualisht të banuar, ka ndodhur edhe popullimi i Tplanit dhe përshtatja e tij si fshat me bujqësi, blegtori dhe bletari të zhvilluar.
Autori i librit i hamonizon bukur të dhënat historike, me të dhënat natyrore, të dhënat e popullsisë, të zhvillimit arsimor dhe kulturor e të ndihmesave që dha populli i fshatit tonë në ngjarjet e krahinës sonë dhe të vendit tonë.
Autori thekson bukur edhe një karakteristikë tjetët të veçantë të Tplanit. Duke u përbërë nga familje që zbritën nga fshatra e fise të ndryshme, Tplani ka përshtatur edhe natyrën rreth e rrotull. Secila vllazni në fshatin tonë, krahas atyre të përbashkëta, ka kullotat e tij të veçanta për bagëtinë, ka ngastrat e tij pyjore, zabelet e tij, të cilat i ka shfrytëzuar, siç ka mullinjtë e blojës, jazet e vaditjes e tjerë.
Tplani e shtrin veten edhe larg tij, në bjeshkët e shumta, të ulta e të larta. Tplanasit gjatë tre muajve të verës bashkoheshin me vllaznitë e fiset e tyre të prejardhjes, me të cilat vazhduan t’i ruajnë festat dhe ngjarjet familjare.
Në Geghysen, në Gri e në Bujan secila familje e fshatit tonë i ruajti edhe kashnjetet e gështenjave.
Në pranverë dhe në vjeshtë, në livadhet që ishin pronë e fshatrave të prejardhjes, Tplani gjallërohej me tufat e bagëtive, stanet dhe torishtat e shumta.
Me këtë harmoni erdhi Tplani në kolektvizimin e bujqësisë, një zhvillim fatkeq, pra, për të ardhmen, por edhe me rolin pionier të kolektivizimit në Malësi dhe në gati gjithë Veriun.
Libri “Tplani vendlindja ime” nënvizon se, ndonëse kooperativa më e hershme, Tplani mbeti një ndër kooperativat më të prapambetura. Kolektivizimi tronditi të gjitha strukturat tradicionale të ndërtuara me aq kujdes dhe përkushtim nga gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë.
Ali Bajrami e shkruan librin e tij “Tplani vendlindja ime” për një qëllim të madh: që tplanasit e lindur jashtë Tplanit, jashtë Malësisë apo jashtë Shqipërisë ta njohin sa më mirë fshatin e prindërve, gjyshërve, stërgjyshërve dhe të mos i shkëputin kurrë lidhjet me të, që të mendojnë gjithmonë për t’ia rikthyer jetën fshatit tonë, i cili me veçantitë e tij, me pasuritë e tij, me begatitë e tij, me njerëzit e tij të talentuar në kulturë, art, ekonomi, biznes e tjerë mund ta bëjë Tplanin, siç e ka përcaktuar vetë Zoti: një hambar për krejt Malësinë e më gjerë.
Ky kënd perspektiv nuk mbetet jashtë vemendjes së autorit, i cili është një ndër themeluesit dhe drejtuesit e parë të degës së Partisë Demokratike në fshat, një ndër themeluesit e pluralizmit demokratik.
Jam i bindur se libri i Ali Bajramit, “Tplani vendlindja ime” do të ketë së shpejti ribotime të tjera. Sepse ai zgjon interes të madh jo vetëm për ne tplanasit në fshat, në Malësi, në Shqipëri apo kudo në botë, por edhe për ata që i kanë nënat e tyre nga Tplani, që i kanë gjyshërit dhe gjyshet e tyre nga Tplani.
E përshëndes nga zemra autorin e librit, Ali Bajramin, përherë një malësor i urtë, fisnik dhe i zgjuar, si dhe të gjithë të pranishmit në këtë promovim të bukur të librit të tij “Tplani vendlindja ime”.