Uroj të jeni duke pushuar në ndonjë vend të freskët në bjeshkët e Malësisë së Madhe, në Voskopojën e bukur apo gjetiu në bregdetin e Adriatikut a të Jonit bashkë me njerëzit tuaj të afërm, miqtë a shokët.
Unë po pi një kafe nën hije të do pishave në Durrës, te “Diamma”, por po shoh se, në mënyrë sistematike, të gjitha rastet e gabimeve gramatikore që i kemi cilësuar jonormative (sepse janë të tilla) po përdoren pa asnjë grimë keqardhjeje a turpi.
Një sy i shpejtë i lajmeve në faqet e ndryshme interneti na tmerron me gabimet e pafalshme që bëhen në njoftimet, lajmet, analizat dhe reklamat etj.
1. Përçudnime të palejueshme leksikore dhe semantike.: shi agresiv- në vend të shi rrëmbyeshëm; rrugë të aksesueshme- në vend të rrugë të kalueshme; ma trego lokacionin ku ndodhesh etj.
Kush është problemi? Kush është zgjidhja? Kush është shqetësimi?
2. Alert dhe alertohem dhe një rrjedhë e pandalshme fjalësh të huaja të kota, si fokus, fokusim, dakordësim etj.
3. Shtrembërime të drejtshkrimit e të normës gramatikore te emrat e përveçëm të huaj. P.sh.: A e duan rusët Putin? (Euronews, 12 prill 2022)
4. Ishte duke konsumuar kafen e mëngjesit.- Në vend të formës normale: duke pirë kafen.
Dhe, deri titujt kryesorë të lajmeve në internet kanë këso gabimesh, pak të thuash trashanike, si p.sh.
Titulli me gabim themelor gramatikor: “O ti o unë këtu!”, me kë kryebashkiak e ka Rama: ..” Balkanweb , 22 korrik, 2022
Ju uroj të diel të këndshme, por duke “konsumuar” kafen e mëngjesit, po pyes veten (dhe Ju ndjekës të faqes sonë, po edhe të gjithë gjuhëtarët, arsimtarët dhe dashamirët e shqipes e të shqiptarisë): Kujt t’i qahemi? Kujt t’i ankohemi për këtë gjendje papërgjegjshmërie të ushtruar mesa duket në mënyrë të qëllimshme nga qarqe të caktuara antishqiptare.
Ndoshta ka ardhur koha që, për të kushedisatën herë, ta zbrazim edhe një të shtënë për mungesën e disiplinës gjuhësore të shtetit e duke i kritikuar shkruesit e botuesit e papërgjegjshëm.
Mbase duhet diçka më shumë dhe më trandëse sesa një artikull në shtyp. Siç pat bërë dikur Leon Tolstoi me artikullin e tij të famshëm “Nuk mund të hesht!”.
Pra, a thua po heshtim pa të drejtë, apo le të bëjnë dhe me gabimet gjuhësore si me legalizimin e ndërtimeve pa leje?
Ia kalofshi sa më këndshëm të dielën e sotme, që është dhe dita e ndërrimit të presidentëve, po edhe le të urojmë që, sidoqoftë, ardhtë dita që të ndërrojë edhe qëndrimi ndaj gjuhës shqipe.
Ardhtë, më në fund, dita kur të gjitha reklamat dhe krejt praktika shkrimore zyrtare e publike të kalohet në procesin e redaktimit gjuhësor, duke punësuar korrektorë për gjuhën shqipe, ashtu si veprojnë të gjitha vendet e shtetet e Evropës së qytetëruar.
Komentet