Zonja dhe zotërinj!
Qytetarë të Krujës!
Shqiptarë të të gjitha trojeve dhe të diasporës!
Katër ditë nga sot, Shqipëria do të kremtojë 112 vjetorin e Pavarësisë dhe, nuk kishte ditë më të bukur, më të gjetur e më simbolike se kjo e sotmja, kjo vigjilje festimesh për ta kthyer firmëtarin e Pavarësisë në shtëpi.
Sot përjetësimi i Mustafa Merlika Krujës në një shtatore bronzi është dëshmi se e vërteta e gjen gjithnjë rrugën e vet. Edhe nëse vonon. Kjo ditë jep shpresë se historia i korrigjon gabimet.
Biri i Krujës, një 25- vjeçar me ëndrra dhe ideale për Shqipërinë e tij u nis drejt Vlorës për të hedhur firmën në dokumentin e Pavarësisë, me atë dashuri e vizion siç më 1443-shin e kishte bërë Gjergj Kastrioti Skënderbeu kur ngriti flamurin kuqezi, pikërisht këtu, në kalanë e Krujës.
Kjo shtatore bëhet realitet dhe vjen si përmbushje e përpjekjeve të gjata të familjes Merlika, që për tri dekada kanë luftuar të heqin baltën mbi patriarkun e tyre dhe një prej personaliteteve të shquara të historisë, politikës e studimeve albanologjike.
Botimet e veprave, konferencat e simpoziumet mbi veprimtarinë e tij shumë dimensionale, shtruan rrugën që historia t’i hapë vend kësaj figure, një prej kryeministrave të Shqipërisë. Vendosja e shtatores në një prej shesheve të Krujës është hapi i parë konkret. Një falënderim i shkon padyshim edhe atyre që dhanë dakordësinë për ta vendosur shtatoren në një prej shesheve të Krujës – Këshilli Bashkiak i Krujës dhe prefektura e qarkut Durrës.
Për jetën dhe veprën, për kontributet si atdhetar, politikan e studiues flasin historianë, studiues e profesorë, por ajo që mund të them është se mjegulla po davaritet nga emri dhe figura e Mustafa Merlika Krujës, ashtu siç u davarit mjegulla e propagandës së regjimit të shkuar për ta dalluar qartë firmën e tij në Dokumentin e Pavarësisë.
Firmëtari i Pavarësisë, Sekretari i parë i qeverisë së Vlorës, Prefekti i Vlorës, Pjesëmarrës në Kongresin e Durrësit, Përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, Deputet në Parlamentin e parë shqiptar dhe Kryeministër i vendit…
Mustafa Merlika- Kruja ishte gjithmonë aty ku caktoheshin fatet e Shqipërisë, për të luftuar për të.
Sot historiografia e regjimit të vjetër ia ka lënë vendin pluralitetit të mendimit dhe studimeve të pavarura e serioze që synojnë të hedhin dritë në periudha të caktuara e te figura të lëna në terr e në harresë.
Në 100 Vjetorin e Pavarësisë, Merlika Kruja do të merrte titullin “Nder i Kombit” nga presidenti i asokohe, Bamir Topi.
Sot kjo shtatore e rikthen përgjithmonë në shtëpi, shtëpinë e atdheun që nuk pati mundësi t’i shohë në të gjallë, me brengën për vendin e për familjen e cila vuajti tmerret e regjimit komunist, në burgje e kampe përqendrimi, vetëm pse ishin pinjollë të një prej politikanëve më të shquar të shekullit XX.
Kur flasim për Mustafa Merlikën i referohemi një figure që e ngriti veprimtarinë e tij në shekullin e 20, jo edhe aq larg në kohë, në përpjekjet për ravijëzimin e Shqipërisë si një shtet modern dhe europian.
Gjatë administratës së qeverive në kohën e Princ Vidit qe këshilltar i arsimit publik dhe inspektor i arsimit në Elbasan dhe më 1940-n qe nismëtar për themelimin e Institutit të Studimeve Shqiptare dhe drejtues i saj. Me vepra si “Antologji Historike”, “Fjaluer Kritik i Shqipes”, “Lashtësi Shqiptare” e shumë të tjera ai ka dhënë kontribut të vyer në studimet albanologjike, të cilat për fat të keq, si për komunitetin e studiuesve ashtu edhe lexuesin e gjerë, janë bërë të njohura pas vdekjes së tij.
Një prej trashëgimtarëve të tij ishte vetëm katër muajsh kur gjyshi, që e mbante në krahë, do të largohej për të mos e parë kurrë më. Por ai nip, sot një intelektual fisnik si Eugjen Merlika, nuk është lodhur për ta çuar te shqiptarët veprën e Mustafa Merlika Krujës si albanolog, historian, publicist, politikan e padyshim burrë shteti.
“Po të na detyronte fati të zgjedhim njërën nga të dyja: të humbim Kosovën, apo pavarësinë, ne do të dëshironim të humbnim pavarësinë sepse të bashkuem me Kosovën, pavarësinë do ta rikthenim ndonjë ditë”, shprehej Merlika Kruja në prill të vitit 1941 dhe shumë janë thënë për këtë nga historiografia e shkuar.
Bashkimi i Shqipërisë etnike ishte dita më e lumtur e Mustafa Merlikës, ndërsa 24 nëntori 2024 do të jetë i familjes së tij.
Mustafa Merlika Kruja do t’i mbyllte sytë larg, shumë larg vendlindjes, në Ujëvarat e Niagarës, 27 dhjetorin e vitit 1958, por sot qytetarët e Krujës e çdo kalimtar do të ndalet e përshëndetet me shtatoren e birit të këtij qyteti që më shumë se gjithçka e desh Shqipërinë të lirë, të pavarur e të bashkuar.
Historia qoftë e drejtë me burrat e kombit!
*Suadela Balliu, fjala e mbajtur gjatë moderimit të ceremonisë së përurimit të bustit të Mustafa Merlika-Krujës. Krujë, 24 nëntor 2024.