Miqt e afër, shokët, fqîjt e thirrshin hoxhë. Por Tara as çallmë as xhybe s’kishte. Vishej si të gjithë Krutanët tjerë : qeleshe Gjakove, xhokë e xhamadan shajaku, brekushe në verë e çedikë për dimën, me këpucë të kuqe të vêndit.
Në veshje të tij merrte miza mjaltë, me gjithë qi, pra, zanati i tij si bakall s’ka fort miqsi me pastërtín. Qeleshen s’i a shihje kurrë të nxime për qark prej djerset. Porsa të niste me i u verenikun pak e ndërronte për t’a lamë. Xhamadanin e çedikët prej shajaku të bardhë qendisun me gajtana të zez i priste e i qeptë vetë me marak. Se Tara po ishte edhe terzi. E mbasi myshterijt e dyqanit s’e mërzitshin aqë fort, veç së hânës qi ishte ditë pazari, siç âsht edhe sot në Krujë, ai kishte kohë mjaft m’u marrë edhe me këtë mjeshtrí.
Nji shtat mâ fort i shkurtën se mesatar, nji fytyrë rrumbullake,vetullat të mbushuna e gati me çark, qepalla të gjata rreth dy sŷve të zez e të mëdhaj,nji mjekër e hijshme me gjurmë : këto ishin tiparet e Tarë Seserit. E nuk duhen harrue as musteqet. Këto i kishte jo fort të gjata, por të varme teposhtë; e kur kapërxente kufînin ndonji qyme, kjo do të shkulej, se gërshâna s’guxonte kurrë me prekun në musteqet e nji bektashiu të bindun si ai. Musteqet i ka premë Muavija, anmiku dinak e i urryem i të Madhit Alí, e i presin vetëm synijt fanatikë. Për nji bektashì të mirë, me premë musteqet quhej dikur nji faj aq’i madh sa….me ngrânë mish lepuri. Sod ka ndërrue koha, bota âsht modernizue e bektashizma s’âsht nji rrugë qi shkon kundra rrymës kur e din se kjo âsht rryma e përparimit. Prandej sod sheh shumë bektashij me musteqe të rrueme a të spitillueme në mënyra tjera; por kurrë të preme në mest me dy bishta anvet mbas modës së Muavijes, qi i ep fytyrës nji dukë asjatike.
Ishte i ri. Jo mâ shumë se nja 35 vjeç. Me gjithë këtê i dridheshin
duert si nji plaku alkolik. Mezi t’a mbante filxhanin e kafes pa derdhun. Nji ditë e pyeta mitunisht:
-Usta, pse të dridhen duert kështu gjithmonë ty ?
Ai m’u përgjegj :
– Asht xhezaja e fajevet qi kam bâ qyshë i ri, qyshë fëmijë në daç me thanë
Un mbeta me sŷ të haprruem e të ngulun në tê si fëmija me kureshtë të pakënaqun.Ai s’po më shikonte. Mbas pak çastesh shtoi :
– Kam pí shumë, e kam pí rakín në vênd t’ujit … Edhe t’im eti kështu si mue iu dridhshin . . . E ka vdekë i ri i shkreti.
Nji herë tjetër e pyeta se nga i vinte titulli hoxhë me të cilin e thirrshin disa. E këtê m’a pat shqipue fill e për pê me gjithë do anekdote qi i përkitshin.
Regjimi tyrk i ka pasë përjashtue hoxhallarët prej shërbimit ushtarak. Dhe për m’u quejtun hoxhë aso kohe mjaftonte me lidhun çallëm, me pështjellë rreth ksulet nji brez të gjatë pëlhure të hollë e të bardhë.
Këtê kishte pasë bâmë edhe ustai i im Tara i Myrtë Seserit. Jo se ishte analfabet Tara. Shkollën fillore e kishte krye edhe ai ke nji farë hoxhe ashtu si Mulla Hysejni i im. Edhe derën e nji farë Medreseje të Krujës e kishte pamë, sa për me shtí sherrin në shërjàt.
Veç ksaj kishte pasë qenë edhe hoxhë katundi. Në nji katund të malsís së Krujës. Rreth këtij misjoni të shênjtë të tij më ka pasë kallxue anekdote me të bamë …. me qeshë e me qamun.
Nji ditë bajrami paska dhânë vazë (pretk) në xhamí tue mos lânë gjâ pa folun kundra hajnís e vrasës.
Shkandull! Për pak me e pague hoxha me kokë. Si me guxue ai me vumë gojë në të tânë ata burra të Dheut qi kishin shkue me i u lutun Zotit n’atë ditë të shênjt qi t’u falte bash njato mëkate? Ç’ punë ka hoxha me futun hundët ndermjet Zotit e robve te Tij mëkatnorë? Hoxhën s’e paguen katundi për me mundshtue burrat mâ të mirët qi ka, por për me u primun përpara Zotit e me i u lutun këtij bashkë me ta qi t’u falë mëkatet. Mëkate mbandej qi ata s’kanë hall pa i bâmë. Pse njeriu po s’po u lindka bash ashtu si Emili i Rousseau-it. Dhe shkollën katundari i Shqipnís së mjerë ka fillue me e pá me sŷ tash vonë. Autoritetin e Shtetit aso kohe e ndiente veç kur i shkonte tahsildari ke dera me i marrë xhelebin a vergjín për me majun pashallarët e Stambollit. Vriteshin pra njerzija për mâ të voglin shkak, e tue u vramë do t’u ndrŷjshin për gjak, e tue u ndrŷmë mbrênda katër mureve të nji kulle t’errët rrethue me frangjij, s’kishin si me i punue tokat, e tue mos punue s’kishin si me gjallnue pa dalë për shteg me qukrrue kund ndonji send të nji shoqi t’afër a të largë.. Prandej ishte fort pun’ e vështirë qi të ngjitte vaza e hoxhës ose pretku i priftit. S’ka thanë kot i moçmi: ai qi s’njeh hyqmin (Autoritetin Shtetnuer) s’njeh as Zotin.
*****
Bektashizma ka qênë nji mjet i përhapjes së mikrobit të shqipes, kur kjo luftohej prej sundimit tyrk si nji sëmundje mâ e rrezikshme se murtaja. Sekt liberal, i mësuem me ruejtun të gjitha të fshehtat sikur sirrin e vet qyshë kur i pat shti dridhmën Sultan Mahmudi me plojën e Jeniçervet, kishte gjetun në poezín mistike të Neimit nji mjet të bukur propagande bektashijane e nji ushqim shpirti shumë të shijshëm. Kruja po ka qënë qyshë heret nji qêndër bektashizme e fortë, nji fortesë e ksaj në dash me thânë. Sa për Ustàn t’em, ju thashë se n’emën të Haxhi Bektashit ishte gati me bâmë flí gjithça.
Abetarja e Stambollit, Lulet e Verës, Qerbelaja, Istoria e Skënderbeut prej teqesh bektashijane të Krujës kishin fillue m’u përhapun edhe nëpër votrat familjare. Un ndoshta kam qênë 10 vjeç — kush’e mba mênd ? ;— kur kishem nisun t’a nxá shqipen. Mësues kishem Tarën, si edhe zanatin e dyqanit e në të qepun petkash shajaku. Ai porsa kishte nxânë gërmat vetë. Këndojshim bashkë ndër çase papunsije, qi nuk ishin të pakta. Tregu ishte i qetë e vëzhgimi i Autoriteteve asgjâ. Ustai e dinte se po t’u kapte me libra shqip do t’a kishte punën pisk. Por mue s’më kishte shkelun aspak. Kur qe, nji ditë, në sa un po këndojshem nji copë të Qerbelás ai paska vûmë ré se Ibrahim Begu ishte drejtue kah dyqani i ynë. M’a rrëmben librin prej dore me nji hov të papritun dhe e flak mbas nji arke sheqerit. Ibrahim Begu ndër kaqë i a mbërrîni. Ishte mylazimi i gjindarmerís. Nji podgoriçan qi përçapte nji shqipe të keqe. Nuk besoj t’a ketë pasë folë mirë as tyrqishten. Sido qoftë ishte nji oficer besnik i fortë i Sultanit. Nji burracak i keq me nji fytyrë mâ të zezë se të jevgut. Ndêjt e bâni muhabet me Ustàn gati nja nji orë, qi mue m’u bâ nji shekull. Ishem tue plasun për me marrë vesht se pse m’a kapi e e fshehu Tara librin. Mezi qi prita sa këputi qafën Ibrahim begu për t’a pyetun :
-Ậsht jasak me këndue shqip, tha. Me e marrë vesht hyqymeti na çon syrgjyn kush e di se ku.
-Pse kështu, Ustà ?
-Ti je i vogël, s’mund t’a kuptojsh arsyen, por vetëm rueju fort të mos i shohin memurët e huej librat shqip.
Prej këtij çasi e mbrapa s’pata mâ paqë pa lexue për ditë shqip, në dyqan ose në shtëpí. Vjershat e Neimit nisa t’i nxâ për mêndsh. Me gjithë moshën e vogël fillova të mendoj, të pyes e të kuptoj, pak nga pak e për herë mâ shumë. Mikrobi i shqipes më kishte hŷmë në palcë, për mos me dalë mâ kurrë.
Lëngatë e keqe, por, oh ! sa e âmbël! sa e dashtun …..
Të ndrittë shpirti, Ustà!
Komentet