Muzeu i FIFA-s, në qytetin e Zyrihut, përballë selisë qendrore të Federatës Botërore të Futbollit, e kremton tetëvjetorin e tij më 28 shkurt, me një rekord të vërtetë vizitorësh. Më 2023 shtëpia e historisë dhe kulturës ndërkombëtare të futbollit, arriti një moment historik të ri, duke mirëpritur 273 000 vizitorë, numri më i lartë që nga hapja e tij në Zyrih tetë vjet më parë. 350 000 vizitorë të tjerë në internet eksploruan ekspozitat dixhitale të muzeut, ndërsa gjashtë milionë fansa në mbarë botën u angazhuan me përmbajtjen kulturore dhe edukative të muzeut gjatë gjithë vitit.
Një metropol bregujor me pamje të mrekullueshme të Alpeve të mbuluara me borë në horizont, Zyrihu, i njohur si fuqia ekonomike e Zvicrës, si një ndër pesë qendrat financiare më të mëdha të botës, ai është edhe qendra kulturore e Zvicrës, duke ofruar një përzierje unike atraksionesh me më shumë se 20 muze, disa koleksione publike dhe mbi 100 galeri arti. Me qendrat e shumta kërkimore, universitetet dhe selitë e kompanive ndërkombëtare, rajoni i Zyrihut është pulsi i jetës shkencore dhe ekonomike të Zvicrës dhe ka reputacionin e një qendre kozmopolite, dinamike dhe të larmishme.
Krahas Lozanës, e konsideruar Kryeqytet Botëror Olimpik, ku ndodhen Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Muzeu i Lojërave Olimpike, Gjykata Ndërkombëtare e Sportit, Zyrihu është qyteti tjetër zviceran i rëndësisë ndërkombëtare, ku, përveç FIFA-s ka selinë qendrore Federata Ndërkombëtare e Hokejit në Akull. Ndërsa në qytete të tjera zvicerane: në Nyon është selia qendorr e Unionit të Shoqatave Evropiane të Futbollit (UEFA), në Tun është selia Federatës Ndërkombëtare të Skive, në Aigle është selia qendrore e Federatës Ndërkombëtare të Ciklizmit, në Bazel është selia qendrore e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit.
I shtrirë në një sipërfaqe prej 3 500 metrash katrorë në tri katet e poshtme të ndërtesës dhjetëkatëshe përballë stacionit hekurudhor të Zyrihut dhe Hotelit Ascot në pronësi të FIFA-s, Muzeu i FIFA-s ekspozon mbi një mijë objekte. Këto përfshijnë kujtime nga çdo Kupë Botërore e FIFA-s dhe Kupa Botërore e FIFA-s për femra, ku më i famshmi është Trofeu origjinal i Kupës së Botës FIFA. Në vitin 2017, muzeu u nominua për Çmimin Gjerman të Dizajnit.
Një bibliotekë që mund të vizitohet lirisht në katin e parë përmban më shumë se 7500 botime që kanë të bëjnë me fenomenin e futbollit. Muzeu ka gjithashtu një restorant me tarracë, një dyqan dhe një zonë seminari. Katet e sipërme të pallatit përdoren si apartamente dhe zyra.
“Ne jemi të kënaqur që jemi lidhur me një komunitet të gjerë të adhuruesve të futbollit dhe kulturës, si personalisht ashtu edhe përmes platformave tona dixhitale. Viti 2023 ishte shumë i suksesshëm në kryerjen e misionit dhe përgjegjësisë së Muzeut të FIFA-s për të ndarë magjinë e futbollit me të gjithë botën”, tha Drejtori Menaxhues Marco Fazzone. “Përveç ekspozitës sonë të përhershme, ne theksuam arritjet më të rëndësishme në futbollin e femrave, shfaqëm 211 kultura futbolli, eksploruam kryqëzimin e dizajnit dhe lojës së bukur, zgjeruam shtrirjen tonë globale dhe përqafuam inovacionin teknologjik. Rritja e numrit të vizitorëve, së bashku me rezonancën dhe rritjen tonë ndërkombëtare, nënvizon angazhimin tonë të palëkundur për të festuar dhe mbrojtur trashëgiminë dhe kulturën e futbollit në një shkallë të vërtetë globale.”
Programi i larmishëm i muzeut filloi në shkurt me ekspozitën e ftuar “Paolo Rossi, un Ragazzo d’oro”, në bashkëpunim me Fondacionin Paolo Rossi, duke ofruar një portretizimi intim të jetës dhe karrierës së shkëlqyer të legjendës së futbollit italian.
Ekspozita speciale “211 Kultura. One Game”, e cila eksploroi kulturat unike të futbollit të secilës prej 211 shoqatave anëtare të FIFA-s, përfundoi në gusht. Kjo u pasua nga “Designing the Beautiful Game”, një bashkëpunim me prestigjiozin The Design Museum në Londër, i cili u hap në tetor dhe do të zgjasë deri në pranverën e vitit 2024, duke u ofruar vizitorëve një perspektivë të freskët dhe frymëzuese që shqyrton marrëdhëniet midis futbollit dhe dizajnit përgjatë gjithë kohës duke ndriçuar historinë se si ka evoluar sporti.
Muzeu gjithashtu përqafoi sferën dixhitale me lançimin e përvojës së tij të parë të realitetit virtual. Duke përdorur teknologjinë më të fundit, përvoja i transporton vizitorët në atmosferën historike të Estadio Centenario gjatë inaugurimit të Kupës së Botës FIFA-s më 1930 dhe i çon ata në udhëtimin ikonik të SS Conte Verde, anijes që solli atë kohë Presidentin e FIFA-s Jules Rimet dhe ekipe nga Evropa dhe Brazili në Uruguai për turneun.
Muzeu ofron hyrje falas në ekspozitat e tij në Zyrih për klasat e shkollave nga e gjithë bota (kërkohet regjistrim paraprak), dhe më shumë se 7 000 fëmijë të moshës shkollore eksploruan programin edukativ të Muzeut FIFA më 2023.
Muzeu priti gjithashtu shfaqje publike të njohura të çdo ndeshjeje në Kupën e Botës të Femrave të FIFA-s në Australi dhe Zelandën e Re 2023.
Prezantuar nga Hyundai dhe ekspozuar në FIFA Fan Festival në Sydney/Gadigal’s Tumbalong Park, ekspozita speciale e Muzeut FIFA, “Calling the Shots: Faces of Women’s Football”, tërhoqi mbi 50 000 vizitorë në katër javë gjatë Kupës Botërore të FIFA-s për femra në Australi dhe Zelanda e Re 2023. Ekspozita pati në qendër individet që e bënë lojën e femrave atë që është sot dhe frymëzoi një brez të ri lojtaresh.
Kjo shënoi ekspozitën e katërt në vend të Muzeut të FIFA-s në vendin pritës në Kupën e Botës FIFA ose Kupën e Botës FIFA për Femra, me ekspozita të mëparshme duke përfshirë “The History Makers” në Moskë në 2018, “The Women’s Game” në Paris më 2019 dhe “Qëllimet krijojnë histori” në Doha më 2022.
Në një lëvizje novatore, Muzeu FIFA zgjeroi shtrirjen e tij ndërkombëtare në vitin 2023 duke hapur ekspozitën e tij të parë të përhershme jashtë vendit. Në bashkëpunim me LEGENDS dhe me vendndodhje në kryeqytetin spanjoll të Madridit, përvoja i kushtohet historisë së Kupës së Botës FIFA dhe Kupës së Botës FIFA për Femra.
“Hapja e ekspozitës sonë të parë të përhershme jashtë Zyrihut ishte një moment historik i rëndësishëm për Muzeun FIFA – një hap vendimtar në strategjinë tonë globale që na lejon të ndajmë historinë, trashëgiminë dhe kulturën e futbollit me një audiencë edhe më të gjerë në mbarë botën”, tha Fazzone.
***
Ndonëse ndër muzetë më të rinj të qytetit, Muzeu i FIFA-s merr pjesë çdo vit në The Long Night of Museums ose Nata e Gjatë e Muzeve. Një veprimtari e themeluar më 2005, në kuadrin e Natës Evropiane e Muzeve, është një ngjarje kulturore në të cilën muzetë dhe institucionet kulturore mbeten të hapura deri në orët e vona të natës për t’u prezantuar me klientët e rinj të mundshëm. Vizitorëve u jepet një leje hyrjeje e përbashkët që u jep atyre mundësi për të bërë bizita në të gjitha ekspozitat si dhe iu siguron transport publik falas brenda zonës. Nata e Gjatë e Muzeve, Lange Nacht der Museen, u zhvillua për herë të parë në Berlin më 1997. Koncepti u prit shumë mirë. Në vitin 2005, Këshilli i Evropës, UNESCO dhe Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve u bashkuan për të promovuar këtë ngjarje me synimin për të përmirësuar aksesin në kulturë. Nata e Gjatë e Muzeut zhvillohet të shtunën e tretë të majit. Së fundmi në vitin 2021, rreth 1200 muze në 120 qytete në të gjithë Evropën, si dhe vende të tjera, duke përfshirë Argjentinën dhe Filipinet, mirëpritën afro 2 milionë vizitorë në koleksionet e tyre.
Natyrisht, viti 2024, si vit i Evropianit të Futbollit, krijon pritshmëri për arritje më të mira edhe Muzeun e FIFA-s në Zyrih.