Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në një konferencë për media ka shpalosur detajet nga takimi i ambasadorit Jetish Jashari me tre zyrtarët policorë që po mbahen në qendrën e paraburgimit në Kralevë.
Gërvalla ka treguar se takimi i ambasadorit Jashari me tre oficierët, Beqir Sefa, Rifat Zeka dhe Shemë Mustafa ka zgjatur 15 minuta me secilin prej tyre.
“Takimet janë mbajtur të ndara nga 15 minuta secili, dhe ata kanë treguar ngjarjen e rrëmbimit të tyre”, ka thënë Gërvalla.
Ministrja ka ndarë detaje nga biseda që kanë pasur tre oficerët me ambasadorin Jashari.
“Ata kanë theksuar si në vijim: Më 14 qershor rreth orës 12:30 minuta duke ngrënë drekën papritmas janë rrethuar nga rreth 15 persona të uniformuar të cilët më vonë kanë rezultuar të jenë pjesëtarë të forcave të sigurisë së Serbisë, të cilët i kanë sulmuar dhe çarmatosur dhe pastaj me thes në kokë i kanë dërguar tek makinat e tyre”, ka thënë Gërvalla.
Ministrja ka shtuar se zyrtari policor Beqir Sefa ka theksuar se disa nga pjesëtarët e forcave të sigurisë së Serbisë kanë shkrepur armët në ajër.
“Në momentin e kidnapimit ata kanë qenë duke ngrënë drekë në tavolinën e improvizuar e cila menjëherë është afër gropës së parë dhe 15 metra larg gropës së dytë. Gropat hapen për të bllokuar kalimin përmes rrugëve ilegale. Të dyja gropat janë brenda territorit të Kosovës, sepse ne nuk hapim gropa në territorin e Serbisë”, ka treguar tutje Gërvalla.
Ministrja e MPJD-së, ka shtuar se pas kidnapimit ata janë dërguar brenda territorit në Rashkë ku pas një ore kanë ardhur forcat tjera të Serbisë dhe i kanë dërguar në Beograd, ku janë mbajtur deri më 16 qershor ku ka skaduar afati prej 48 orësh i mbajtjes në polici.
“Kanë treguar se nuk janë maltretuar fizikisht, mirëpo nuk iu është dhënë ushqim i mjaftueshëm vetëm nga një copë bukë. Ndërkaq Shem Mustafa i cili ka probleme kronike shëndetësore i është dhënë vetëm një injeksion dhe një pompë me frymëmarrje. Nga momenti i shqiptimit të paraburgimit ata janë vendosur në Kralevë, janë në dhoma të veçanta. Sipas tyre trajtimi është korrekt, u jepet ushqim në baza të rregullta ditore edhe pse cilësia është jo e mirë”, tha Gërvalla.
Gërvalla shtoi se Shem Mustafa ka treguar se ende i mungojnë medikamentet bazike dhe se kjo po ja vështirëson qëndrimin në burg.
“Ata janë takuar edhe me avokatët mbrojtës. Ju është thënë se mund të vizitohen nga familjarët e tyre ditën e premte”, tha Gërvalla.