Deutsche Welle: Zoti kryeministër, cila ishte për ju domethënia e vizitës në Berlin dhe takimit me kancelaren Angela Merkel?
Isa Mustafa: Për mua ka qenë kjo një vizitë tepër e rëndësishme, sepse fjala është për një vend të fuqishëm evropian, i cili jo vetëm që ka ndikim në politikat evropiane por edhe në ecuritë eknomike dhe politike mbarëbotërore. Një vend i cili ka investuar shumë në Kosovë – përmes investimeve të drejtpërdrejta ekonomike dhe asistencës në shumë fusha të ndërtimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës. Gjermania ka ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës ekonomike dhe ligjore të Kosovës. Gjermania është një vend i cili na ka mbështetur shumë në procesin e dialogut me Serbinë, duke vënë kritere të caktura dhe duke kërkuar implementimin e marrëvshjeve të arritura në Bruksel. Për ne është me rëndësi që të kemi kontakte sa më të ngushta të mundshme me Gjermaninë, sepse kjo ndihmon zhvillimin tonë demokratik dhe proceset evropiane. Por ndihmon edhe procesin për liberalizimin e vizave dhe marrëdhëniet e tjera kontraktuale që do të pasojnë më vonë me Bashkimin Evropian. Jemi shumë të ineresuar që të tërheqim investime nga Gjermania në Kosovë dhe të ndërtojmë marrëdhënie të partneritetit strategjik me Gjermaninë në fushat ku këto biznese gjejnë interes psr investime në Kosovë. Natyrisht që neve na intereson edhe përkrahja e Gjermanisë për anëtarësim në instituciont e ndryshme ndërkombëtare, siç është interpoli – sepse ne jemi të interesuar të jemi pjesë e sigurisë, jo vetëm rajonale por edhe botërore.
DW: Cilat kanë qenë kërkesat dhe sugjerimet kryesore të kancelares Merkel për vazhdimin e rrugës së demokratizimit të Kosovës dhe afrimit me BE?
Isa Mustafa: Ne kemi punuar mjaft shumë dhe jemi munduar t’i plotësojmë kushtet që janë paraqitur në procesin e liberalizimit të vizave. Në takimin me kancelaren u tha se duhet të punojmë edhe më shumë në forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sepse Gjermania dhe vendet e tjera nuk janë të kënaqura me nivelin e luftimit të këtyre dukurive në Kosovë. Mendoj se këto kërkesa janë të arsyeshme, sepse është e vërtetë që ne duhet edhe më fuqishëm të luftojmë krimin në të gjitha fushat. Një kërkesë tjetër e Gjermanisë është që Kosova të amandamentojë Kushtetutën e Kosovës dhe të krijojë dhomën speciale për të trajtuar pretendimet për krime lufte. Mendoj se ne kemi marrë obligime konkrete ndërkombëtare dhe duhet t’i çojmë këto procese përpara.
DW: Pse nuk i keni realizuar deri tani këto kërkesa, cilat janë problemet me të cilat po përballeni në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, krijimin e Gjykatës Speciale për krime lufte etj? Këto kushte nuk janë të reja. Pra pse nuk i keni realizuar deri tani?
Isa Mustafa: Tashti ne mund ta hedhim fajin te njëri apo tjetri dhe me siguri që ka hapësirë për fajësimin e njërës apo palës tjetër. Në një periudhë të caktuar Kosova nuk i ka pasur përgjegjësitë që i takojnë një shteti – veçmas në fushën e drejtësisë, gjyqësisë dhe policisë. Këto të drejta i ka pasur fillimisht UNMIKU e më pas Eulexi. Së fundi ne e kemi marrë një pjesë të kompetencave. Por shkaku kryesor është që në Kosovë nuk ka pasur gatishmëri të mjaftueshme që institucinet vendore të ballafaqohen me këto dukuri. Unë mendoj se ka ardhur koha që ne të marrim përgjegjësinë dhe vet të organizojmë sistemin e drejtësisë, në mënyrë që ky sistem të përballet me këto çështje. Sa i përket Gjykatës Speciale, ky është një rast specifik, sepse rastet janë hetuar në nivel ndërkombëtar. Ndaj edhe u takojnë atyre që t’i përfundojnë. Por çështjet e tjera si krimi i organizuar apo korrupsioni, janë çështje të cilat ne duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe duhet t’i luftojmë.
DW: Këto janë çështje të cilat u takojnë edhe institucioneve të Kosovës dhe ato duhet t’i luftojnë…
Isa Mustafa: Insititucionet e Kosovës mund ta bëjnë këtë dhe janë të detyruara ta bëjnë. Ne duhet ta shtojmë numrin e prokurorëve dhe gjyqëtarëve, në mënyrë që të përfundojmë lëndët dhe proceset që presin kaherë. Poashtu duhet të gjejmë rrugë që të procedojmë dhe përfundojmë në veçanti lëndët që kanë të bëjnë me faktorin e jashtëm, sepse këto ndikojnë që njerëzit të mos vijnë dhe të investojnë në Kosovë.
DW: Kur do të themelohet Gjykata Speciale dhe si do të zhvillohet ky proces, pasi votimi në Parlament dështoi?
Isa Mustafa: Orientimi i qeverisë së Kosovës është që ta riprocedojmë këtë proces në Kuvend. Posa të kthehemi në Kosovë ne do ta ulemi të bisedojmë me grupet parlamentare, do ta trajtojmë këtë çështje në Kuvend dhe do të bisedojmë individualisht edhe me deputetë. Do ta bashkërendisim këtë çështje edhe me përfaqësues diplomatikë në Kosovë, sepse ky është një obligim edhe ndaj faktorit ndërkombëtar. Kushtetuta nuk e ndalon që një çështje të rikthehet në Kuvend për votim, ose do të bëjmë ca ndryshime të vogla në propozimet për ndryshimet kushtetuese por që nuk e ndryshojnë substancën e kërkesës për ndryshime. Ne duhet të krijojmë sa më parë një ambient për votimin e këtyre ndryshimeve, sepse duhet të përmbushim obligimin tonë, duke siguruar dy të tretat e votave sa janë të domosdoshme për ndryshimet e Kushtetëutës.
DW: Krimet e luftës janë një fenomen që nuk vjetrohet, sepse në Gjermani ka raste kur edhe pas 70 vitesh nga Lufta e Dytë Botërore hapen procese të këtilla. Pra kjo çësthje nuk është tepër emergjente. Por emergjent është dialogu me Serbinë, sepse jo vetëm Gjermania por i gjithë Bashkimi Evropian pret një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve. Raundi i fundit i bisedimeve në Bruksel ka dështuar edhe pse ka zgjatur më shumë se 17 orë. Pse, cilat janë pengesat më të mëdha në dialogun me Serbinë?
Isa Mustafa: Ne vërtetë kemi biseduar shumë gjatë dhe ky ka qenë një dialog shumë i mundimshëm dhe i rëndë. Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një fushë shumë e ndieshme. Kërkohet shumë kujdes në mënyrë që të mos formojmë një pushtet të tretë në Kosovë, sepe kjo do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Asociacioni nuk duhet të ketë të drejta ekzekutive dhe të luajë rolin e pushteti qendror. Duhet gjetur një modalitet i cili do të kënaqte nevojat e komunave me shumicë serbe dhe do të ishte në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, nga viti 2013. Por duhet mundësuar që pushteti qendror dhe ai lokal të kenë kompetenca të qarta dhe të mos ketë përplasje mes tyre. Këtu kemi pasur mjaft vështirësi të harmonizohemi me delegacionin e Serbisë.
DW: Delegacioni i Serbisë ka kërkuar që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive. A do ta pranoni këtë kërkesë?
Isa Mustafa: Pala serbe në mënyrë eksplicite nuk e ka shfaqur këtë kërkesë, por shihet qartë kur flasim për mënyrën e organizimit të këtij asociacioni se ata duan që ai të ketë kompetenca ekzekutive. Ne nuk pajtohemi me këtë dhe nuk kemi hapsirë kushtetuese për një gjë të tillë. Asociacioni duhet të mbështetë punën e komunave, promovon demokracinë dhe zhvillimin e tyre në fushën e arsimit, shëndetësisë etjerë.
DW: Në Bruksel keni biseduar për katër tema shumë të rëndësishme: asociacionin e komunave me shumicë serbe, energjinë, telekomunikacionin dhe lirinë e lëvzijes së qytetarëve. Mendoni se do të arrini ndonjë zgjidhje të shpejtë, sepse para takimit të fundit është thënë se marrëveshjet janë arritur dhe pritet vetëm nënshkrimi, ndërkohë që bisedimet dështuan?
Isa Mustafa: Marrëveshjet për kodin telefonik dhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe gati që janë arritur. Mund të themi se marrëveshja për kodin telefonik tani më është arritur. Por palët duan që marrëveshjet të nënshkruhen përnjëherë. Delegacioni i Kosovës insiston që marrëveshjet të nënshkruhen në pako, për asociacionin, energjinë, telekomunikacionin dhe hapjen e urës mbi lumin Ibër. Duhet siguruar edhe instrumentet për impelementimin e tyre. Qëndrimet janë shumë larg në lidhje me marrëveshjen për energjinë, sepse delegacioni serb ka hapur shumë probleme të pronës, të cilat për ne janë të padiskutueshme. Me Kushtetutën e Kosovës dhe me Rezolutën 1244 ne kemi siguruar se të gjtha pronat që janë në territorin e Kosovës i takojnë Kosovës. Elektroekonomia e Serbisë ka vepruar në veri të Kosovës, por ka vepruar në mënyrë ilegale.
DW: Pala serbe pohon se ka bërë shumë investime atje…
Isa Mustafa: Nëse kanë bërë investime, ato duhet t’i argumentojnë. Por ato prona janë prona të Republikës së Kosovës. Ne nuk mund të bisedojmë me Serbinë për pronën e ndërmarrjeve tona, sepse ato janë të Kosovës.
DW: Domethënë nuk jeni fare optimist se marrëveshjet do të arrihen shpejt?
Isa Mustafa: Mendoj se marrëveshjet mund të arrihen. Ne i kemi prezantuar edhe në takimin me kancelaren Merkel çështjet për të cilat kemi më shumë vështirësi për të arritur marrëveshje me serbët. Por hapsirë për marrëveshje ka sepse për këto tema jemi duke punuar në dy vitet e fundit. Jemi shumë afër edhe për arritjen e marrëveshjes për lirimin e kalimit mbi lumin Ibër. Pala serbe më shumë po taktizon për shtyerjen e marrëveshjeve, se sa që ka argumente për këtë.
DW: Cili është shkaku, pse nuk hapet ura mbi lumin Ibër?
Isa Mustafa: Nuk ka në asnjë shkak të arsyeshëm. Ura mund të hapet fillimisht për lëvizjen e qytetarëve e më pas edhe për lëvizjen e makinave. Ne nuk po vëmë kushte se si do të lëvizin automjetet në pjesën veriore të Mitrovicës, spese kjo ësthë çështje e komunës. Por me rëndësi është të hapet rruga dhe njerëzit të lëvizin të lirë.
DW: Zoti kryeminsitër, një temë shumë e rëndësishme në tëkimin e sotëm me kancelaren ka qenë edhe çështja e azilkërkuesve të shumtë që kanë ardhur nga Kosova në Gjermani. Cili ishte mesazhi i kancelares dhe cili është qëndrimi juaj?
Isa Mustafa: Mesazhi i kancelares Merkel ishte shumë i qartë, se Gjermania nuk do t’i jap azil askujt nga Kosova. Mendoj se ky është një mesazh shumë i arsyeshëm dhe shumë i dobishëm për njerëzit nga Kosova, të cilët mendojnë se duhet të ikin nga Kosova dhe të kërkojnë diku tjetër azil. Kosova është një vend i sigurt. Problem tjetër është që ne kemi probleme ekonomike dhe papunësi të madhe. Por këto probleme i prekin të gjithë qytetarët e Kosovës dhe jo vetëm ata që po ikin. Këso problemesh kanë edhe vendet në rajon dhe jo vetëm Kosova. Ne kemi shprehur gatishmërinë që t’i pranojmë të gjithë njerëzit që kanë ikur, t’u krijojmë kushte që të kthehen dhe të integrohen në Kosovë. Por kemi kërkuar edhe përkrahjen e Gjermanisë për punësime sezonale në këtë vend të punëtorëve nga Kosova. Ose të punësohen të rinjtë me profesione të caktuara për të cilat Gjermania ka nevojë. Kjo çështje mund të diskutohet në nivel të landeve të Gjermanisë dhe në nivel të sipërmarrjeve në Gjermani.
DW: Parimisht Gjermania ka premtuar vazhdimin e mbështetjes ekonomike, apo jo?
Isa Mustafa: Gjithsesi, kjo gatishmëri ekziston.
DW: Zoti kryeministër, shkaku i ikjeve nga Kosova është gjendja e rëndë ekonomike. Të dy partitë në pushtet: Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë premtuar gjatë fushatës elektorale se do të hapin me dhjetëra e qindra mijëra vende të reja pune dhe do ta zhvilloni ekonominë. Pse nuk ka ndodhur kjo deri tani?
Isa Mustafa: Ne nuk kemi mbetur vetëm në nivel të premtimeve. Kemi bërë ndryshime politike dhe fiskale, që shkojnë në favor të zhvillimit ekonomik dhe lehtësojnë bizneset në Kosovë. Po formojmë fondin për zhvillim, që ka për synim të mbështesë bizneset e grave dhe të rinjve në forma të ndryshme. Kemi përkrahur dhe po përkrahim bujqësinë me subvencione dhe me grante. Mendoj se këtë vit do ta rrisin prodhimtarinë bujqësore. Kemi tashti një projekt shumë të rëndësishëm në Brezovicë, si projekt turistik, i cili mund të arrijë vlerën prej 450 milionë euro. Tani më kemi rënë dakrod për investimet e një firme franceze dhe së shpejti pritet kontrata përfundimtare. Jemi në bisedë edhe me amerikanët për ndërtimin e Kosovës së Re, për prodhimin e energjisë elektrike prej 600 megavat. Mendoj se këto janë shenjat e para të mria, të cilat nuk hapin shumë vende të reja pune për momentin, por krijojnë kushte që në të ardhmen të rritet punësimi dhe të forcohet ekonomia.
DW: Zoti kryeministër, Kosova ka pasur së fundi probleme shumë të mëdha me Maqedoninë, për shkak të shkuarjes dhe luftimit në Kumanovë të disa personave nga Kosova. A i keni tejkaluar mosmarrëveshjet me palën maqedonase, e cila ka akuzuar Kosovën për shkurjen e kosovarëve dhe luftimin atje?
Isa Mustafa: Neve na vjen keq për atë që ka ndodhur në Kumanovë dhe që atje kanë shkuar njerëz nga Kosova. Na vjen sepse kanë atje kanë shkuar njerëz dhe kanë humbur jetën. Ndërkohë që Kosova nuk ka qenë dhe nuk është e interesuar të destabilizojë Maqedoninë, apo të përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë. Ne dëshirojmë që atje të ketë stabilitet dhe që të implemenohet në tërësi marrëveshja e Ohrit dhe të ndërtohen marrëdhënie të mira ndëtretnike. Unë kam biseduar dy herë me kryeministrin Gruevski dhe nuk ka probleme sa i përket marrëdhënieve mes vendeve tona. Kemi shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojmë me autoritete e Maqedonisë për të evituar çdo mundësi të destabilizimit të këtij vendi, sepse duan që bashkarisht t’i konotribuojmë paqes në rajon.
DW: Kur do të zgjidhet çështja e vizave me Bosnje-Hercegovinën, sepse më së shumti po vuajnë qytetarët dhe bizneset e këtyre vendeve?
Isa Mustafa: Ky është një problem të cilin është shumë vështirë ta definosh, sepse është një paradoks që të kemi probleme më të mëdha me viza se sa me Gjermaninë apo me vende të tjera. Ne duhet të ulemi dhe të bëjmë marrëveshje të reciprocitetit. Por ky është më tepër problem i vetorganizimit të Bosnje-Hercegovinës, për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme në këtë vend. Unë edhe vet kam pasur problem me vizat me Bosnje-Hercegovinën, në kohën kur kam qenë kryetar bashkie në Prishtinë. Kjo është paradoksale, sepse njerëzit e këtij vendi janë shumë të afërt me ne dhe i kanë problemet dhe aspiratat e njëjta sikur ne në Kosovë. Pra nuk duhet të kemi kushtëzime të këtilla dhe kjo duhet të arrihet me një marrëveshje të përbashkët.
Komentet