Ashtu të kuqrremtë në kujtesë më mbetët,
Muzgje të fëmijërisë sime në vendlindje,
Me pluhurin tuaj të imët ngjyrë rozë,
Plot gjurmë dythundrakësh dhe gishtërinjsh!…
Me kumbullat e vjetra rreth shtëpive,
Duke gdhendur emrat tanë në lëkurët e tyre,
Miq të çerdheve, besimtarë të përrallave të gjysheve,
Për dhelpra, dragonj, kuçedra e diva!…
Muzgje të dashur, piktura plot pluhur të viteve,
I dhembshëm tingëllon ende në kujtesë
Zëri i plakut Niman, kur të birin e thërriste:
“O Haxhi!” matanë lumit, nga një breg…
Ku është vallë, ajo me të cilën luaja,
Te kuvlia jonë e fshehtë, atëherë,
Te një mullar sane që dimrit i kishte shpëtuar
Dhe tani për të më pyet çdo pranverë!
Komentet