Të nderuar të pranishëm,
E nderuara familja Merlika
Zonja e zotërinj
Kur përpara disa muajsh z. Eugjen më foli për vendosjen e bustit të gjyshit të tij Mustafa Merlikës në qytetin e tij të lindjes natyrisht e urova, por njëkohësisht e vlerësova si një gjest patriotik e qytetar të banorëve të këtij qyteti emërmadh. E vlerësova si të tillë pasi që të gjithë jemi dëshmitarë se ende shoqëria shqiptare vazhdon të jetë e ndarë në llogoret e përcaktuara duke nisur qysh në vitet e Luftës së Dytë Botërore filimisht nga Partia Komuniste dhe e vazhduar më pas nga qeverisja e saj, Diktatura e Proletariatit. Kërkesës së Eugjenit për të thënë dy fjalë në këtë ditë të shënuar për familjen Merlika, vendlindjen e Mutafait, por gjykoj për mbarëshqiptarët kudo që janë ju përgjigja pa mëdyshje pozitivisht. Ishin dy arsyet që më shtynë të pranoja ftesën. E para se gjyshi i Eugjenit dhe gjyshi im Hoxha Kadri Prishtina kanë qenë miq e kundërshtarë në mendime, por që të dy punuan, me gjithçka mundën për të realizuar bashkimin e trojeve amtare e për të sjellë përparimin e begatinë atdheut. Dhe e dyta lidhet me profesionin tim, atë të arkivistit. Sipas Kodit Deontologjik të Arkivistit, një arkivist është i detyruar të ndajë me publikun atë ç’ka për shkak të detyrës ai ka mundësinë të njohë.
Njohja ime me këtë personalitet të historisë tonë kombëtare ka qenë e hershme, fillimisht nga familjet e prindërve të mij e më pas natyrisht edhe gjatë viteve të shkollimit. Kontrasti me atë që dëgjoja në mjedisin familjar me atë çka mësoja në shkollë ishte dukshëm kundërshtues, i turbullt dhe kuptoje menjëherë që ishte shtrëmbëruar me dashje e vërteta historike nga historiografia zyrtare. E kjo në ato vite ishte një normë, të cilës nuk i shpëtonte askush, e veçanërisht për historianët.
Por fillimi i punës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, në sektorin e dokumenteve të para vitit 1912, më njohu për herë të parë nëpërmjet dokumenteve të kohës të riun Mustafa Asim. Në letërkëmbimin e kohës ai nënshkruan kështu. Nga ky letërkëmbim u njoha me veprimtarinë e tij atdhetare. Është mjaft aktiv në Lëvizjen mbarë kombëtare për Pavarësi si pjesë e forcave kryengritësve, por mbi të gjitha ai është i pranishëm në ditën e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, si përfaqësues i krahinës së vet. Firmëtar i Aktit të Pavarësisë dhe pjesë e administratës së Qeverisë së Përkohëshme të Ismail Qemalit. Por njohja me kontributin e Musafait nuk u ndal me ngritjen e flamurit në Vlorë.
Trashëgimia dokumentare e tij është e shumëllojshme dhe si e tillë na lejon të gjykojmë për veprimtarinë e tij të gjithanëshme në dobi të çështjes kombëtare, si shtetar, politikan, studjues e pa harruar atë si bashkëshort e prind.
Vlerësimi për të apo thënë ndryshe perceptimi se kush ishte, cila ka qenë veprimtaria e roli i tij në botën shqiptare gjatë gjysmës së parë të shekullit të kaluar me kalimin e viteve të punës në Arkiv, si arkivste e historiane po arrija të krijoja në gjithë përmasat që i përkisnin kësaj figure aq shumë të përfolur, të përbuzur, të nëpërkëmbur deri edhe të harruar. Gjithçka kishte ndodhur para vitit 1990 në fushën e njohjes të së kaluarës historike tonë, ishte shtrëmbëruar, fshehur ose thënë ndryshe ishte trajtuar sipas udhëzimeve partiake e jo bazuar mbi dokumentet origjinale.
Duke lënë mënjëanë për pak atë çfarë shkruhet në dokumentet origjnale, që fatmirësisht ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror, takimi me dy zonja në derën e Drejtorisë së Përgjithsme të Arkivave në vitin 1993, do të më shtyjë edhe më shumë të njihem me familjen Merlika. Zonjat ishin të veshura thjesht, të dyja kishin lidhur kokën me shall dhe në qafë ju dallohej qartë varëse me kryq. Ishin zonjat Klara e Elena Merlika. Ka qenë një takim, që nuk do ta harroj kurrë. Dallohej qartë se vuajtjet fizike e ato shpirtërore kishin qenë të pandërprera prej 45 vjetësh në jetët e tyre. Foli e para znj. Klara Mirakaj-Merlika e cila u prezantua se kush ishin dhe çfarë kërkonin. Për mua ishte me të vërtetë befasi, po i jepja dorën e po flisja me dy nuset e familjes Merlika. Fisnikëria e tyre të linte pa fjalë. Vinin nga dekada vuajtjesh të papërfytyrueshme, por asgjë nuk kishte mundur t’jua fshinte qytetarinë e fisnikërinë. E vetmja gja që mund të bëja për to, e plot të tjerë si to, ishte ti ndihmoja sa mundja për të plotësuar kërkesat e tyre sa më shpejt e sa më mirë. Prej atij viti jam me fat që konsiderohem mike prej krejt familjes.
Jeta e Mustafa Asim Merlika-Kruja ka disa etapa të rëndësishme, por në të gjitha ajo që është në themel të gjithçkaje ishin e mbetën deri në fund familja e atdheu. Dha gjithçka pati, të gjitha energjitë e tij sa jetoi ishin në dobi të atdheut, u sakrifikua pa asnjë mëdyshje për arritjen e bashkimit kombëtar dhe rreshtimin e atdheut krah familjes të cilës i takojmë historikisht, Evropës e jo Lindjes sllavo-koministe, për përparimin e kombit duke ndërmarë një nga nismat më domethënëse, atë të ngritjes së të parit institucion shkencor në Shqipëri, Institutit të Studimeve Shqiptare.
Veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare, që kulmoi me Shpalljen e Pavarësisë, firmëtar i Aktit Themeltat të shtetit shqiptar; nëpunës në Qeverinë Ismail bej Vlorës; pjesë e delegacionit në Konferencën e Paqes të Parisit; deputet; antizogist; politikan në mërgim; pjesë aktive e mërgatës politike të viteve 1925-39; si shumë të tjerë bashkëkohës të tij në mbështetje të bashkimit të kurorës mbretërore shqiptare me atë të Savojës; refuzues i ashpër i italianizmit të vendit e sidomos të simboleve tona kombëtare; përkrahës i rikthimit të Mbretit Zog, e në fund në krye të Institutit të Studimeve shqiptare, veprimtaria e të cilit ishte kryesisht e drejtuar ndaj çështjes së bashkimit kombëtar. E bash veprimtaria e ethshme e këtij Instituti për ti bërë të njohur mbarë botës të vërtetat e hidhura për coptimin e trojeve amtare, të dhuruara vendeve fqinje nga Konferenca e Paqes e Parisit, vendimet e të cilës kishin sjellë Luftën e Dytë, me anë të botimeve me karakter historik, etnografik, gjuhësor, hartografik, në ndihmë të Komisionit të rivendikimeve shqiptare etj., ishin në qendër të veprimtarisë së Mustafait gjatë atyre viteve. Ky angazhim tij i fundit tregon më së mirë arsyen që e kishte shtyrë atë, si edhe shumë të tjerë, të përkrahnin në fillim Italinë fashiste, që për qëllimet e saj kishte realizuar në një farë mënyre bashkimin e trojeve shqiptare të mbetura jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar të para Luftës.
Mustafai u largua nga atdheu për shkak të djalit të tij të sëmurë. I shtruar në një spital në Austri sëmundja kishte përparuar, dhe babai Mustafa nuk mund të braktiste të birin vetëm në shtratin e vdekjes. Ashtu bëri, ju gjend pranë tij në gusht 1943. U largua me zemër të thyer për atë që e priste në Austri, e vetëm pak muaj më vonë e pati të pamundur të përqafonte e përkëdhelte bijtë e tij e sidomos nipin, Eugjenin. Ky largim, të cilin nuk e kishte menduar kurrë që do të ishte pakthim, pati edhe një pasojë tjetër, ai la në atdhe edhe punën e tij shkencore që e kishte aq për zemër, Fjalorin e Gjuhës Shqipe që ende s’kishte parë dritën e botimit. U përpoq me sa mundi në mërgim, por vetëm gërmat A e B mundi ti rishkruante përsëri.
Ai nuk mundi më të kthehej në Atdhe, regjimi komunist, që ai e shumë të tjerë e kishin parë e gjykuar që do të ishte fatkeqësi në se do të vendosej në Shqipëri, izoloi vendin për gati 45 vjet vendin nga bota e qytetëruar. Pushteti i ri, që vetëquhej “popullor”, e që asgjë nuk kishte të bënte me popullin. U eliminuan fizikisht kontribues të jetës politike, ekonomike, shoqërore, të dijes e kulturës, u ushtrua që në ditët e para dhunë e terror mbi familjet e të afërmit e kundërshtarëve të hapur, por edhe ndaj atyre që hamëndësohej se mund të ishin të tillë. Nuk u kursyen as edhe firmëtarët e Aktit të Pavarësisë. U rrëmbyen e u shkatëruan biblioteka e arkiva, objekte arkeologjike e etnografike, relike të shenjta e vepra arti, prona të familjeve të mëdha shqiptare e të komuniteteve fetare, e në fund arritën të përdhosnin edhe varre.
Duke qenë se tashmë prej pjesës dërmuese të studjuesve e natyrisht edhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi është pranuar fakti se, rrëfimi i gjymtuar, i shtrëmbëruar apo edhe i trilluar i jetës dhe veprimtarisë së personaliteteve që kontribuan aq shumë për Atdheun, ka qenë një normë e rregjimit të kaluar, sot kemi një detyrë përpara nesh. Atë të ç’bërjes me çdo mjet e mënyrë këtë normë partiake që aq shumë na ka dëmtuar. Duke marrë shkas pikërisht nga z. Mustafa Merlika, kemi detyrimin moral si qytetarë e studjues të rishikojmë me më gjakftohtësi , paanëshmëri e profesionalizëm bazuar në dokumente origjinale të kohës jetën e veprën e kujtdo që morri përsipër të ishte në rreshtin e atyre që sakrifikuan gjithçka patën për atdheun. Mustafa Merlika i takon atij grupi personalitetesh të historisë tonë kombëtare që me shumë burrëri e ndershmëri i kanë bërë analizë të thellë qëndrimeve e veprimeve të tyre ndër vite, duke mos lënë asnjë shteg për hamëndësime të rrejshme.
Në fund të fjalës time do të përmendja disa prej “mëkateve” të Mustafa Merlika Kruja për të cilat edhe u anatemua nga rregjimi i kaluar. E deshi pa masë Atdheun e bashkëatdhetarët e vet, punoi pa rreshtur për bashkimin e trojeve shqiptare, dëshmoi respekt të admirueshëm për familjen, si themeli i një shoqërie të shëndetshme, punoi me përkushtim të veçantë për gjuhën amtare, punoi për ndriçimin historisë të kaluarës tonë si popull, ishte shëmbëlltyrë e patriotit fisnik e të ndershëm dhe mbi të gjitha ai ishte kundër komunizmit si ideologji e realitet pasi e gjykonte si zgjidhjen më të keqe e të dëmshme për vendin. E ky ishte pa asnjë dyshim edhe “mëkati” i tij më i madh në sytë e komunistëve.
Krujë, 24 nëndor 2024 Prof.Dr. Nevila Nika