Krujë, më 24 nëntor 2024
Jam i nderuar që marr pjesë si student në ceremoninë e vendosjes së bustit të Patriotit Mustafa Kruja, gjë që tregon se brezi i ri ka filluar ta përthithë veprën e Mustafa Krujës dhe të nipit të tij, Eugjen Merlika.
Kjo figurë e dimensioneve gjigande e kombit shqiptar; Ky burrë shteti i shquar, ky dijetar i horizonteve të gjera dhe historian kalibri, gjuhëtar e publicist do të mbetet një nga majat më të larta në Panteonin vezullues shqiptar.
Atdhetar-veprimtar i çështjes kombëtare qysh student në Universitetin e Stambollit ka qenë predikues i flaktë i shqiptarizmës, krah i hekurt i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ai njihte mirë shpirtin kryengritës heroik të popullit të tij, kërkesat liridashëse dhe luftën që bënte për liri dhe pavarësi. Mustafa Kruja e dinte fort mirë se udhëheqësi qëndron me këmbët në tokë si Anteu, kur është i lidhur me popullin, kur është i shkrirë me të.
Mustafa Kruja ky njeri mbinjerëzor, ishte farkëtuesi i pajtimit dhe bashkimit shqiptar të popullit tonë, bashkëpunëtor me elitën intelektuale dhe përparimtarë të kohës, nënshkrues i Aktit të Shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë, që luftoi me pushkë e penë për gjuhën shqipe dhe mëmëdhenë.
Ky tribun i pashoq, kryeministër i Shqipërisë Natyrale-Etnike gjatë Luftës së Dytë Botërore, përmes ngarkesave të mëdha të kohës demaskoi armikun e betuar sllavo-greko-komunist dhe rrezikun që vinte prej tyre. Gjithashtu do të mbahet mend për fjalimin e tij të famshëm në Tiranë ku theksoi mes të tjerash: “Më mirë një Shqipëri gjysmë e pavarur por me Kosovën, se një Shqipëri krejt e pavarur pa Kosovën”.
Kjo ishte një fjalë e shkurtër për Mustafain e madh, për patriotin gjigand, për njeriun mbinjeri, historianin, gjuhëtarin, publicistin, që përjetësisht emri dhe vepra e tij do të mbeten të gjalla në memorien e kombit shqiptar.
U nderofsh dhe u kujtofsh brez pas brezi, mendjendrituri ynë, Mustafa Merlika-Kruja!