Nën sundimin tyrk arsimi i Shqiptarvet ishte nji privilegjë e rrallë vetëm për pasanikët, e të këtilë kishte pak Shqipnija. Ndër qytetet t’ona kishte vetëm nga ndonji shkollë fillore e ndonji plotore (ryshdije) në gjuhë tyrqishte e me nji systemë aqë primitive sa qi resultati për nji nxânës qi t’i kishte mbarue rregullisht të gjitha klasët mund të barasohej me atê të tri vjetve të nji fillorje modeme. Në ndonji qêndër prefekture ryshdijet kishin përmbi to edhe dý klasë gjymnazore. Gjymnaze të plota shtatë klasësh kishin vetëm qêndrat e vilajetevet, veç Shkodrës. Pra nji familje shqiptare qi deshironte t’a stërvitte djalin e vet- se mâ për vajza qi as fjalë s’u bânte aso kohe- së paku me nji arsim mesatar, duhej të kishte mjetet për t’a dërgue në nji internat të largët si në Janinë, në Shkup, në Manastir, në Selanik ase në Stamboll. Gjâ kjo qi mund t’a bajshin vetëm bejlerët, disa agallarë e nji palë nëpunsa të naltë. Këta të fundit madje s’kishin as nevojë t’i dajshin fëmijët prej gjînit të familjes, mbasi punën e kishin gjithmonë në nji nga qêndrat e mëdha të Mbretnís.
Relatat kulturore të Shqiptarvet me Okcidentin ishin aso kohe thuajse të paqêna. Pasanikët orthodoks i tërhiqte Athina, katholiqt e Shkodrës Italija ase Austrija. Por këta të fundit, gati të gjithë tregtarë, sa për nevojat e tyne vullëndoheshin me shkollat klerikale qi kishin në vênd. Në të tânë Shqipnín njoh vetëm të bijt e Neki Pashë Libohovës, Mufid Beun me të vëllaznit, qi kanë krye studime të rregullta n’Okcident nën sundimin tyrk, edhe Ekrem Be Vlorën qi ka studjue në gjymnazin aristokratik të Vjenës Theresianum.
Me këto kushte s’âsht aspak çudi, pra, qi nga shkrepat e Krujës së vorfën mos të kenë dalë njerëz të mësuem deri në kohën t’eme. Besoj se e vjyen barra qirán me i përshkrue disa typa interesanta t’intelektualizmës krutane t’asaj kohe. Mâ i dijshmi ishte Myrteza Efendi Goci. Por ky kishte mbërrîmë në nji gradë …… ditunije qi për tê s’kishte vênd në zyrat e nji nënprefekture. Sepo, e dijtun, kush këndonte atëherë këndonte vetëm për nji qëllim: qi të bâhej nëpunës e të merrte nji meash a ylefe prej Shtetit. Shkolla, dija për myslimanin e Mbretnís othomane s’kishte asnji kuptim tjetër. Myrteza Efendiu e kishte fillue karrjerën e tij si praktikant në nji sekretarí gjyqi e, në 1910, kur u njoha un me tê porsa kishem krye studimet ishte kryesekretar i gjyqit ndeshkimuer me 500 grosh në muej në Durrës. Kishte hypun nalt Myrteza Efendiu dhe kishte shpresë me u bâmë edhe gjykatës. I ri, un, e i marrë si shumë të rij tjerë të kohës s’eme, e nxitshem me nxânë shqipen. Për do kohë s’pat dashun të m’a prishte, më thoshte se ishte tepër i zânë me punët zyrtare e shtëpijake qi kishte, por nji ditë sigurisht s’do të rrinte pa i a hŷmë edhe shqipes. Veçse nji herë, kur pa mâ qi s’po i u dajshem me përrallat e mija, si më ngul sŷt e më shikon nji ças të mirë pa zâ e me nji farë çudije, më thotë: ” Ndëgjo këtu, djal’i im! Ti besa mir’e ke, je tue mendue për mue bash si për vete. Por ti sod me tyrqishten t’ânde je tue fitue mâ se njimijë grosh në muej, pra dy fijsh sa marr un. E nesër, në të daltë ajo tjetra qi ke ndër mênd ( donte të thoshte Shqipnija mbë vete ), je prap i sigurtë se veç do të të shtohet rroga. Kurse un, bir’i im, nga shqipja s’pres gjâ mâ, jam dyzet e kusur vjeç e kishte me m’u dashun t’a nis karrjerën t’eme edhe nji herë atje ku e kam fillue para njizetepesë vjetve, Në më gjettë ky hall më gjet e s’kam se ç’i bâj, por qi t’a kërkoj vetë, besa jo!” Myrteza Efendiu m’i kishte premë drút shkurt, me shumë elegancë e takt zotnísh, por shqip. Të tânë problemën e shqipes e të Shqipnís e kishte përmbledhun në nji pikë të vetme qi mue të marrit s’më kishte ramë ndër mênd asnji herë deri atë ças. Natyrisht heshta e i dhashë arsye, se s’kishte vênd mâ me ngulë kâmbë në marrín t’eme me tê.
Prap në Durrës gjindej nji tjetër intelektual krutan. Ishte Hysen Efendiu, ky, kryesekretar i doganës, qi mâ vonë, kur duel Shqipnija mbë vete e drejtorit tyrk i u desh me u kthye në vênt të vet, pat zânë kâmbën e tij. Por ky mâ ishte bâmë durrsak gjithsej, me shtëpí e katandí të veten, edhe mjaft trashë madje, e si plak qi ishte s’e çante kokën veçse për volít e tija. Me gjithë këtê, pa dashun e pa e pasë kërkue n’asnji mënyrë veçse me gjuhën e tij të prehtë, ra se ra në lak: në 1915 e kapi Esad Pasha e e internoi bashkë me mue e tjerë n’Italí. Në Favinjana banojshim në një shtëpí me tê. Plak liberal e shum’i âmbël, mahitar me të kënaqun. Në doganë të Durrsit ku kishte kalue të tânë jetën e pjekun të tij e n’atë skele deti pak a shumë kozmopolite ku ai kishte hŷmë në radhë të parsís mâ të shqueme të qytetit, kishte pasun mjaft të përpjekun e të njohun edhe me të huej, sidomos italjanë e austrijakë. Të parët s’i çmonte fare, për të dytët kishte shumë sympathí. Italija kishte hŷmë në luftë e ai, i përvluem edhe prej atij internimi në pleqní, s’prânte tue shfrye me nji proverb italisht qi kishte nxânë nga Dalmatinët: ” Italiani buona gente, ma in guerra non fan niente.”
Qatib’i Krujës aso kohe, kur un ishem ende kalamâ, ishte Zenel Efendi Kalaja. Ishte sekretar-arktar i kompanjís së gjindarmërís me gradë tetari. Pun’e tij ishte regjistr’i kompanjís dhe llogarít e saja. Sa për kaqë, praktika e gjatë qi kishte e kishte bâmë mjeshtër. Raportat e shkresat tjera të gjindarmërís me gjerarkít eprore, këto veç kur t’i bânte vetë komandanti, qi ishte gjithmonë nji oficer i përjashtëm. Me gjithë këtê Zenel Efendiu ishte gjithmonë Zenel Efendiu edhe nji nga parija e vêndit. Atje në gjindarmërí, mbas komandantit, ishte autoriteti mâ i nalti, i zoti me e influencue e me e sjellë oficerin si të donte vetë; e tue qênë se edhe komandant’i gjindarmërís ishte mâ i madhi pushtet administrativ i nënprefekturës mbas kajmekamit, ja ku rol’i Zenel Efendiut bâhej i rândsishëm në gjithë jetën zyrtare të Krujës, qytet e katunde. Çaushët, edhe ata vêndas shum’a pak me nji farë tarafi, as qi mund të piplojshin përpara tetarit bylyk-emin. Ky mâ tepër se ata kishte edhe kalemin në dorë e po t’i merrte për keq kalemi ishte nâma e zezë e për ta! Kështu Zenel Efendiu, qi kishte edhe rádi, ullîj në qytet e nja dý a tri shtëpí bulq në fushë, posë rrogës e vogëlsinash tjera qi i sillte zyra e pozita e lidhun me këtê, ishte nji ndër të parët e vêndit. Vishej vêndçe si burgezija, por me kujdes e pastërtí të madhe. Ndërsa agallarët pleq bajshin ende fistanen e gjatë me pala përmbi te lintat, xhamadanin e qëndisun prej cohe të kuqe me mângë e fesin tanuz të kuq me tufë të madhe mëndafshi të brustë, ndërsa populli përgjithsisht mbathej e vishej verës me cedille (brekushe), xhokë të zezë të qëndisun e me tufa dhe qeleshe gjakove (kapuç), e dimnit brekushet i ndërronte me çedikë, Zenel Efendiu bante ver’e dimën cedille prej nji pëlhure të bukur leshi në bojë të vet natyrale, xhokën të qepun me porosí e krejt të qëndisun për të qëndrue mbë kâmbë, jelekun bojë gjaku të ngrîmë edhe atê me bërshim, e përmbi ta pardhocen e kuqe në krye. Pardhocja ka qênë nji ksulë vetëm krutane. Në vogjlí t’eme përdorej gati rëndom prej esnafit. Mâ vonë filloi me u rrallue e erdh tue i a lëshue vêndin pak nga pak edhe ajo qeleshes. Përmbrênda s’ishte tjetër as ajo veçse nji qeleshe e lehtë qilindrike si e ka Matja, Dibra e Luma, por e veshun me kazmir të kuq të qepun me rreshta të zez në mënyrë qëndisjeje.
Kështu vishej Zenel Efendiu e, me folë të drejtën, kjo veshë i kishte hije sa s’ka atij trup burri mjaft të pashëm, të gjatë e të drejtë si qiriu.
Por typi intelektual n’e moçme e autodidakt mâ interesant në Krujë ka qênë Jahe Gjeli (Jahjá Kavaçi, ma vonë). Ishte ndoshta nja 3-4 vjet mâ i madh se un. Kur kam kalue un në ryshdije ai kishte mbarue e hŷmë praktikant në zyrën e financës së Krujës. Por vinte edhe…. si asistent vullnetar i të vetmit mësues qi kishim, i Arif Efendiut plak me çallmë, na mësonte kaligrafí e na tfillonte ndonji pjesë të vështirë të ndonji mësimi tjetër. Jahja këndonte çdo libër tyrqisht qi t’i binte në dorë, krejt në kundrështim me të gjithë tjerët qi s’dijshin se kuj i thonë këndim. Ishim shumë miq qyshse u rrita edhe un e u bâna student gjymnazi e universiteti. Qyshë ditën qi u shpall Kushtetuta tyrke në 1908, ai, tashmâ me nji farë rroge të mirë në zyrën e tij, qe pajtue në 2-3 gazeta të Stambollit dhe këndonte, këndonte pa i a damë. Tyrqishtja e tij pat mbërrîmë në nji shkallë përsosunije me i a pasun lakmí nji gjymnazist i mirë. Por Jahja për mâ tepër nxû shpejt me këndue rrjedhshëm e me shkrue mjaft mirë edhe shqip. Sa ishem student në Mylqije, në Krujë me atê e kishem korrespondencën. Edhe nânës s’eme ai i a shkruente letrat për mue. Ishim bâmë mâ si vëllazën. Por nji miqsí e vazhdueshme pa përpjeta e tatpjeta me tê ishte shum’e vështirë për kêdo. Karakter nervoz e i përkeqtë, qetash ishte gati me të dashun e lavdrue deri në qiell, edhe faqe, e nesër me të vûmë në qêzë e në taplote me të parin njeri qi të ndeshte, pak me të pasë rrëshqitun kâmba ase me i pasë prekun kund me nji gjeth trândafillje në ndonji dell qi i dhêmbte. Si nëpunës, veç, Jahja ka mbetun gjatë gjithë karrjerës së tij shêmbull ndershmënije e përpiknije. Si financjer burokrat rrallë e tek e kishte ndonji shoq në Shqipní, edhe për kah ana e zotsís.
Por ndërsa tjerë edhe mâ pak të zott hypshin ndër vênde të nalta të ministrís së financavet, atê as topi s’e luente prej drejtorís së Krujës. Atje donte t’a griste jetën, atje të vdiste. Mirpo qe se vêndi ka nevojë për veprën e tij në nji fushë mâ të gjânë e mâ të frytshme, e ministrija e shpëmgul në nji drejtorí prefekture, në Durrës e në Shkodër. Jahja bân çmos për me i ikun ksaj rritjeje qi vetë e quente nji ndeshkim të padurueshëm. Sikur të kishte me se të rronte, sado keq, do t’epte atças dorhjekjen e asnji hapë s’do t’a bânte për me dalë jashta Krujës së tij. Kishte gjetun nji rrugë të vetme për me provue nëse mund t’a shtrëngonte ministrín me e kthye prapë në gradën mâ t’ulët qi kishte atje në shtrofullin e vet. Qitte shqelma pa damë me ministrín e me ministrin personalisht, herë me arsye e herë pa arsye. Por kot, e njihshin mâ të gjithë e e durojshin, edhe pse e çmojshin e s’ishte lehtë me i a gjetun shoqin. Në 1944 e kam lânë ende në Shkodër. Mbrapa kush e di se në cilën kategorí “reakcjonarësh” do të kete vojt’e mbarue i shkreti!
Komentet