3-4 kokrra patate
3-4 kunguj
3-4 patëllxhanë
500 gr kërpudha
1 thelpi hudhër
1 qepë, 1 spec
2 domate, 1 lk sheqer
1 lgj pure domate
1 bustinë koncentrat
4 lgj vaj ulliri
100 gr djathë kaçkavall
Beshameli:
2 lgj miell, 2 lgj gjalpë
2 gota qumësht
150 gr djathë kaçkavall
1 e verdhë veze
Fillimisht presim patatet, kungujt dhe patëllxhanët në feta rrumbullake dhe i vendosim të piqen me pak vaj në një tigan që nuk ngjit. Ose mund t’i vendosim në një tavë në furrë për 20 minuta duke i spërkatur me pak vaj ulliri dhe kripë.
Ndërkohë përgatisim salcën duke kaurdisur fillimisht qepën dhe një thelpi hudhër të grirë imët. Sapo qepa të fillojë të zbutet shtojmë kërpudhat të prera në feta, specin të prerë në shirita të vegjël si dhe cepat e mbetura të patëllxhanëve dhe kungujve të prera në kubikë të vegjël. Më pas shtojmë domatet të prera në kubikë të vegjël dhe pak sheqer për të zbutur aciditetin e domateve. Shtojmë më pas salcën e domates, një bustinë koncentrat, ½ gotë ujë, kripë dhe piper të zi dhe e lemë salcën të ziejë derisa përbërësit të lidhen mirë me njëri-tjetrin.
Ndërkohë që përgatitet salca bëjmë gati beshamelin. Tresim 2 lugë gjalpë dhe kaurdisim miellin derisa të ndryshojë ngjyrë, më pas shtojmë qumështin dhe e lemë beshamelin të marrë valë. Në fund shtojmë 1 të verdhë veze dhe djathë kaçkavall të grirë në rende.
Lyejmë një tavë me pak vaj ulliri dhe më pas e spërkasim me pak djathë të verdhë. Vendosim shtresën e parë me patate, me pas e spërkasim me salcë dhe djathë të verdhë. Vendosim shtresën e dytë me patëllxhan dhe e spërkasim përsëri me salcën e përgatitur dhe djathë. Vendosim shtresën e tretë me kunguj dhe përsëri salcën me kërpudha dhe pak djathë të verdhë. Në shtresën e fundit vendosim pak nga të gjitha perimet e pjekura. E spërkasim në fund me djathë, vendosim beshamelin dhe përsëri djathë të grirë në të gjithë sipërfaqen e tavës. Shpërndajme dhe disa copëza të vogla gjalpi dhe e vendosim musakanë në furrën e parangrohur në temperaturën 180 gradë Celsius për 35-40 minuta.
Komentet