Duke shfletuar skedarët, fotot dhe fletpalosjet e premierave të arta të Operës Shqiptare të një epoke bardh e zi, është e pamundur të mos përballesh me emrin imponues të sopranos Myzejen Mullaj.
E Lindur më 15 maj 1940 në Bilisht të Korçës, erdhi në Tiranë me prindërit e saj kur ajo ishte vetëm 1 vjeçe dhe spikati që në klasën e 3-të fillore në fushën e muzikës. Myzejen Mullaj konsiderohet si një nga personalitetet e para muzikore shqiptare që debutoi në Shtëpinë e pionierit të Tiranës duke mahnitur profesionistët e kohës me aftësitë e saja vokale.
Në një kohë të shkurtër ajo u bë e njohur gjerësisht në rrethin muzikor të kryeqytetit dhe në adoleshencë arriti të bëhej një nga këngëtaret e reja më të njohura në Shqipëri. Në këtë klimë, ajo vazhdon studimet për muzikë në Liceun e Tiranës, pranë profesor Maliq Herrit ku përzgjidhet si një talent i jashtëzakonshëm për të vazhduar për kanto në Republikën Popullore të Bullgarisë.
Megjithatë, fati nuk qëndroi në krahun e saj, ngjarjet e mëdha shoqërore dhe politike që shënuan Evropën Lindore në fund të viteve 1950 dhe mosmarrëveshja strategjike midis Nikita Hrushovit dhe Enver Hoxhës, do shkaktonin prishjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Republikave popullore, duke kthyer mijëra studentëve shqiptarë sëbashku me Myzejen Mullajin mbrapa në Shqipëri. Kështu ajo do të vazhdonte studimet për kanto në Konservatorin e Tiranës pranë të madhit Ramiz Kovaçi.
Ende studente në konservator, Myzejen Mullaj do të shkëlqejë në rolin e Borëbardhës nga melodrama e Nicolai A. Rimsky-Korsakov dhe në fillim të vitit 1965, do mbrojë diplomën me një koncert me 8 pjesë. Në shtator po të 65, emërohet si soliste në TKOB mes emrave kryesore të muzikës operistike vendase që themeluan institucionin.
Debutimi i saj në skenën e madhe të TKOB do të bëhet me rolin e Davës nga Opera “Mrika” e Prenk Jakovës më 16.09. 1966 pranë emrave më të mëdhenj të TKOB si Nina Mula, Irena Gjerga, Tefta Çavo, Rozmari Jorganxhi, Avni Mula, Mentor Xhemali, Lukë Kaçaj, Ibrahim Tukiçi, Hysen Pelinku, Shpresa Nishani etj
Në vitin 1971 krijon mirë figurën e Myzetës në opera “Bohema” e Puçinit. Emri i saj shfaqet paralelisht tek të gjitha ngjarjet e mëdha muzikore të kohës duke dhenë edhe dhjetëra koncerte në të gjithë Shqipërinë në fshatra, qytete, kooperativa, ndërmarrje, shkolla etj.
Viti 1972 do mbetet një vit historik si për vetë Myzejenin ashtu edhe për Liceun e Tiranës, pasi atë vit ajo fillon atje si pedagoge e jashtme për të dhënë mësim. Aty do të bëhej edhe “pagëzimi” i saj nga këngëtarja simpatike e skenës së TKOB tek Zysh Myzejeni që do takonin dhjetëra nxënës të Liceut në udhëtimin e tyre muzikor. Dhe disi kështu, atje do të takojë edhe nxënësen e saj të parë, të madhen Irma Libohova, me të cilën vazhdojnë të ruajnë të njëjtën marrëdhënie të ngrohtë deri sot, që po shkruaj këto rreshta.
Një rol tjetër është ai i Enrietës tek opera “Dhendri u transferua” e Agim Prodanit në vitn 1974 dhe një vit më vonë do risjellë serisht rolin e Davës nga Opera Mrika. Njohja e saj e madhe do të vijë në vitin 1979 kur do të interpretojë rolin e vështirë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rossinit, duke i dhuruar publikut një nga shfaqjet më të bukura që kanë kaluar ndonjëherë në skenën shqiptare. Atëhere kapërcen me sukses nëpërmjet vokalit të saj Barbarinën te Dasma e Figaros.
Në operën Vjosa e Tish Daisë (1980) debuton në rolin e Lules dhe në operën “Toka Jonë” e Kompozitorit Pjetër Gaci, premiera e së cilës u shfaq më 6.06.1981.
Në një epokë krejt ndryshe nga Shqipëria e sotme, me kushte të ndryshme pune për Artistët, me presion dhe censurë, Muzejen Mullai zgjodhi të ruante identitetin e saj si mësuese dhe si familjare, plotësisht e vetëdijshme për dimrin e madh që po kalonte arti shqiptar. Në bazë të legjislacionit të kohës, ajo doli shumë herët në pension, si shumë kolege të tjera.
Por duhet theksuar se në ecjen e saj modeste në rrugën e vështirë të artit shqiptar, ajo shijoi plotësisht ngrohtësinë e skenës dhe duartrokitjet e publikut, ndihmoi dhe trajnoi dhjetëra artistë të rinj për të gjetur rrugën e tyre duke lëshuar një shkëlqim tjetër, të panjohur në Shqipërinë socialiste. Sot ajo jeton në Tiranë me familjen e saj dhe është një monument kulture i gjallë. I urojmë shëndet, krenari, frymëzim. Për ne të rinjtë është dhe do mbetet një pikë referimi unike. Përqafime zysha.