Nga të gjithë Eprorët e gjymnazit të Janinës, shkollë e konvikt, dý fytyra mbaj mênd të kohës s’eme qi s’dijshin me qeshun kurrë faqe nxânsash: ajo e Saib Efendiut, nji Tyrk prej Anadolli, hoxhë me çallëm i mësuem mjaft mirë në Shkollët Normale t’Epër e mjaft i squet; dhe ajo e Qamil Efendiut, Shqiptar nga Gjillani qi mâ vonë, shumë mâ vonë, atje kah vjeti 1923 me gjasë, pat ardhun në Shqipní e marrë pjesë veprimtare në jetën politike të Vêndit me titull, emën e mbiemën qi kanë njohun të gjithë intelektualët shqiptarë të kohës së tij: Prof. Qamil Bala.
Me të parin më pat ndeshun fati keq atças qi shtieva kâmbën n’atë kolegj ku ai sundonte gati si diktator. Ishte Drejtor i konviktit dhe Nëndrejtor i gjymnazit. Un ishem paraqitun me deshmín e Ryshdijes së Krujës me të drejtë formale qi m’epte ajo me u shkrue në rent të katërt. Mirë po në të vërtetë ajo ishte nji deshmí e çudiçme. Disa lândë t’urdhnueme me u mësue simbas programës zyrtare atje e kishin vêndin të bardhë, pa asnji shënim. Në Ryshdijen e Krujës ato s’ishin mësue fare. Ishte pra nji deshmí e çalë ajo qi kishem un në dorë, me gjith pikat e bukura në lândët qi më kishin mësue. E mbasandej tyrqishtja e ime, gjuha zyrtare e shkollore! Kjo ishte me të vërtetë turçe puke… E si kishte me më pranue shkolla si nxânës të të katërtit gjymnazuer me këto kushte? Saib Efendi ngulte kâmbë qi un të fillojshem prej rendit të parë në qe se kishem vojtun atje për me nxânë gjâ; ase përndryshe asnji hapë përpjetë s’kishem për të mundun me e bâmë! Por a kishte burrë qi të m’a mbushte mênden mue me hŷmë në nji rend me fëmijë tri e katër vjet mâ të vogjël? Jo, qe besa, edhe me pasë pasun për t’u kthye dalë pa tjetër andej kah kishem ardhun! Kryeneçnija e ime e zëmron keq Saibin, e m’a këput shkurt se me atë deshmí qi kishem un s’mund t’u pranojshem veçse në të parin rend. Por i kishte hasun sharra në gozhdë edhe atij. Un kishem për kujdestar të dytin personalitet t’Autoriteteve të Vilajetit, nji koxha Feriik, Gjeneral Divizjoni, qi për mâ tepër i thojshin Esad Pashë Toptani! Ky jo veç qi kishte t’anë e të dhândrrit, Halil Beg Krajën, ke gjûni i Sulltan Hamidit e të dhândrrin vetë, Veli Begun, ajutant të Mbretit, por mbas vrasës së Xhavid Begut, të të birit të Sadrazemit, për gjak të Gani Beut, i kishte mbërrîmë zâni në qiell e në rrethet e Pallatit dhe n’ato të Stambollit përgjithsisht. Kishte hŷmë në radhë të pashallarvet mâ të drashtun të Tyrqís.
Në gjymnazt të Janinës nuk mund të vêndosej pra fati i im pa pasun sigurín e pëlqimit të Pashës s’em qi më kishte çue atje. Mâ në fund bisedim mbas bisedimi e tërhiq e mos këput, me urdhnin e Pashës u pa me udhë qi un të hŷjshem në rent të tretë. Pasha më thirri e më shtrëngoi me studjue me natë e me ditë për me u a mbërrîmë shokvet qi ishin shumë para meje. Por un s’kishem nevojë për shtrëngim. Kushti i lidhun me veten t’eme në liman t Durrsit do të më përsillte deri në mbarim të gjithë studimevet të mija.
Tre muejt e parë hoqa shumë keq. Ishem i fortë vetëm në mathematikë, qi s’lypte shumë fjalë. Tre muejt e dytë mbërrîna me u barazue me shokët gati në të gjitha lândët. Tre muejt e mbrapëm ishem në ballë, e në provimet dola i pari i rendit. Të gjithë profesorat më përgzuen. Me Saibin u bâmë miq, i qeshën sŷt, por vetullat e zeza e të trasha, musteqet e plota, mjekra e qethun me shumë kujdes e hijeshí, balli i mbuluem përgjymsë prej çallmet të bardhë si bora, ata edhe n’atë rasë kënaqsije s’i ndërruen, mbetën si gjithmonë hijerândë.
Për pushimet e verës u kthyem, prap me Dinin e Axhë Xhiut, në Krujën t’onë. Ky i uruem, sa për shkollë s’kishte qitun në krye gati kurrgjâ. Ardhun atje pa kurrfarë themeli, me gojë tepër të mbajtun qyshë se kishte lemë, në moshë të shtŷme e pa vullnet të fortë, i kishte ndjekun mësimet e rendit t’em mâ fort si ndëgjues se sa nxânës, dhe në provime s’kishte hŷmë aspak. Kishte nxânë disi mâ mirë tyrqishten dhe mjaft fjalë greqishte. Ksosh madje mâ shumë se un, mbasi ai, herë tue u dashun e herë tue u kapun, kishte ngé me çamë dërrasa me nxânsat janinjotë e s’i dronte qërtimet e ndeshkimet e Eprorvet qi urdhnojshin me folë vetëm tyrqisht si në shkollë ashtu në konvikt. Gjithashtu edhe jeta e ndrŷme për nândë muej rrjesht, me nji rregull e nji disiplinë qi mund t’i quej shêmbullore, s’kishte mbetun pa lânë mbresat e veta mbi edukatën e tij. Gjymnazi i Janinës me konviktin e tij quhej ndër mâ të përsosunit qi ka pasun aso kohe Tyrqija. Ndoshta për konkurrencë gjymnazit të famshëm grek t’atij qyteti, djep kulture të shqueme ku kanë thithun edhe personalitete të nalta shqiptare si Sami e Neim Frashëri dhe Ismail Kemali.
Afër mêndsh se me kthimin t’onë në shtëpí u bâ jeta për të gjithë e sidomos për t’im’âmë. Tue më marrë ngrykë i shkojshin lott rrëké. Lot gzimi ksi shtegu. Por lot veç. Familja gjithë moralisht kishte nisun me u këndellë pak tashti. Baba, me transferimin e Esad Pashës nga Janina në Shkodër, kishte gjashtë muej qi i u kishte afrue shtëpís, kishte qênë atje e kishte vûmë shumë punë për fije. Pasha tash e përdorte mâ fort në kujdese çifliqesh se sa me e lidhun pranë vetes. Gjênte pra ngé e rasë me shkue shpesh në Krujë e me i ramë mbrapa familjes.
T’im et i u bâ qejfi fort për sukcesin t’em në shkollë. Por Nâna s’ishte aspak entusjaste. Ajo do të kishte qênë sigurisht mâ e gzueme sikur t’ishem kthye si Dini për mos me e rrahun kurrë mâ rrugën e Janinës. Kishte nji mbrêndapamje (intuitë) jashtazakonisht të hollë.
– E kam dijtun, më thonte, se s’kishe për t’u turpnue. Të njoh mirë. Por ç’dobi? Mue më dole doret, un s’kam djalë mâ, i lava duert prej sì. Mâ mirë të kishem pasë mbetun pa sŷt e ballit, mâ mirë të kishem pasë vdekun se me e shkue jetën larg teje!….. Miqt e mikeshat qi i a dijshin këtë dobsí shpirti u mundojshin me e ngushullue me lavde gjithë farësh për mue. Zenel Agë Meça sa herë u piqte me tê i thonte: ” Hânke, a bajmë nji tramtë bashkë? Ti po m’ep mue Mustafán e un tý po t’ap çiflikun t’em me katërmbdhetë bulq! Hânke, si po thue, pra, a po e bâjmë atë tramtë a jo?”
Të dytën vjetë studjova me gjith’atë zell, me gjith’at’afsh qi më kishte shpirtnue gjatë së parës. Veçse nevojën e studimit, sa për me nxânë mësimet e shkollës, s’e ndiejshem mâ aqë të madhe. Kishem fillue me këndue edhe libra jashtashkollore, romane e sidomos letratyrë politikisht të ndalueme dhe libra shqip qi kishem marrë me vete prej Kruje e tjerë qi më bijshin në dorë. Gati të gjithë nxânsat këndojshin ksi librash e prandej s’kishin frikë prej shoshoqit. Eprorvet u ruheshim. Nën sundimin e Abdyl-Hamitit letërsija e historija ishin tëmersisht të cungullueme e të kufizueme. Asnji tekst, asnji frazë, madje asnji fjalë qi sado largas, edhe pa qëllim, mund të prekte në padrejtít e regjimit despotik nuk mund t’u shkruente legalisht. Për historí nuk do të lexoheshin veçse faktet e thata, edhe këto mâ të shumën te falsifikueme, të historís othomane. Arti letrar thuejse n’atë perjodë kishte shterrun krejt. Veprat letrare mâ të shqueme të shekullit të kaluem ishin ndalue e zhdukun prej qarkullimit legal. Censura i kishte futun hundët deri ndër fjalorë. N’asnji fjaluer qi mund të përdorej legalisht nuk e gjêjshe, p.sh., fjalën despotizëm, lirí, republikë a revolucjon. Prandej kush donte me dalë prej atij terri, kush kishte et për kulturë të lirë s’kishte tjetër rrugë veçse me gjetun e këndue libra të vûmë n’index të Regjimit. Un këtyne në të katërtin rend të gjymnazit thuejse veç erën kishem fillue me u marrë. Këndojshem shqip mâ të shumën kur më tepronte koha prej mësimesh. Sidomos vjershat e Neimit, shumë prej së cilash i kishem nxânë për mênsh. Kështu për shëmbull gjithë kapitullin e Istorisë së Skënder Beut, qi përshkruen kthimin e Fatosit t’onë në Krujë. Dritën e Shahin Kolonjës, të botueme në Sofí, e merrshem gati rregullisht prej Kasem Durrsit, aso here Bash-Çaush n’ushtrí me selí në Janinë, dhe prej Musa Demit nga Filati i Çamërís. Këta dy patriotë ishin bâmë n’atë qytet apostuj t’idés kombtare, sidomos ndër ushtarë e të rij.
Ishem në të pestin rend kur nji ditë i shkoj Qamilit në zyrë – e kishim këtê profesor mathematike dhe nëndrejtor në konvikt – për t’a pyetun rreth nji probleme gjeometrije qi s’e kishem kuptue mirë. E gjêj tue këndue gazetën Le Temps të Parisit. U çudita. Shtypi i huej ishte i ndaluem për shtetasit e Sulltanit të Kuq. Hŷnte e qarkullonte kudo ndër qytetet e Perëndorís me anën e konsullatave e të librarive të mbajtuna prej shtetasve të huej, të pruejtun prej Kapitulacjonevet. Po kështu gjante edhe për librat e botuem përjashta në çdo gjuhë qi t’ishte. Po për shtetasin othoman duhej guxim për me i marrë në dorë e me i lexue, duhej me përballue burgje e mërgime. Kur mbandej ky shtetas t’ish edhe nëpunës, shërbtuer i Mbretit, për tê ky guxim dyfishohej, bâhej dý herë “tradhtí”. Qamili e flaku gazetën mbë nj’anë si pa të keq dhe me fytyrën e tij të vrânët si gjithmonë më pyeti se ç’deshirojshem. Kishem në dorë fletorin studimit, me figurën e vizatueme qi m’interesonte, dhe plumbsin. I a spjegova se ku kishem ngecun dhe ai më dha dritën qi më duhej për zgjidhjen e problemës. Un qëndrova prap mbë kâmbë përpara tavolinës së tij. M’i nguli sŷt mâ ngrysët se ç’e kishte zakon, sikur do të më hante me ta!
– Ç’do mâ? Më pyeti me nji farë zëmrimi.
– Z. Profesor, a mund t’a lexoj edhe un atë gazetë mbasi t’a keni mbarue
Ju? i përgjigjem qetisht tue i a lëshue sŷt Temps-it atje pranë tij.
Vetullat e zeza të Qamilit u nxinë e u ngrysën edhe mâ keq se ç’ishin.
-Ç’të duhet tý gazeta? Apo ke pak mësime për të nxânë?
– Për t’u ushtrue në frëngjishtet, Z. Profesor.
-Për t’u ushtrue në frëngjishtet lexo libra.
– Ç’ libra më porositni, Z. Profesor?
I shkreti Qamil tashmâ ishte tue e kuptue shqip se nji nxânës prej gjakut të tij po donte me e tundue për me dalë shumë mâ përtej se çë dojshin me thânë ato fjalë të mituna. Më shikoi ngultas ndër sŷ.
– Ti je Krutan, më thotë, as? Krutanët janë burra, janë besnikë, as?
-Si urdhnoni, Z. Profesor!
– Atëherë të prênden qi vjen eja e merri në shtëpít t’eme librat qi don, eja zgjidhi vetë, kam shumë libra të mirë në shtëpí. Eja me Sulejmanin – ky ishte nji shërbtuer i shkollës nga Tepelena – e merr me vete edhe librin e algjebrës dhe fletorin e ushtrimevet. Sulejmanit thueji se vjen për mësim. A more vesht?
– Si urdhnoni, Z. Profesor, faleminderës.
Dita e prênde ishte ditë pushimi në Tyrqí e nxânsat konviktora mund të dilshin me shetitun në krye të vet nën nji farë kontrolli qi bâjshin autoritetet shkollore prej së largu e nën përgjegjsín e kujdestarvet të tyne. Të vogjlit vijshin ase çojshin e i merrshin vetë kujdestarët. Un kishem bâmë fjalë qyshë në mbrâme me Sulejmanin qi të më përsillte ke shtëpija e Profesor Qamilit…. për disa tfillime rreth nji mësimi të vështirë n’algjebër. Sulejmani më përsuell deri te dera dhe shkoi. Trakllova. Nji grue e rame në moshë, shërbtorja e Profesorit, duel pëmjiherë e m’a çeli. Profesori po më pritte në krye të shkallvet. Porsa hypa, përshëndetjes s’eme me temená siç ishim mësue, na nxânsat, në shkollë e në konvikt,i u përgjegj tue më shtrimë dorën me nji fytyrë të qeshun të papame kurrë deri atë ças n’atë njerí aqë të rreptë, dhe tue m’a shtrëngue fort t’emen me këto fjalë shqipe, të theksueme deshtas: ” Mirë se erdhe, or Krutan!”
-Mirë se Ju gjeta, Z. Profesor, i përgjigjem edhe un shqip, mjaft i trazuem prej nji lâmshi ndiesísh qi as tashti s’jam i zoti me i percaktue. Ishte e para herë qi po e ndiejshem Qamil Balën tue folë shqip. Ishem mësue me e pamë gjithmonë të vrânët, t’ashpër, t’egër si në klasë ashtu në konvikt. Atë ditë në shtëpít të vet e kishem gjetun pa prit’e pa kujtue kryekëput të ndryshuem, si t’ishte nji tjetër njeri.
Tue më primun n’odë më qërtoi, gjithmonë me buzë në gaz: ” Shqiptarët nuk thonë Ju, por Ti kur flasin me nji të vetëm. Prandej duhet thânë: Mirë se të gjeta, jo mirë se ju gjeta!” Edhe shtoi: ” Këtu në shtëpít t’eme jemi miq e shokë, jo nxânës e mësues.”
N’odët ku shkuem e u ulëm më kishte pasë bâmë gati tre libra frëngjisht, tre romana: Robinson Crusoé, Mémoires d’un chêne dhe Le roman d’un Spahi.
“Qe, më tha, tue ligjirue gjithmonë shqip, këta libra kam zgjedhun për tý; janë libra të mirë dhe shkruem me nji gjuhë të lehtë. Me ndihmën e nji fjalori mund t’i marrsh vesht sigurisht. Ç’fjaluer përdoron?”
– Kam Kamus – i – Fransevín e Shemsedin Samiut.
– Mirë, por mâ mirë âsht me përdorun nji fjaluer krejt frëngjisht, si Larousse-in bie fjala. Shemseddin Samiu âsht Sami Frashëri i ynë shqiptar, e din?
– Si urdhno, e dij.
– E të vllazënvet, Abdylit e Neimit, a u ke ndie zânin?
– Neimit po, Abdylit jo.
– Ke të drejtë, Abdyli s’ka qênë shkrimtar, por ka qënë Shqiptar i mirë, shumë Shqiptar i mirë. E për Neimin ç’ke ndëgjue?
Kishte mbërrîmun koha me i a çue petën laknorit. Vetë e kishem kërkue, e tash duhej shkue deri në fund, I përgjigjem:
– Më ka ramun me lexue ndonji libër vjershash të tij në Krujë.
Qamilit i xhixhilluen sŷt si nji të dejuni prej gzimit.
– Ah, kështu? Ti dijke me këndue shqip? Të lumtë, ti kôke njimênd shqiptar, kôke Krutan i vërtetë. Cilat vepra të Neimit ke lexue?
– Të gjitha.
– Të lumtë! Cila të ka kënaqun mâ fort?
– Istori’e Skënder Beut.
– Ậsht e dijtun, ti je Shqiptar e krutan i mirë.
– E dij nji kaptinë krejt për mêndsh.
– Cilën? Recitoma!
Dhe nisa t’i a recitoj: ” Kruj’o qytet i bekuar – Prite prite Skënder Benë….” Qamil Balës, tek po më ndëgjonte, i qeshëshin sŷt, i qeshëshin buzët, i qeshte krejt fytyra, çdo mis i trupit sikur i qeshte, sikur i lëvizte, sikur i kërcente prej harejet. Mbas nja njizet strofash u ngrêjt mbë kâmbë, m’a preu në gojë recitimin më kapi për dore e më tërhoq kah nji odë tjetër. Ishte studjo e tij. Atje kishte bibliotekën e shumë fotografí ndër muma: Abdyli, Samiu, Neimi, Jan Vretua, Pashko Vasa, Prenkë Bibë-Doda, Murat Toptani, Abat Doçi e sa patriotë tjerë qi s’i mbaj mênd. Për secilin më tregonte veprat patriotike të kryeme. Nxuer nga biblioteka e më diftoi shumë libra shqip. Më tha:
– Po të na hetojnë Halldupët sharrojmë. Po un nuk shtij këtu veçse Shqiptarë e Shqiptarë të mirë. Na nuk mund t’i biem mohit gjakut t’onë, Kombit t’onë, Shqipnís s’onë. Por duhet t’u ruhemi fort Halldupve e Shqiptarve të këqij se na marrin mbë qafë. Duhet të punojmë nën dhé, me urtí të madhe, mos të shkelim në dërrasë të kalbët. Mos i u çil kujdo prej shokve. Ata qi të jenë të sigurtë mund të m’i sjellsh këtu në shtëpí për çdo të prênde, por jo mâ shumë se nji në shtekt. Këtu flasim lirisht për shqiptarí, në shkollë e në konvikt bâjmë mësime, vetëm mësime. Atje nuk njihemi veçse si mësuesi me nxânsat e vet, Shqiptarë e Halldupë nji!
Kishte kalue mjaft kohë prej asaj dite. Ke Qamili kishem vojtun edhe shumë të prênde tjera herë me nji shoq e herë me nji tjetër, por mâ të shumën vetëm. Ndërmjet tij e meje s’kishte mbetun mâ kurrgjâ e fshehtë. Nji ditë prej ditsh, porsa kishim ngrânë drekë, të gjithë konviktorat ishim tue shetitun n’oborrt shumë të gjânë të konviktit e të shkollës bashkë. Nji urdhën i papritun i jashtazakonshëm na fton me u mbledhun secili në vênt të vet nëpër studjo. Qamili, si nëndrejtor i konviktit, ka dalë korse me rregullue mbledhjen t’onë. Tu i kalue pranë m’a bân shqip, pa më shikue ” Kujdes!” E kuptova. Gojë mbë gojë u shkelën të gjithë shokët. Mbas nji çerek ore, kur kishim zânë të gjithë secili vêndin e vet, hallakaten nëpër studjo të ndryshme nja nji duzinë zyrtarë të policís bashkë me nëpunsat e konviktit qyshë prej Drejtorit për të na kontrollue. Por Qamil Bala, ” Shqiptar i mirë”, siç i cilsonte ai vetë me fjalë të përvûta ata qi mendojshin e punojshin për shqiptarí, Shqiptar authentik prej Gjillanit të Kosovës, ai me nji fjalë kishte dijtun me shpëtue atë ditë mâ se nji të ri prej rrenimit të përtardhmes së vet.
Komentet