Organizimi shkolluer i Perëndorís othomane në fillimt të këtij shekulli na paraqet nji trajtë krejt të përgjashme me atê të Shtetevet perëndimore: shkolla fillore, të mesme e të nalta. Por për sa i përket lândës e metodës së mësimit, ndryshimi ndërmjet njânës e tjetrës palë ishte i madh. Ky ndryshim, i prospektuem në nji formë gjeometrike, mund të përfaqsohet prej nji koni të premë. Në bazët të poshtër të këtij koni shohim të mêtat e mësimit filluer, të cilat shkojnë tue u pakue kah maja në mënyrë qi baza e epër e konit na tregon përgjithsisht dhe afrisht ato të mësimit të naltë në krahashim me atê të botës së qytetnueme.
Në nji monarkí theo – autokrate orjentale si ajo e Tyrqís s’Abdyl – Hamidit II çdo organizim shtetnuer ishte, natyrisht, i frymzuem prej fés së popullit sundues, e s’kishte si me qênë ndryshe as për shkollat. Mësimi i fés mohamedane e kapte nxânsin për fyti qyshë prej abecés e s’e lëshonte, në mâ të shumën e shkollavet, edhe të nalta, deri në mbarim të studimevet! Kjo ishte plaga mâ e mëndershmja e arsimit n’atë Shtet. “Me u ngjitun në hoxhë, me shkue në hoxhë” donte me thânë në Shqipní me u ngjitun në shkollë, me u shkrue në shkollët fillore e me shkue në shkollë. Pse në hoxhë? Se hoxhë ishte mësuesi, nji hoxhë qi bânte të gjitha shërbimet fetare. E pra t’a merr mêndja se fëmijët e të krishtenvet s’kishin vênd n’ato shkolla. Ata kishin shkollat e bashkarive të tyne fetare, me ato pasoja politike e shoqnore qi dijmë të gjithë në Shqipní. Shkolla fillore myslimane, veç disa qyteteve të mëdhá e shum’a pak të përparueme, ishte nji kând xhamije ase nji sallë e ndërtueme ngjit me tê. Mësohej kâmbëkryq për tokë me banka të ngrituna deri në krahnuer të nxânësve e hoxha vetë ulun edhe ai kâmbë-tyrqisht përmbi nji tribunë nja dý pëllâmbë mbi tokë e të shtrueme me shilte ase vetëm ndêjtun mbi këtê pa tribunë fare. E ç’u mësonte? Fëmija fillonte me mësimin e abecés arabishte, qi ishte aq’e vështirë për Shqiptarin, për Boshnjakun, për Llazin e për Kurdin sa dhe për Tyrkun vetë. Vinte mbandej rroksimi e dalkadalë këndimi, gjithmonë arabisht. Se arabisht ishte shkrue korani e sŷnesa supreme e nxânsit mohamedan do t’ishte leximi i drejtë i “Fjalës së Zotit” në tekstin origjinal, pa kuptue asnji send në tê kur s’ishte arab prej Arabije. Përkthimi i Koranit në tjetër gjuhë ishte nji sakrilegjë aso kohe e prandej të tânë myslimanët e botës e kishin për detyrë të nxêjshin me e këndue arabisht. Metoda e mësimit ishte jo aq’e përsosun sa as vetë hoxhën qi mësonte, nji Arab i Hëxhazit s’kishte për t’a marrë vesht po t’a ndëgjonte tue lexue Koranin.
Klasët e shkollës fillore praktikisht s’ishin të caktueme. Hoxha bânte bashkë mot për mot nji tog nxânsish qi mbas 3, 4, 5 ase 6 vjet mësimesh i quente të pjekun për t’i çue në Ryshdije, ata qi sŷnojshin me vijue ndër shkolla civile e ushtarake, në medresé, ata qi prirshin kah mësimi fetar, ase në shtëpí të vet, ata qi s’dojshin me vijue mâ.
Ryshdija kishte trí klasë të caktueme. Ishte nji farë shkolle plotore dhe vlente për trí klasët e para të gjymnazit. Ksosh me gjasë duhej të kishte në çdo kryevênd nënprefekture, mbasi deri Krujës i kishte ramun për pjesë nji. Mund t’ishte civile ase ushtarake, me programë e disiplinë shum’a pak të ndryshme. Ryshdijet ushtarake, natyrisht ishin shumë mâ të rralla. Ndoshta vetëm ndër kryevênde vilajetesh. Shkodra e ka pasun nji, me sa Durrsi, qi ishte kryevênd prefekture dhe jo vilajeti e as selí komande ushtarake të naltë si Shkodra s’kishte. Anasjelltas, Durrsi kishte nji gjymnaz t’ulët pesë klasësh, civil, e Shkodra jo. Shkupi, Manastiri e Janina kishin gjymnaze të plota shtatë klasësh.
Në disa qêndra të Mbretnís kishte dhe gjymnaze ushtarake, qi përgatitshin nxânsat e Akademís, siç kishte dhe shkolla normale t’ulta për të nxjerrë mësuesa për shkolla fillore. Këto të fundit porsa kishin fillue me u hapun.
Nji organizim universitar në kuptimin e ksokohshëm Tyrqija e vjetër s’e ka pasun. Kishte shkolla të nalta, të barasueshme me Fakultetet e soçme: Medicinën, Ligjën, Ingjinerín, Akademín ushtarake, Shkollën e Luftës, “Shkollën Civile Mbretnore”, Veterinarín, Bulqsín, Normalen e naltë, Shkollën e kadilervet e Medresét. Në disa prej këtyne shkollave të nalta a Fakultete universitare, të grumbullueme të gjitha në Stamboll, s’ishte gjâ e domosdoshme me i pasë mbarue të gjitha klasët e gjymnazit, sigurisht nga nevoja e madhe qi ndiente Administrata për njerëz dosido të diplomuem.
Kështu, b.f., në Ligjë mund të hyhej edhe me nji provim të lehtë pa paraqitun kurrfarë deshmije gjymnazore; n’Ingjinerí mjaftonte me pasë krye edhe vetëm rendin e pestë të gjymnazit. Krejt në kundrështim me këto, dyert e Shkollës Civile Mbretnore ishin të ndrŷme me shtatë drŷj, qi, për me i çelun, s’ishte mjaft as deshmija e rregullt e gjymnazit, por me këtê në dorë duhej me fitue edhe nji konkurs të fortë. Kjo shkollë ishte ândrra e gjithë të rijvet shum’a pak të squet e ambicjozë. Administrata civile e diplomatija othomane prej saj i thithshin elementet e vet mâ të çmueshëm.
Komentet